Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka rikthyer kërcënimet me tarifa doganore ndaj vendeve evropiane, duke paralajmëruar se çdo shtet që vendos taksa digjitale ndaj kompanive amerikane do të përballet me tarifa prej 100 për qind për të gjitha eksportet e mallrave drejt Shteteve të Bashkuara.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se tarifat e reja do të zëvendësonin marrëveshjet ekzistuese tregtare me vendet përkatëse, pavarësisht nëse ato janë zbatuar apo vetëm janë nënshkruar.
Sipas tij, masa është përgjigje ndaj planeve të disa vendeve për të vendosur taksa digjitale që prekin kompanitë amerikane të teknologjisë. Megjithatë, presidenti amerikan nuk përmendi shtete konkrete.
Një nga vendet që tashmë zbaton një taksë të tillë është Austria, ku që prej vitit 2020 platformat e mëdha online paguajnë 5 për qind të të ardhurave nga reklamat.
Komisioni Evropian reagoi menjëherë, duke i cilësuar kërcënimet e Trumpit si të pajustifikuara. Në një deklaratë zyrtare, Brukseli theksoi se Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare kanë të drejtën sovrane të rregullojnë aktivitetin ekonomik në territorin e tyre, në përputhje me ligjin dhe detyrimet ndërkombëtare.
Sipas Komisionit, taksat digjitale zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha kompanitë e mëdha, pa diskriminim mbi bazën e origjinës së tyre. Brukseli paralajmëroi gjithashtu se, nëse SHBA-ja vendos tarifa të reja, BE-ja do të reagojë me shpejtësi dhe vendosmëri për të mbrojtur interesat dhe autonominë e saj rregullatore.
Zhvillimi vjen vetëm pak ditë pasi vendet anëtare të BE-së miratuan një marrëveshje tregtare me SHBA-në, e cila parashikon heqjen e tarifave për një sërë mallrash industrialë amerikanë dhe zgjerimin e aksesit në treg për disa produkte bujqësore dhe detare.
Kjo nuk është hera e parë që Trump kërcënon me masa të tilla. Edhe gjatë vitit 2025 ai kishte paralajmëruar vendet që planifikonin të vendosnin taksa digjitale ndaj kompanive amerikane, duke i cilësuar ato si të padrejta.






















