Kronika 9 November 2026, 08:55 Nga VNA

SPAK zgjeron akuzat për Vlora Hysenin, nga korrupsioni te pastrimi i parave. Hetim i transfertave drejt Gjermanisë, dyshohet se përfitoi ryshfet

Ndaje në Whatsapp
SPAK zgjeron akuzat për Vlora Hysenin, nga korrupsioni te pastrimi i

Një faturë për instalime kompjuterike nga një kompani ndërtimi, një Range Rover 290 mijë euro, dy transferta prej 500 mijë eurosh në Gjermani dhe një tjetër prej 450 mijë eurosh e anuluar. Në fund të gjurmës së parave, SPAK ka gjetur emrin e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, dhe të vëllait të saj, Izet Dingler.

Krahas akuzave për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror, SPAK ka zgjeruar hetimet ndaj Hysenit edhe për korrupsion e pastrim parash, duke ngritur dyshime se Ergys Agasi ka përdorur fonde të përfituara nga tenderët e AKSHI-t për të siguruar informacione sekrete nga drejtuesja e shërbimit inteligjent.

Gjithçka nis nga një fletë me shënime dore, e sekuestruar në zyrat e EA Tobacco, kompani ku ortak është Ergys Agasi. Në të pasqyrohej shuma prej 119.162.400 lekësh, përfshirë 19.860.400 lekë TVSH dhe 14.895.300 lekë tatim mbi fitimin, duke lënë një vlerë neto prej 84.406.700 lekësh.

E njëjta shumë rezulton në faturën e 21 marsit 2024, të lëshuar nga Enklo Construction për Sinteza Co, me përshkrimin “Instalim/Konfigurim”. Po atë ditë, Albascan i transferoi Sinteza Co shumën 151.263.144 lekë për një faturë me të njëjtin përshkrim.

Albascan dhe Sinteza Co kishin fituar së bashku tenderin e AKSHI-t për laboratorët SMART, me vlerë kontrate 1.669.372.673 lekë. Nga tetori 2023 deri në mars 2024, Albascan kishte përfituar 1.438.138.023 lekë.

Por Enklo Construction, sipas SPAK, nuk kishte lidhje me teknologjinë e informacionit dhe nuk kishte kryer punimet e faturuara. Administratori i Sinteza Co deklaroi se nuk e njihte kompaninë dhe se veprimet ishin kryer me udhëzimin e Elison Jorgjit.

Më 25 mars 2024, Sinteza Co transferoi 119.162.400 lekë te Enklo Construction. Një ditë më vonë, kjo kompani kaloi 42 milionë lekë te Fortis Beton, ndërsa rezulton se pagoi edhe 290 mijë euro për automjetin Range Rover me targa G444A, të sekuestruar Ergys Agasit.

Gjurmët e parave në Gjermani dhe lidhja me Vlora Hysenin

Nga llogaritë e Fortis Beton rezultojnë dy transferta të ekzekutuara drejt kompanisë gjermane Wilhelm & Co Planungsgesellschaft, nga 250 mijë euro secila, më 5 dhe 20 mars 2024. Në total, 500 mijë euro për projektimin e një kompleksi banimi dhe tregtar prej 17 mijë metrash katrorë në Tiranë, që nuk është ndërtuar.

Sipas SPAK, në këtë kompani punësohej një nga vëllezërit e Vlora Hysenit. Kjo lidhje ka ngritur dyshimet se pagesat mund të përbënin një përfitim korruptiv për ish-drejtoreshën e SHISH.

Hetimi ka zbuluar edhe një transfertë tjetër prej 450 mijë eurosh drejt Erd & Tiefbau Dingler GmbH, e cila ishte anuluar më 27 shkurt 2024. Përfaqësues i kësaj kompanie është Izet Dingler, vëllai i Vlora Hysenit, i cili më parë mbante mbiemrin Hyseni.

Lidhja familjare është konfirmuar edhe përmes certifikatës familjare të përcjellë nga autoritetet e Kosovës. Dingler rezulton drejtor menaxhues i kompanisë gjermane që prej 16 janarit 2023.

Sipas dokumentacionit, transferta prej 450 mijë eurosh lidhej me një marrëveshje për blerjen e 75,1% të aksioneve të një kompanie në Mynih dhe dhënien e një huaje prej 400 mijë eurosh për një tjetër shoqëri, e cila rezulton në proces falimentimi.

Orest Sota, ortak i Fortis Beton, ka deklaruar se pagesat prej 500 mijë eurosh ishin për projektimin e një pallati dhe se studion gjermane ia kishte sugjeruar miku i tij, Ergys Agasi.

SPAK dyshon se kjo skemë financiare është përdorur për të fshehur origjinën e fondeve të përfituara nga prokurimet publike të AKSHI-t dhe për të kanalizuar përfitime korruptive.

Sipas prokurorisë, edhe pse transferta prej 450 mijë eurosh u anulua, kjo nuk e përjashton dyshimin për premtimin apo pranimin e një përfitimi të parregullt nga Vlora Hyseni, në këmbim të informacioneve sekrete të SHISH.

Në total, hetimi evidenton 500 mijë euro transferta të kryera drejt Gjermanisë dhe një tjetër prej 450 mijë eurosh të anuluar. SPAK ka kërkuar prova shtesë përmes letërporosive në Gjermani dhe Kosovë, për të zbardhur marrëdhëniet financiare dhe rolin e personave të përfshirë.

Lexo gjithashtu

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme