Një avion turistik u rrëzua paraditen e së dielës në Tomblaine, pranë qytetit të Nancy-t në Francë, duke shkaktuar vdekjen e të 11 personave që ndodheshin në bord.
Sipas mediave franceze, në avion ndodheshin pesë instruktorë, pesë kursantë dhe piloti me përvojë. Asnjëri nuk arriti t’i mbijetonte përplasjes. Avioni u rrëzua pranë daljes së varrezave të Tomblaine dhe, sipas informacioneve paraprake, tre persona u hodhën jashtë kabinës si pasojë e impaktit.
Fluturimi ishte planifikuar si një aktivitet për kërcimin e parë me parashutë për disa nga pasagjerët.
Prefektura e departamentit Meurthe-et-Moselle njoftoi se aksidenti përfshiu një avion civil që ishte ngritur nga aerodromi Nancy-Essey. Prefekti Yves Seguy aktivizoi menjëherë qendrën operative të emergjencave për të koordinuar ndërhyrjen dhe ndjekjen e situatës.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën e aksidentit, në mënyrë që të mos pengohet puna e ekipeve të shpëtimit dhe forcave të rendit. Ndërkohë pritet një konferencë për shtyp nga prokuroria, policia dhe shërbimet e emergjencës, ndërsa shkaqet e rrëzimit të avionit janë ende nën hetim.






















