
Pavarësisht deklaratave publike të Kryeministrit Edi Rama se u ka kërkuar dorëheqjen të gjithë drejtorëve të administratës, drejtuesit e institucioneve publike po vijojnë normalisht detyrën, duke e kthyer këtë nisëm në një "lojë" pa pasoja zyrtare.
Përplasja më e fundit administrative u regjistrua gjatë diskutimit të buxhetit, ku deputeti i Partisë Demokratike, Isuf Çela, pyeti drejtoreshën e Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo, lidhur me statusin e saj zyrtar:
"A ju pranua dorëheqja nga kryeministri? Ai jua ka kërkuar të gjithë drejtorëve. Dua të di nëse do të jeni ju që do ta ekzekutoni buxhetin 2027 që po kërkoni."
Nga ana e saj, kryedrejtoresha e Burgjeve i doli plotësisht jashtë narrativës politike të dorëheqjeve masive, duke u përgjigjur shkurt dhe ftohtë:
"Jam emëruar me vendim të Këshillit të Ministrave. Për çdo ndryshim të këtij vendimi, konsultohuni me QBZ-në (Qendrën e Botimeve Zyrtare)."
Përgjigjja e saj nxjerr zbuluar pasigurinë ligjore të deklaratave politike për "dorëheqje të mbledhura": përsa kohë në Qendrën e Botimeve Zyrtare nuk ka asnjë vendim të ri, drejtorët e kërkuar për të ikur vazhdojnë të mbrojnë e të ekzekutojnë buxhetet shtetërore me kompetenca të plota.






















