Garda Revolucionare e Iranit ka njoftuar se ka ndërmarrë sulme me raketa dhe dronë ndaj tetë objektivave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrein, në një operacion që, sipas saj, është përgjigje ndaj sulmeve të fundit të Shteteve të Bashkuara ndaj pozicioneve iraniane.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, operacioni është zhvilluar gjatë orëve të para të mëngjesit, mes 02:00 dhe 03:00 me kohën lokale, duke përfshirë njësitë detare dhe ajrore të IRGC-së.
Në deklaratë pretendohet se objektivat përfshinin infrastrukturë ushtarake amerikane, mes tyre bazën ajrore “Ali Al Salem” në Kuvajt dhe selinë e Flotës së Pestë të SHBA-së në Bahrein.
IRGC tha se sulmet erdhën si reagim ndaj veprimeve amerikane, të cilat sipas Teheranit përfshinin goditje ndaj disa pozicioneve bregdetare iraniane, nën pretekstin e një incidenti në Ngushticën e Hormuzit.
Autoritetet iraniane paralajmëruan gjithashtu se çdo shkelje e ardhshme e armëpushimit do të përballet me “përgjigje të ashpër”, duke rritur tensionet në rajon.
Ndërkohë, Kuvajti ka bërë të ditur se sistemet e mbrojtjes ajrore janë aktivizuar pas zbulimit të kërcënimeve me raketa dhe dronë, ndërsa Bahreini ka aktivizuar sirenat e alarmit dhe ka këshilluar qytetarët të strehohen në vende të sigurta.
Sipas zyrtarëve amerikanë, deri tani nuk raportohen viktima apo dëme të mëdha në objektet e SHBA-së, ndërsa situata mbetet ende në zhvillim.
Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi gjithashtu për goditje të reja ndaj disa objektivave në Iran, duke përfshirë infrastrukturë të mbikëqyrjes ushtarake, sisteme komunikimi dhe objekte të lidhura me dronë, në përgjigje të veprimeve iraniane në rajon.






















