Ndërsa Barcelona synon një përmbysje për t’u kualifikuar, statistikat dhe të dhënat e këtij sezoni nuk janë aspak në favor të saj.
Ylli i katalanasve, Lamine Yamal, së bashku me trajnerin Hansi Flick, kanë shprehur besim për një rikthim ndaj Atlético Madrid në çerekfinalet e UEFA Champions League, me dy skuadrat që përballen sonte në “Metropolitano Stadium”, në orën 21:00.
Dy ekipet janë ndeshur pesë herë këtë sezon: Barcelona ka fituar tri takime, ndërsa Atletico dy. Katalanasit kanë marrë dy fitore në kampionat, por madrilenët, të drejtuar nga Diego Simeone, kanë triumfuar në dy sfidat e Kupës së Mbretit. Në total, të dyja skuadrat kanë shënuar nga tetë gola.
Statistikat i japin një avantazh të lehtë Atleticos. Simeone ka paralajmëruar një qasje sulmuese, ndërsa kapiteni Koke ka kërkuar më shumë personalitet me topin për të përballuar presionin e Barcelonës.
Problemet më të mëdha për Barcelonën mbeten në mbrojtje. Skuadra ka 14 ndeshje radhazi në Evropë pa mbajtur portën e paprekur dhe, që nga ardhja e Flick, asnjë ekip në Champions nuk ka pësuar më shumë gola (43). Këtë sezon, katalanasit kanë pësuar në çdo ndeshje të kompeticionit, duke lënë të kuptohet se mund t’u duhen të paktën katër gola për të siguruar kualifikimin.
Në aspektin taktik, Jules Koundé mund të zhvendoset në qendër të mbrojtjes, një rol që është testuar në stërvitjen e fundit. Në këtë rast, Ronald Araújo do të kalonte në krahun e djathtë, ndërsa Eric García mund të aktivizohej në mesfushë.
Mungesa e Pau Cubarsí për shkak pezullimi dhe dilemat në mesfushë mund të detyrojnë ndryshime të detyruara në formacion.
I pyetur për dobësitë në mbrojtje, duke kujtuar edhe eliminimin nga Inter sezonin e kaluar pavarësisht gjashtë golave të shënuar, Flick është shfaqur i qetë, duke theksuar se çelësi do të jetë presingu i organizuar dhe kompaktësia në fushë.






















