
Partia Demokratike duket se ka vendosur të përdorë dy standarde për dy reforma që kërkojnë bashkëpunimin mes mazhorancës dhe opozitës. Ndërsa te Reforma Territoriale demokratët kanë zgjedhur bojkotin, duke akuzuar socialistët për prishjen e marrëveshjes dhe të procesit konsensual, te Reforma Zgjedhore e njëjta mazhorancë nuk përbën pengesë për t'u ulur në tryezën e diskutimeve.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka dalë të justifikojë qëndrimin e opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore, duke i vendosur kushte Partisë Socialiste dhe duke kërkuar respektimin e rregullave të bashkëvendimmarrjes. Por në këtë qëndrim duket se mungon një element jo pak i rëndësishëm: përvoja e komisionit tjetër, atij të Reformës Territoriale, ku bashkëpunimi me socialistët përfundoi në përplasje dhe bojkot.
Pra, për Reformën Territoriale, PD-ja e konsideron të pamundur bashkëpunimin me socialistët, ndërsa për Reformën Zgjedhore zgjedh të ulet përballë tyre, me shpresën se këtë herë mazhoranca do të respektojë rregullat e lojës.
Berisha ka akuzuar bashkëkryetarin socialist të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, se po tenton të përcaktojë në mënyrë të njëanshme axhendën, duke anashkaluar përfaqësuesin e opozitës.
“Në kundërshtim me ligjin, vendimin e Parlamentit për Komisionin e Reformës Zgjedhore, ka përcaktuar në mënyrë të njëanshme axhendën për të hedhur në erë komisionin. Vendmmarrja në komision është me veto. Vegla e Ramës, Damian Gjiknuri, pa votën e bashëkryetarit tjetër kërkon të miratojë axhendën, që pala jonë nuk e pranon pasi janë vendosur pika për Reformën Territoriale”, deklaroi Berisha.
Pra, sipas vetë Berishës, socialistët po tentojnë të imponojnë axhendën dhe të shkelin parimin e vendimmarrjes me konsensus. Megjithatë, ndryshe nga rasti i Reformës Territoriale, kjo akuzë nuk është shoqëruar me një vendim për t'u larguar nga tryeza e Reformës Zgjedhore.
Madje, Berisha ka shkuar edhe më tej, duke përcaktuar vijat e kuqe të opozitës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ai ka kërkuar lista plotësisht të hapura si për zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe për këshillat bashkiakë, duke e cilësuar këtë një kusht të panegociueshëm.
“Ata refuzojnë që listat për këshilltarët e bashkive të jenë të hapura. Kjo është një kërkesë e të gjitha partive politike opozitare. Ne në mënyrë kategorike nuk pranojmë asnjë listë veç asaj të hapur, për këshilltarë dhe listë plotësisht të hapur për Parlamentaret”, u shpreh kreu demokrat.
Kërkesa për lista të hapura është një çështje që meriton debat dhe transparencë, por ajo që bie në sy është kontradikta politike në raport me pjesëmarrjen në dy komisionet parlamentare.
Nga njëra anë, demokratët refuzojnë të marrin pjesë në procesin e Reformës Territoriale, duke argumentuar se socialistët kanë cenuar besimin mes palëve. Nga ana tjetër, i njëjti mosbesim duket se lihet përkohësisht mënjanë kur në diskutim është Reforma Zgjedhore.
Nëse socialistët nuk janë partnerë të besueshëm për Reformën Territoriale, çfarë i bën ata të besueshëm për Reformën Zgjedhore?






















