
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka shprehur publikisht preferencën e tij për Ilir Alimehmetin si kandidat të opozitës për Bashkinë e Tiranës, duke lënë në plan të dytë emrin e aktorit Florian Binaj, i cili ishte propozuar si një variant konsensual për bashkimin e opozitës në kryeqytet.
Në një intervistë për A2 CNN, Bardhi e cilësoi Alimehmetin një kandidaturë të shkëlqyer dhe një ofertë serioze përballë kandidatit që do të propozojë kryeministri Edi Rama.
“Z. Alimehmeti do të ishte një kandidaturë e shkëlqyer e opozitës për Tiranën. Megjithatë, unë nuk dua të shpall kandidatura nga media, për shkak se, së pari, duhet t’i japim mundësi këtij dialogu dhe këtij konsensusi të gjerë që unë po flas, dhe së dyti, do të duhet t’i japim hapësirën e vet organeve brenda PD-së për caktimin e kandidatëve zyrtarë të PD-së. Por po, z. Alimehmeti është një kandidat që, në vlerësimin tim, do të ishte një ofertë shumë serioze, shumë e mirë, përballë kandidaturës së Ramës në Bashkinë e Tiranës”, u shpreh Bardhi.
Florian Binaj ishte përmendur më herët si një alternativë për një kandidaturë konsensuale, që mund të bashkonte Partinë Demokratike me forcat e tjera opozitare në garën për Tiranën.
Por deklarata e Bardhit tregon se brenda PD-së ka preferenca për kandidatura të tjera, pavarësisht diskutimeve për gjetjen e një emri të përbashkët. Megjithatë, Bardhi theksoi se vendimi përfundimtar duhet të merret nga organet drejtuese të partisë, pas dialogut për një konsensus më të gjerë opozitar.






















