
Partia Demokratike ka zgjedhur një strategji që i ngjan më shumë një "bojkoti me korrespodencë".
Ditën e sotme, gjatë konstituimit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të reformës administrativo-territoriale, karriget e caktuara për opozitën mbetën tërësisht të zbrazëta. Ky refuzim erdhi si reagim ndaj faktit se PS-ja, pasi e prishi komisionin bipartizan, e miratoi e vetme hartën e re administrative — një lëvizje që opozita e konsideron si një tradhëti të drejtpërdrejtë ndaj procesit konsensual.
Mirëpo, kjo "tradhëti" e së shkuarës duket se nuk përbën asnjë pengesë apo problem për PD-në kur vjen puna te reforma zgjedhore.
Vetëm 30 minuta më pas, përfaqësuesit e opozitës futen normalisht në tryezë për t'u ulur "gju më gju" me përfaqësuesit e mazhorancës së Edi Ramës.
Ndërsa te Territorialja zgjodhën të mungojnë në shenjë proteste, te Zgjedhorja opozita u shfaq e gatshme për dialog me Damian Gjiknurin, duke zbatuar kështu një qëndrim selektiv me dy standarde brenda të njëjtës ditë parlamentare.






















