Kronika 9 November 2026, 15:20 Nga VNA

Transferimi i Veliajt u mor vesh nga të gjithë, por motivet janë sekret për 10 vjet! Çfarë po fsheh drejtoresha e Burgjeve?

Ndaje në Whatsapp
Transferimi i Veliajt u mor vesh nga të gjithë, por motivet janë

Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, pranoi sot publikisht se dokumentacioni që lidhet me transferimin e Erion Veliajt nga Durrësi në Fier është i klasifikuar. Por gjatë raportimit në komisionin parlamentar, ajo nuk shpjegoi mbi çfarë vlerësimi konkret ishte marrë ky vendim dhe përse arsyet e transferimit duhej të mbeteshin të fshehta.

E pyetur nga deputeti Erald Kapri, Bodo deklaroi se urdhrat e transferimit klasifikohen në nivelin “i kufizuar” për dy vjet, ndërsa raportet, memorandumet dhe vlerësimet individuale të sigurisë mbahen sekret për dhjetë vjet.

Por pikërisht këtu lind problemi. Transferimi i Veliajt nuk ishte një operacion i panjohur. Largimi i tij nga burgu i Durrësit dhe dërgimi në Fier u bënë publikë menjëherë dhe u pasuan nga reagime politike, deklarata të avokatëve dhe një vizitë e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.

Pra, nuk është destinacioni i Veliajt ai që po mbahet sekret. Janë arsyet që çuan në vendimin për ta transferuar.

E mesa duket, edhe drejtoresha e re e Burgjeve, pikërisht se është e re, ka rënë brenda me këmbët e veta. Një urdhër transferimi e ka cilësuar “sekret”, ndërkohë që e ka marrë vesh sakaq i gjithë publiku. E ndërkohë ajo ka veshur me tisin e “sekretit” edhe arsyet, që sipas saj e shtynë ta cilësonte si të tillë.

Pra, zonja drejtoreshë, me këtë gjest, ia ka fshehur publikut po e po, por edhe vetë të interesuarit këto arsye, duke i hequr atij edhe të drejtën ligjore për t’i kundërshtuar, sa kohë që ai nuk ka qenë dakord me transferimin.

Nëse ka arsye serioze sigurie (të jetës, shëndetit, rendit publik apo sigurisë kombëtare), ndoshta me gjasë edhe vetë Erion Veliaj do të ishte i interesuar të transferohej në një burg tjetër. Kush do të ishte ai i paraburgosur që, nëse do t’i ishte bërë e ditur ligjërisht që jeta, shëndeti, do t’i rrezikohej nëse do të vazhdonte të mbahej në paraburgimin Durrës, do të donte të rrinte ende atje?

Por “sekreti”, nga ana tjetër, shërben edhe si tis errësire për të mos zbuluar edhe variantin tjetër, pra që nuk ka ekzistuar kurrëfarë rreziku për jetën, shëndetin, rendin apo sigurinë kombëtare. Në këtë variant, transferimi do të ishte një akt në kundërshtim me ligjin. E si i tillë, i kundërshtueshëm në çdo rast e kohë.

Duke e veshur me tisin e “sekretit”, asgjësohet mundësia ligjore për të zbuluar, qoftë nga publiku, por sidomos nga i interesuari, se transferimi i tij të jetë bërë në abuzim të ligjit, të themi thjesht për një hakmarrje të kryeministrit ndaj tij.

Ligji nr. 81/2020, në nenin 78, përcakton rastet kur mund të transferohet një i burgosur dhe i njeh drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve kompetencën për të nxjerrë urdhrin përkatës. Por kompetenca për të urdhëruar një transferim nuk përbën automatikisht justifikim për sekretimin e dokumentacionit që e mbështet atë.

Nga ana tjetër, ligji nr. 10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”, përcakton kush mund ta klasifikojë një informacion dhe kushtet në të cilat ai mund të mbrohet si sekret shtetëror. Klasifikimi duhet të lidhet me interesat e sigurisë kombëtare dhe jo thjesht me vullnetin e titullarit të një institucioni.

Bodo nuk sqaroi se cili ishte autoriteti dhe vlerësimi konkret mbi bazën e të cilit u klasifikuan dokumentet e rastit Veliaj, çfarë rreziku do të sillte publikimi i motiveve të transferimit dhe nëse vendimi ishte mbështetur në një raport apo rekomandim të strukturave përgjegjëse të sigurisë.

Këto pyetje marrin peshë të veçantë për shkak se vetë Veliaj e ka kundërshtuar transferimin, duke e cilësuar si një veprim me motive politike.

Drejtoresha e Burgjeve nuk dha përgjigje të drejtpërdrejtë as për verifikimin e takimit të ministrit Gogu me Veliajn në burgun e Fierit, duke kërkuar që deputeti t’i drejtohej institucionit me shkresë zyrtare.

Lexo gjithashtu

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme