Politika 5 Maj 2025, 19:34 Nga VNA

Akuzat për dënim në Greqi: Prokuroria thotë se po e verifikon prej 1 viti rastin “Gjoka”

Ndaje në Whatsapp
Akuzat për dënim në Greqi: Prokuroria thotë se po e

Kryetari i opozitës, Sali Berisha publikoi një vendim të Gjykatës së Janinës, sipas së cilit pretendon se e ka dënuar gjyqtaren Irena Gjoka në Greqi, ndërkohë që Gjoka i hedh poshtë akuzat dhe pretendon se “absolutisht nuk është e dënuar”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha publikoi të hënën një dokument të prezantuar si një vendim i Gjykatës së Janinës në Greqi, sipas së cilit tregon se gjyqtarja Irena Gjoka e Gjykatës së Posaçme është e dënuar me 3 muaj burg dhe gjobë për falsifikimin e një pasaporte dhe një vize në mesin e viteve 2000.

Denoncimin Berisha e kreu pasi doli nga ambjentet e SPAK, ku duhet të paraqitet për shkak të masës detyrim paraqitje të caktuar në kuadër të një hetimi për korrupsion ndaj tij. Ai hodhi akuza ndaj gjyqtares Gjoka, ndërkohë që avokatët e tij deklaruan para mediave se “vendimet e saj për Berishën janë nul”.

Dyshimet për një dënim të gjyqtares Gjoka në Greqi qarkulluan edhe një vit më parë përmes mediave greke. E pyetur nga BIRN mbi vendimin e dënimit, Gjoka e mohoi kategorikisht.

“Absolutisht nuk jam e dënuar nga asnjë nga autoritetet e drejtësisë greke,” tha gjyqtarja Irena Gjoka përmes telefonit, ndërsa i përcolli BIRN disa dokumente të përcjella nga autoritetet gjyqësore greke të Athinës, ku shkruhet se nuk rezultojnë të dhëna për ndonjë proces penal ndaj Irena Gjokës, e cila ka mbajtur më parë edhe mbiemrat Shpata dhe Maneku.

“Në kuadër të verifikimeve zyrtare që po kryen Prokuroria e Përgjithshme, bazuar në ligjin për dekriminalizimin, autoritetet greke i janë përgjigjur zyrtarisht kërkesës së institucionit, duke konfirmuar se une gjyqtarja Irena Gjoka jo vetëm që nuk jam e dënuar, por nuk ekziston asnjë e dhënë negative në emrin tim në te gjitha institucionet ligjzbatuese”, tha Gjoka, ndërsa shtoi se akuzat ishin intimidim dhe pengim në ushtrimin e detyrës.

BIRN nuk arriti të verifikonte në mënyrë të pavarur dokumentin e publikuar nga Berisha si dhe dokumentet e përcjella e gjyqtarja Irena Gjoka, por rasti duket se ka vënë sërish në lëvizje institucionet e drejtësisë.

Prokuroria e Përgjithshme, e pyetur për denoncimin publik të Berishës, tha se kishte nisur verifikimin për Gjokën në maj të vitit 2024 dhe ende nuk e kishte përfunduar.

“Deri më datë 05.05.2025, Prokuroria e Përgjithshme, nuk ka përfunduar verifikimin e thelluar dhe nuk ka dalë me vendim për miratimin e rezultateve të verifikimit. Bazuar në denoncimin e bërë publik, do të vazhdojë procesi i verifikimit të thelluar,” tha Prokuroria e Përgjithshme.

Në vijim, Prokuroria e Përgjithshme bëri me dije përmes koordinatores për të drejtën e informimit, Rozeta Tase, se do t’u dërgohet sërish letër-porosi autoriteve të drejtësisë greke, për të kërkuar të dhëna lidhur me vendimin specifik të publikuar nga Berisha si vendimarrje të Gjykatës së Janinës. Ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD i tha BIRN se “informacioni i bërë publik të hënën ndaj ndaj gjyqtares Irena Gjoka, do të trajtohet dhe vlerësohet nga ana e ILD-së në përputhje me parashikimet ligjore.

Gjyqtarja Irena Gjoka e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe ka punuar si gjyqtare në Fier dhe në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Prej dhjetorit 2019, ajo është pjesë e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë.

Ligji për “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, I njohur ndryshe dhe si ligji dekriminalizimit, u miratua më 17 dhjetor të vitit 2015 dhe hyri në fuqi në fillim të 2016-ës. Të gjithë funksionarët që ishin subjekte të këtij ligji, përfshi dhe gjyqtarët dhe prokurorët që ishin në detyrë në atë periudhë e plotësuan dhe dorëzuan për herë të parë formularin e dekriminalizimit në fillim të vitit 2016. Legjislacioni në këtë rast nuk parashikon deklarim periodik./BIRN/

 

Video

Zohran Mamdani, kryetari i ri i Nju Jorkut, sfidon Donald Trumpin që në ditën e parë! Në fjalimin e fitores, 34-vjeçari demokrat i drejtoi katër fjalë presidentit: “Turn the volume up!” – një mesazh i fortë për t’i bërë të ditur se qyteti nuk ka ndërmend të heshtë. Mamdani, një socialist demokrat me rrënjë emigrante, premton të përballet me politikat e Trumpit, veçanërisht në fushën e imigracionit dhe kostos së jetesës. Agjenda e tij përfshin ngrirje të qirave, kujdes universal për fëmijët dhe masa të reja për të lehtësuar barrën e qytetarëve. “Nëse ka një mënyrë për të ndalur një despot, është duke shkatërruar kushtet që e ushqejnë pushtetin e tij,” tha ai mes duartrokitjeve të mbështetësve.

Humbja në Nju Jork, reagon presidenti amerikan Donald Trump Rezultatet jo të favorshme për republikanët janë pranuar nga vetë Donald Trump, i cili u takua këtë mëngjes me ligjvënës të partisë konservatore. Një ditë pas zgjedhjes historike të Zohran Mamdani si kryetar bashkie i Nju Jorkut, presidenti amerikan pranoi: “Nuk mendoj se ishte mirë për republikanët.” Trump fajësoi mbylljen e qeverisë për humbjen, duke theksuar se sondazhet tregojnë se publiku ia atribuon fajin më shumë atij dhe republikanëve. Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje senatorëve republikanë që të shfuqizojnë filibusterin, një procedurë që lejon debate të pafundme në Senat dhe shpesh bllokon miratimin e projektligjeve. “Është koha që republikanët të bëjnë atë që duhet të bëjnë,” tha ai, duke paralajmëruar se përndryshe partia do të mbetet në një pozitë të pafavorshme.

Një situatë e paprecedentë ka ndodhur në Japoni, ku autoritetet qeveritare kanë urdhëruar ushtrinë të dalë në rrugë e armatosur për të menaxhuar një valë sulmesh nga arinjtë. Trupa ushtarake janë dërguar në rajonin malor, pas një apeli urgjent nga autoritetet lokale, të cilat përpiqen të mbrojnë banorët dhe të kontrollojnë situatën. Operacioni ka filluar në qytetin Kazuno, ku banorëve u është këshilluar të shmangin pyjet e dendura, të qëndrojnë brenda pas errësirës dhe të përdorin zile për të trembur arinjtë që afrohen pranë shtëpive. Që nga prilli, më shumë se 100 sulme të arinjve janë raportuar në të gjithë Japoni, duke shkaktuar 12 viktima.

Drejt Europës vetëm me përgjigje. Se pyetjet nuk i kemi qejf këto kohë…

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme