Bota 27 September 2026, 17:21 Nga VNA

Trump fton Putinin në G20, BE-ja merr vendimin: Nuk do ta bojkotojë samitin në Miami

Ndaje në Whatsapp
Trump fton Putinin në G20, BE-ja merr vendimin: Nuk do ta bojkotojë

Presidenti amerikan Donald Trump e ka ftuar zyrtarisht presidentin rus Vladimir Putin në samitin e G20-së. Ftesa u përcoll nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në kuadër të debatit të përgjithshëm të OKB-së në Nju Jork. Argumenti i administratës amerikane është se dialogu duhet të vazhdojë edhe me partnerë të vështirë.

Samiti i G20-së pritet të zhvillohet në dhjetor në Miami, Florida. Bashkimi Evropian është anëtar me të drejta të plota i G20-s. Përveç kësaj, disa shtete anëtare, si Gjermania, Franca dhe Italia, marrin pjesë gjithashtu me përfaqësuesit e tyre.

BE-ja tashmë ka një plan për samitin e G20-së

Si do të reagojë Bashkimi Evropian ndaj nismës së Trumpit dhe pjesëmarrjes së mundshme të Putinit? Sipas një zëdhënësi të BE-së, Rusia mbetet anëtare e G20-s dhe ka të drejtën të marrë pjesë në këto takime. Ai shtoi se BE-ja do të vazhdojë t’i përdorë këto forume për të dënuar luftën agresive të Rusisë kundër Ukrainës, pavarësisht se kush merr pjesë në samit. Kjo do të thotë se Brukseli synon të jetë i pranishëm në Miami edhe nëse Putini merr pjesë, duke mos dashur t’ua lërë skenën Trumpit dhe Putinit, veçanërisht kur në diskutim është e ardhmja e Ukrainës.

Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse përfaqësuesit e BE-së do të jenë të gatshëm të ulen në të njëjtën sallë me Putinin. Nga shumica e vendeve anëtare të BE-së kanë ardhur reagime kritike ndaj ftesës drejtuar presidentit rus.

 

Diplomatët francezë: “Fronti perëndimor” është në rrezik

Pas ftesës së SHBA, Berlini zyrtar theksoi, se nuk mund të ketë kthim në normalitet në marrëdhëniet me Rusinë pas agresionit rus ndaj Ukrainës. Qeveria gjermane u shpreh se është në dijeni për ftesën drejtuar Vladimir Putinit.

Edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni u shpreh kritike, duke deklaruar se tani është koha të kërkohen lëshime nga Rusia, dhe jo që Putinit t’i jepet më shumë peshë diplomatike. Një qëndrim të ngjashëm mbajti edhe qeveria franceze. Sipas Parisit, nuk është momenti i duhur për normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë. Megjithatë, askush nuk po flet për bojkot të samitit.

Në Paris dhe Romë theksohet se Bashkimi Evropian duhet të mbetet i bashkuar në reagimin e tij. Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi: “Asnjë vendim për Ukrainën pa Ukrainën dhe pa Evropën.”


Arrestmandati i Gjykatës Penale Ndërkombëtare ndaj Putinit

Edhe në Parlamentin Evropian theksohet se nuk mund të ketë rikthim në normalitet me Vladimir Putinin. Ky duhet të mbetet qëndrimi i palëkundur i Evropës, deklaruan deputetë letonezë nga grupi i Partisë Popullore Evropiane (EPP). Ata kujtojnë krimet e luftës dhe faktin se më shumë se 20.000 fëmijë ukrainas janë deportuar nga Rusia, ndërsa deri më tani vetëm rreth 2.500 prej tyre janë kthyer në Ukrainë.

Ndaj presidentit rus Vladimir Putin është lëshuar një urdhër-arrest nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN/GJPND). Ky është edhe një nga arsyet, pse ai nuk mori pjesë në samitet e fundit të G20-s, përfshirë atë të zhvilluar në Brazil.

Politikanët e BE-së presin që, pas sulmeve të Trumpit ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Vladimir Putini mund të jetë i gatshëm të udhëtojë në Miami, pasi atje nuk ka arsye të frikësohet nga ndonjë pasojë ligjore. “Lufta në Ukrainë ka treguar se krimet e luftës mund të rikthehen nëse ato nuk njihen dhe nuk trajtohen siç duhet,” deklaroi eurodeputetja lituaneze e Partisë Popullore Evropiane (EPP), Rasa Jukneviciene.

“Një gjykatë ndërkombëtare që pengohet nga Trumpi të kryejë punën e saj legjitime duhet të jetë një sinjal alarmi për të gjithë ne,” kritikoi veprimet e Trumpit ndaj Gjykatës Penale Ndërkombtare zëdhënësi për politikën e jashtme i socialdemokratëve në Parlamentin Evropian, Yannis Maniatis. Nga ana tjetër, politikanët e AfD-së e kanë mirëpritur afrimin diplomatik mes Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit./ DW

Video

Një e ftuar si Dua Lipa dhe dasma merr tjetër atmosferë! Këngëtarja shqiptare me famë botërore ka festuar në dasmën e një të afërmi në Shqipëri, ku është shfaqur duke kërcyer e shijuar festën mes të ftuarve. Pamjet kanë bërë xhiron e rrjetit, duke i bërë të gjithë të dëshirojnë një të ftuar si ajo në dasmën e tyre.

Johnny Depp ka dhuruar një moment që askush nuk e priste gjatë një feste në Las Vegas. Teksa pozonte para fotografëve, aktori iu afrua murit të dekoruar me bimë dhe… kafshoi një prej gjetheve! Depp e përtypi për disa sekonda, përpara se ta pështynte dhe të vazhdonte pozimin sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Një moment interesant është regjistruar gjatë aktivitetit Oil Wrestling Presidential Cup, ku Osman Ali Davutoğlu, i prezantuar si “djali shpirtëror” nga Tanzania i ish-ambasadorit Ali Davutoğlu, përshëndeti spektatorët e pranishëm. Prania e tij tërhoqi vëmendjen e publikut gjatë aktivitetit tradicional të mundjes me vaj.

Kryebashkiaku Mamdani është shfaqur në një video me tone satirike, si reagim ndaj deklaratave të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në OKB. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, ai shfaqet me komedianin Ramy Youssef, të dy me shalle palestineze. Postimi shoqërohet me mesazhin: “Duhej t’u përgjigjeshim deklaratave të Netanyahut në OKB në mënyrën tonë”, si dhe me flamurin palestinez.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme