
Venezuela po përballet me pasoja katastrofike pas dy tërmeteve të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë të shkallës Rihter, të cilët konsiderohen si më të fortët që kanë goditur vendin në më shumë se 100 vite. Pamjet e shkatërrimit masiv vazhdojnë të publikohen nga zonat më të prekura.
Sipas autoriteteve venezueliane, deri tani janë konfirmuar 920 viktima dhe mbi 3,360 persona të plagosur. Presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, deklaroi se bilanci pritet të rëndohet më tej, pasi shumë qytetarë rezultojnë ende të bllokuar nën rrënoja.
Shqetësim të madh ka edhe për personat e zhdukur. Raportimet në platformat qytetare dhe burime jozyrtare flasin për mbi 51 mijë persona të raportuar si të humbur. Ndër zonat më të goditura është qyteti bregdetar i La Guaira, ku imazhet satelitore tregojnë dëme të mëdha. Kompleksi i banimit “Chavez”, i njohur si “Suma”, është shembur pothuajse plotësisht, ndërsa disa pallate shumëkatëshe janë rrëzuar brenda pak çastesh.
Dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në zonat industriale, ku shumë depo dhe objekte janë shkatërruar. Aeroporti ndërkombëtar i vendit ka pësuar dëmtime serioze dhe është mbyllur përkohësisht. Lëkundjet janë ndjerë edhe në Brazil, ku autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e disa ndërtesave.
Në zonat e prekura, banorët po përpiqen të nxjerrin të mbijetuarit nga rrënojat me mjete rrethanore, madje edhe me duar, për shkak të mungesës së pajisjeve dhe ekipeve të mjaftueshme të shpëtimit.
Ndërkohë, po shtohen kritikat ndaj reagimit të autoriteteve për menaxhimin e situatës, ndërsa në disa zona janë raportuar edhe raste plaçkitjesh. Komuniteti ndërkombëtar ka nisur mobilizimin për të ndihmuar Venezuelën. Mbretëria e Bashkuar ka dërguar një avion ushtarak me 68 specialistë të kërkim-shpëtimit dhe qen të trajnuar, si dhe ka premtuar 2 milionë paund ndihmë emergjente. Edhe Shtetet e Bashkuara, Meksika, Spanja, Gjermania dhe vende të tjera kanë nisur dërgimin e ekipeve të specializuara, ndihmave mjekësore dhe furnizimeve humanitare për të mbështetur operacionet e shpëtimit dhe popullsinë e prekur nga katastrofa.






















