Komisioni i Reformës Zgjedhore është kthyer në një skenë “rrëmuje” mes vetë demokratëve, ku njëri largohet, të tjerët qëndrojnë dhe kritikat nisin pikërisht kur personi që duhet t'i dëgjojë nuk është më i pranishëm.
Bashkëkryetari demokrat i komisionit, Oerd Bylykbashi, zgjodhi të largohej nga mbledhja, por pas tij nuk u larguan të gjithë përfaqësuesit e opozitës. Deputetët Arjan Ndoja dhe Artan Luku qëndruan në sallë, duke nxjerrë në pah mungesën e një qëndrimi të unifikuar mes demokratëve.
Dhe pikërisht këtu nisi edhe ironia e situatës. Arjan Ndoja, në vend që t'ia shprehte kritikat Bylykbashit kur e kishte përballë, zgjodhi t'i rendiste ato pasi bashkëkryetari demokrat kishte ikur.
Duke iu drejtuar socialistit Damian Gjiknuri, Ndoja nisi të kritikonte të dy drejtuesit e komisionit, përfshirë kolegun e tij të opozitës.
“Për opinionin publik dua të referoj disa fakte. Dhe e kam qejf të më kundërshtosh, publikisht, ti personalisht, meqenëse Oerti bashkë me ty janë në të njëjtin pozicion, si bashkëkryetar. Keni vite që keni nisur punën e reformës. Edhe jeni të dy bashkëkryetarët dhe të dy baballarët e reformës zgjedhore prej vitesh. Po të referoj disa fakte dhe kam dëshirë të më kundërshtosh. E para, ekspertët që keni caktuar dhe ti dhe Oerti, bashkë, asnjë anëtar i komisionit s’di gjë as për CV-të e tyre, as për eksperiencën, as se kush janë. Mund t’i njohim personalisht, por jo si anëtarë të komisionit. E dyta. Të lutem, të lutem, të lutem, më kundërshto pasi të mbaroj. E dyta. Ligjin për financimin e partive politike. Kemi ardhur në tryezë te Sheratoni, keni bërë tryezë të hapur me faktorë të tjerë të jashtëm, jashtë komisionit, në formën e një dëgjese publike e prezantimi. Anëtarët e komisionit s’e kanë pasur fare, projektin për ligjin për financimin e partive politike”, tha ai.
Pra, Bylykbashi ishte larguar, por vazhdonte të ishte protagonist i diskutimit. Ndoja kishte një listë të gjatë pakënaqësish ndaj tij, vetëm se zgjodhi t'i shprehte kur në sallë kishte mbetur Gjiknuri.
Ndoja përmendi gjithashtu vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ngritjen e një komisioni hetimor mbi ndikimin e administratës në zgjedhje, duke kërkuar llogari për mungesën e përparimit.
Por përtej pretendimeve të ngritura, ajo që mbeti nga kjo mbledhje ishte tabloja e një opozite që nuk arrin të koordinojë as qëndrimin e saj në të njëjtën sallë.






















