Qeveria ka miratuar hartën e re territoriale, por projektbuxheti i vitit 2027 vijon të shpërndajë fonde sipas ndarjes së vjetër administrative. Plot 15 bashki që pritet të zhduken si njësi më vete do të kenë në dispozicion rreth 6 miliardë lekë, ndërsa mbetet e paqartë se si do të administrohen paratë, kontratat dhe detyrimet e tyre pas riorganizimit.
Në total, pushteti vendor pritet të administrojë 114.6 miliardë lekë, nga të cilat 58.6 miliardë do të sigurohen nga të ardhurat e veta dhe 56 miliardë nga mbështetja e buxhetit të shtetit.
Por ajo që bie në sy është fakti se rreth 6 miliardë lekë janë parashikuar për 15 bashki që do të humbasin statusin e tyre si njësi administrative më vete. Maliqi rezulton me rreth 797 milionë lekë, Divjaka me 575 milionë, Përrenjasi me 486 milionë dhe Cërriku me 452 milionë lekë.
Financimi i këtyre bashkive deri në momentin e shkrirjes është i nevojshëm për vazhdimësinë e shërbimeve publike. Megjithatë, pikëpyetjet lindin për periudhën pas zgjedhjeve vendore, kur administrimi i territorit dhe i fondeve do t'u kalojë bashkive që do t'i përthithin.
Kush do të vendosë për miliardat e mbetura në llogaritë e bashkive që do të shkrihen? A do të transferohen automatikisht fondet, apo do të nevojiten vendime të reja për rishpërndarjen e tyre? Çfarë do të ndodhë me tenderët e hapur, kontratat e nënshkruara dhe investimet e nisura, por të papërfunduara.
Një tjetër çështje lidhet me detyrimet financiare që bashkitë mund të kenë ndaj operatorëve privatë. Nëse një bashki ka borxhe të papaguara apo kontrata shumëvjeçare, kush do ta marrë përsipër përgjegjësinë financiare pas shkrirjes së saj?
Po aq e rëndësishme është edhe mënyra se si do të kontrollohen shpenzimet gjatë muajve të fundit të funksionimit të këtyre njësive. A do të vendosen kufizime për lidhjen e kontratave të reja apo marrjen përsipër të detyrimeve financiare përpara kalimit te bashkitë e tjera? Në mungesë të rregullave të qarta, ekziston rreziku që bashkitë pritëse të trashëgojnë angazhime financiare për të cilat nuk kanë marrë vetë vendime.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, e ka cilësuar vitin 2027 si një periudhë tranzicioni për pushtetin vendor, duke theksuar nevojën për koordinim dhe përgatitje të administratave. Por mbetet për t'u sqaruar se cilët do të jenë mekanizmat konkretë për transferimin dhe kontrollin e fondeve.
Problemi nuk është pse buxheti financon bashki që ende ekzistojnë ligjërisht, por sa transparente do të jetë mënyra e administrimit të parave në momentin kur ato të pushojnë së ekzistuari si institucione më vete.
Reforma territoriale nuk ndryshon vetëm kufijtë administrativë. Ajo prek drejtpërdrejt buxhetet, pronat, investimet, kontratat dhe detyrimet ndaj qytetarëve e bizneseve.
Për këtë arsye, përtej shifrave të projektbuxhetit, qeveria duhet të sqarojë se si do të kryhet bilanci përfundimtar financiar i 15 bashkive dhe kush do të mbajë përgjegjësi për përdorimin e fondeve publike gjatë tranzicionit.
Sepse pyetja që mbetet pa një përgjigje të detajuar është: kur 15 bashkitë të zhduken nga harta administrative, kush do të japë llogari për paratë që ato kanë administruar?






















