FIFA ka bërë të ditur se interesimi për Kupën e Botës 2026 ka qenë i jashtëzakonshëm, me stadiumet që deri tani kanë arritur një shkallë mbushjeje prej 99.54 %.
Sipas të dhënave të publikuara nga organizatorët, pas 36 ndeshjeve të zhvilluara nga gjithsej 104 që përfshin turneu, në stadiume kanë qenë të pranishëm 2,307,947 tifozë, ose mesatarisht 64,110 spektatorë për ndeshje.
Megjithëse në disa takime janë vërejtur sektorë me ulëse bosh, FIFA ka sqaruar se kjo lidhet shpesh me faktin se një pjesë e tifozëve ndodhen në ambientet e brendshme të stadiumeve dhe nuk zënë vendet e tyre deri pak para nisjes së ndeshjes.
Shifrat e deritanishme konfirmojnë suksesin e madh të Botërorit 2026, i cili po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, duke regjistruar një nga nivelet më të larta të frekuentimit në historinë e kompeticionit.






















