Një anije mallrash është goditur në Ngushticën e Hormuzit, në një incident që rrezikon të përshkallëzojë sërish tensionet në rajon dhe hedh dyshime mbi zbatimin e marrëveshjes së fundit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Sipas një zyrtari amerikan, sulmi është kryer me një dron iranian, megjithëse autoritetet në Teheran nuk kanë marrë zyrtarisht përgjegjësinë për ngjarjen.
Incidenti ndodhi vetëm pak orë pasi Garda Revolucionare Iraniane deklaroi se anijet do të lejohen të lundrojnë të sigurta vetëm në korridoret detare të miratuara nga Irani, duke sfiduar pretendimet e administratës së presidentit Donald Trump se lundrimi në Ngushticën e Hormuzit ishte rikthyer në normalitet pas marrëveshjes së arritur javën e kaluar.
Sipas Operacioneve të Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), anija u godit në anën e djathtë nga një predhë e paidentifikuar, duke pësuar dëmtime në urën komanduese. Nuk raportohet për viktima apo ndotje mjedisore, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje të gjitha anijeve që kalojnë në zonë të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë.
Sulmi ka ndikuar menjëherë edhe në operacionet ndërkombëtare. Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO) njoftoi pezullimin e misionit për evakuimin e qindra anijeve dhe mbi 11 mijë detarëve që kanë mbetur të bllokuar në Gjirin Persik që nga nisja e konfliktit.
Sekretari i Përgjithshëm i IMO-së, Arsenio Dominguez, deklaroi se siguria e detarëve mbetet prioritet absolut dhe se operacioni i evakuimit do të qëndrojë i pezulluar derisa të ketë një pasqyrë më të qartë të situatës. Ai theksoi se anija e goditur nuk ishte pjesë e këtij misioni, por incidenti dëshmon se rreziku në zonë vazhdon të jetë i lartë.
Ndërkohë, Organizata Iraniane për Menaxhimin e Rrugëve Detare të Gjirit Persik paralajmëroi se nuk garanton më kalim të sigurt për anijet që nuk respektojnë korridoret e përcaktuara nga Teherani. Sipas autoriteteve iraniane, përgjegjësia për çdo incident do të bjerë mbi pronarët, operatorët dhe kapitenët e anijeve që zgjedhin rrugë alternative.
Ngjarja pati ndikim të menjëhershëm edhe në tregjet ndërkombëtare. Çmimi i naftës Brent u rrit me rreth 2%, duke u mbyllur në 74 dollarë për fuçi, mes shqetësimeve se tensionet në një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë mund të përshkallëzohen.
Marrëveshja e nënshkruar javën e kaluar mes SHBA-së dhe Iranit synon ndalimin e luftimeve, garantimin e lundrimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit dhe lehtësimin e disa sanksioneve ndaj Teheranit në këmbim të angazhimit të tij për të mos zhvilluar armë bërthamore. Megjithatë, sulmi i fundit tregon se situata mbetet e brishtë dhe se negociatat e planifikuara për më 30 qershor pritet të zhvillohen në një klimë të tensionuar.






















