Politika 11 Qershor 2025, 14:00 Nga VNA

Zgjedhjet e pjesshme në 3 bashki mbeten në dorë të Ramës, pavarësisht ligjit

Ndaje në Whatsapp
Zgjedhjet e pjesshme në 3 bashki mbeten në dorë të

Edhe pse ligji parashikon një afat 45-ditor për zgjedhjet vendore në bashkitë e Beratit, Matit dhe Tepelenës, zëvendësimi i kryebashkiakëve të dorëhequr mbetet peng i procedurave të paqarta mes kryeministrit dhe presidentit, në “shkelje të shtetit ligjor”.

Ervin Demo dha dorëheqjen nga detyra e kryetarit të bashkisë së Beratit më 11 mars për t’i hapur rrugë kandidimit të tij për deputet në listat e Partisë Socialiste. Brenda ditës, dorëheqja e tij u depozitua tek Perfekti i Beratit dhe në të njëjtën ditë Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave njoftoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për aktin e dorëheqjes, veprime ligjore pa të cilat kandidatura e tij nuk do të mund të zyrtarizohej në afatin fundor më 12 mars. E njëjta procedurë u ndoq dhe me dorëheqjen e kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj dhe atij të Tepelenës, Tërmet Peçi, të dy kandidatë fitues në listat e PS-së në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Por ndërsa kanë kaluar 3 muaj nga dorëheqjet e kryebashkiakëve socialistë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj nuk ka shpallur ende datën e zgjedhjeve të pjesshme në këto 3 bashki, edhe pse ligji parashikon si afat detyrues për zhvillimin e tyre deri në 45 ditë nga momenti i njoftimit të dorëheqjes. Kushtetuta e Shqipërisë i njeh në nenin 92 Presidentit kompetencën e caktimit të datës së zgjedhjeve për Kuvendin, organet e pushtetit vendor si dhe për zhvillimin e referendumeve. Kjo kompetencë është e kufizuar në kohë nga neni 10 i Kodit Zgjedhor, i cili specifikon se :“Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit”. Presidenca nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN-it për arsyet e moszbatimit të ligjit, ndërsa në një situatë të ngjashme në bashkinë Kukës në qershor 2023, ky institucion pretendoi se nuk mund të merrte vendime pa u njoftuar zyrtarisht me shkresë nga kryeministria për vakancën e krijuar. Kryeministria gjithashtu nuk komentoi ngërçin e krijuar dhe rolin që ka ky institucion në procedurë, por burime në grupin parlamentar të PS-së i thanë BIRN-it se partia po përgatitej që zgjedhjet e pjesshme vendore të mbaheshin në vjeshtë. E ndërsa situata kur institucionet nuk zbatojnë afatet ligjore nuk është e izoluar, për ekspertët kjo tregon mungesë përgjegjshmërie institucionale dhe mosfunksionim të shtetit ligjor. Kristaq Kume,  themelues i Aleancës Qytetare për Zhvillim Demokratik, e përshkruan situatën e krijuar si “shfaqje e mosfunksionimit të shtetit ligjor, e mosrespektimit të legjislacionit të miratuar”. Kume shpjegon gjithë zinxhirin e procedurave ligjore që çojnë në shpalljen e datës së zgjedhjeve, duke besuar se kjo procedurë ka ngecur tek Këshilli i Ministrave, por ai thekson se kjo procedurë duhej të ishte kryer që në momentin që u regjistruan si kandidatë  për deputetë kryebashkiakët e dorëhequr. “Duhej që Këshili Bashkiak që ka marrë dorëheqjen të njoftonte Prefektin dhe ai t’ia dërgonte me shkrim Këshillit të Ministrave dhe ky institucion ia dërgon presidentit për vakancën,” thotë Kume, duke shtuar se “zinxhiri nuk ka funksionuar sepse nuk kemi shkresë zyrtare të presidenti”. Ai i referohet precedentëve të mëparshëm si ai në bashkinë Shkodër në vitin 2019 kur presidenti i atëhershëm, Ilir Meta, nuk e shpalli datën e zgjedhjeve për më shumë se dy vjet pasi dha dorëheqjen kryetari i sapozgjedhur i saj. Për Agron Haxhimalin, drejtor i Institutit për Bashkitë, presidenti mund të veprojë me iniciativën e tij për të zbatuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, në një rast që vakancat janë botërisht të ditura ose mund t’i kërkojë Këshillit të Ministrave që të veprojë me njoftimin zyrtar. “Qartë, këtu kemi shkelje të afateve ligjore dhe institucionale,” tha Haxhimali, duke theksuar se afatet ligjore përcaktojnë detyrimin e presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme për kryetarët e rinj të bashkive. “Nëse Presidenti nuk ka nxjerrë dekret për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme brenda afatit 48 orësh nga njoftimi për përfundimin e mandatit, kjo përbën shkelje të nenit 10, pika 3 të Kodit Zgjedhor…”- thekson ai, ndërsa apelon që institucionet vendore të mos mbeten “peng i vullnetit politik”. Haxhimali flet gjithashtu për “pasoja serioze” që ka tek këto bashki, shtyrja pa afat e zgjedhjes së kryetarëve të rinj. Mosbërja e zgjedhjeve të reja krijon, sipas tij, “bllokim të vendimmarrjes politike dhe ekzekutive të bashkisë, sidomos për politikat prioritare dhe buxhetin; paaftësi për përfaqësim institucional në marrëdhëniet me qeverinë qendrore dhe ndërkombëtarët; dobësim i përgjegjshmërisë politike, pasi zëvendëskryetari nuk ka legjitimitet të njëjtë publik dhe elektoral, si dhe rrezik për keqadministrim, për shkak të mungesës së një figure të qartë drejtuese dhe llogaridhënëse”. Vakancat në qeverisjen vendore pritet të shtohen, pasi prej më shumë se 3 muajsh edhe bashkia e Tiranës është në një situatë ligjore ku mund të ndërpritet mandati i kryebashkiakut Erjon Veliaj, i arrestuar në fillim të shkurtit me disa akuza nga Prokuroria e Posaçme, SPAK. Në këtë rast, procedura e shkarkimit të Veliajt interpretohet njësoj nga Kume dhe Haxhimali. “Këshili bashkiak ndodhet në kushtet që duhet të mblidhet dhe të vendosë për ndërprerjen e mandatit të zotit Veliaj sipas ligjit për qeverisjen vendore,” thotë Kume. Ndërsa Haxhimali saktëson se “nëse kryetari mungon për më shumë se 3 muaj rresht, kjo përbën arsye për shkarkim nga detyra sipas nenit 62, pika c, me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të këshillit bashkiak përkatës”. Sipas tij, nuk është ndjekur procedura ligjore dhe kjo tregon se “ka shkelje të ligjit dhe mosfunksionim institucional”. Reporter.al

Video

Alpinisti amerikan Alex Honnold ka realizuar një ngjitje historike të dielën, duke u bërë personi i parë që ka shkallëzuar ndërtesën më të lartë të Tajvanit, Taipei 101, pa përdorur litar, parzmore apo rrjet sigurie. Ngjitja u zhvillua në kushte të kontrolluara dhe ka tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare, për shkak të nivelit ekstrem të rrezikut dhe vështirësisë që paraqet një strukturë prej 508 metrash lartësi. Taipei 101 konsiderohet një nga ndërtesat më ikonike në botë dhe një sfidë e jashtëzakonshme për çdo alpinist. Alex Honnold është i njohur globalisht për ngjitjet e tij pa mjete sigurie (free solo), duke shtyrë kufijtë e alpinizmit modern. Autoritetet lokale nuk kanë raportuar incidente gjatë ngjarjes, ndërsa ngjitja është cilësuar si një arritje e rrallë sportive dhe teknike.

Protestat e kamionistëve do të ndikojnë qarkullimin kufitar nga 26 janari. Automjetet e transportit të mallrave do të ndalohen të hyjnë dhe të dalin nga pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut: hyrja bllokohet nga mesnata, ndërsa dalja nga ora 12:00. Po ashtu, nga ora 11:30 e 26 janarit nis një grevë 48-orëshe e Shoqatës së Kamionistëve të Malit të Zi, duke ndaluar qarkullimin e kamionëve nga Shqipëria drejt këtij vendi. Në akset drejt kufirit me Malin e Zi do të lejohen vetëm automjete të vogla, autobusë, mjete emergjence dhe transport pasagjerësh. Përjashtim nga ndalimi bëjnë kamionët që transportojnë ilaçe dhe bagëti, ndërsa qarkullimi i automjeteve të udhëtarëve vijon normalisht. Protesta zhvillohet për shkak të kërkesave të kamionistëve për lehtësira fiskale, përmirësim të kushteve në dogana dhe kundërshtim të kufizimeve të punës së shoferëve në zonën Shengen.

Në rrugët e qyteteve të Kinës patrullojnë robotë që mbikëqyrin trafikun. Kina është vendi më i përparuar në botë!

“Arabia Saudite lejon zyrtarisht të huajt të blejnë dhe zotërojnë prona banimi, toka dhe ferma bujqësore në të gjithë vendin.”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme