Nga Vlora Hyseni te Esmeralda Hasani. Kryeministri Edi Rama pritet të zgjedhë sërish një ish-këshilltare të tij për drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit, këtë herë për të zëvendësuar Vlora Hysenin, e cila ndodhet nën masë sigurie për shkak të hetimeve të SPAK.
VNA ka mësuar se gjatë javës së ardhshme, kryeministri Edi Rama pritet të propozojë Esmeralda Hasanin për postin e drejtoreshës së SHISH, duke ia përcjellë emrin Presidentit Bajram Begaj për dekretim.
Por emërimi i pritshëm ka një veçori. Hasani nuk është një emër i panjohur për Vlora Hysenin. Sipas raportimeve mediatike, dy gratë kanë marrëdhënie miqësore dhe ka qenë pikërisht ish-drejtoresha e SHISH që e ka emëruar Esmeralda Hasanin në krye të Departamentit Mbështetës të institucionit, pak kohë përpara se të përballej me hetimet e SPAK.
Kështu, Rama pritet të zëvendësojë Hysenin me një person që vetë Hyseni e kishte afruar në strukturat drejtuese të shërbimit sekret.
Esmeralda Hasani është juriste, pedagoge universitare dhe eksperte në menaxhimin e projekteve dhe financimeve ndërkombëtare. Ajo ka drejtuar institute kërkimore, ka punuar në administratën shtetërore dhe ka shërbyer si konsulente e lartë pranë Zyrës së Kryeministrit.
Karriera e saj e dokumentuar publikisht lidhet kryesisht me arsimin, të drejtën europiane, projektet ndërkombëtare dhe administratën, ndërsa nuk rezulton një përvojë e gjatë në drejtimin e operacioneve të inteligjencës. Madje, ende nuk është bërë e ditur data e saktë kur ajo është emëruar në SHISH nga Vlora Hyseni.
Por një dokument zyrtar italian ngre një tjetër pikëpyetje për kandidaturën e saj.
Më 20 janar 2026, Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) miratoi një procedurë konsulence në emër të Esmeralda Hasanit, për asistencë teknike pranë Zyrës së Kryeministrit shqiptar. Kontrata parashikonte një angazhim nga 5 janari deri më 31 dhjetor 2026, me vlerë 46.200 euro bruto.
Dokumentet italiane tregojnë se marrëdhënia e saj me këtë program konsulence kishte nisur që në vitin 2021 dhe ishte rinovuar në vitet pasuese.
Pikërisht këtu lind një çështje që kërkon sqarim. Nëse Vlora Hyseni e ka emëruar Hasanin në SHISH gjatë vitit 2026, a vazhdonte kjo e fundit të ishte njëkohësisht pjesë e projektit të financuar nga agjencia shtetërore italiane?
A është ndërprerë kontrata me AICS në momentin e emërimit në SHISH, apo Hasani ka vijuar të marrë pagesa nga kjo agjenci? A e ka deklaruar këtë marrëdhënie kontraktuale gjatë verifikimit të sigurisë dhe a ka marrë autorizim për ushtrimin e një aktiviteti tjetër të paguar?
Ligji nr. 9367/2005, për parandalimin e konfliktit të interesave, parashikon kufizime për angazhimet e tjera profesionale të funksionarëve publikë, ndërsa ligji nr. 9357/2005, për statusin e punonjësit të SHISH, rregullon detyrimet e personelit të shërbimit sekret. Për funksionet që kanë akses në informacion të klasifikuar zbatohen edhe kërkesat e ligjit nr. 10/2023.
Një kontratë konsulence me një agjenci të një shteti partner si Italia nuk përbën në vetvete shkelje ligjore. Megjithatë, nëse ka pasur mbivendosje të saj me funksionin drejtues në SHISH, duhen verifikuar kufizimet ligjore, deklarimi i interesave dhe autorizimet përkatëse.
Dhe pikëpyetja bëhet edhe më e rëndësishme tani që Hasani përflitet si drejtuese e ardhshme e shërbimit sekret. A është mbyllur marrëdhënia e saj financiare me agjencinë italiane? A është vlerësuar kjo marrëdhënie në procedurën e sigurisë? Kush e ka kryer verifikimin e figurës së saj dhe a është shqyrtuar përputhshmëria e angazhimeve profesionale me funksionin që pritet të marrë?
Për Edi Ramën, zgjedhja e drejtuesit të ri të SHISH vjen pas një prej goditjeve më të rënda që ka marrë institucioni. Vlora Hyseni, të cilën vetë kryeministri e propozoi në mars 2023 dhe e mbrojti publikisht për referencat e saj ndërkombëtare, përfundoi nën hetim nga SPAK për dyshimet e nxjerrjes së informacionit sekret dhe përkrahjes së Ergys Agasit.
Në shtator 2026, Rama deklaroi se Hyseni kishte hyrë në një borxh të madh moral me vendin, duke kujtuar se emërimi i saj ishte mbështetur edhe në referencat që ai i cilësoi të shkëlqyera nga partnerët ndërkombëtarë.
Tani, vetëm pak javë më vonë, emri i përfolur për ta zëvendësuar është ai i një tjetër ish-bashkëpunëtoreje të Kryeministrisë, e cila, sipas mediave, është afruar në SHISH nga vetë Hyseni.
Përpara se të marrë drejtimin e institucionit që administron sekretet më të rëndësishme të shtetit shqiptar, Esmeralda Hasani ka disa pikëpyetje për të sqaruar: kur ka nisur punë në SHISH, çfarë përvoje ka në inteligjencë, kur ka përfunduar marrëdhënia e saj kontraktuale me agjencinë italiane dhe nëse kjo marrëdhënie është verifikuar për konflikt të mundshëm interesi apo papajtueshmëri me detyrën.
Ndërsa për kryeministrin Edi Rama mbetet një pyetje tjetër: pas asaj që ndodhi me Vlora Hysenin, mbi çfarë kriteresh dhe garancish sigurie do të mbështetet zgjedhja e pasardhëses së saj?
Sepse nga Hyseni te Hasani nuk ndryshon vetëm një shkronjë në mbiemër. Nëse kandidatura konfirmohet, në krye të SHISH do të vijë një tjetër ish-këshilltare e Ramës, e emëruar më parë në institucion nga drejtuesja që po zëvendëson.
Dhe këtë herë, përpara se të firmoset dekreti, ndoshta duhet të marrin përgjigje pyetjet që zakonisht bëhen vetëm pasi shpërthen skandali.






















