Politika 22 May 2025, 18:15 Nga VNA

Simbolik apo thelbësor? Rreziku i përfaqësimit të grave në Kuvendin e ri

Ndaje në Whatsapp
Simbolik apo thelbësor? Rreziku i përfaqësimit të grave

Në parlamentin e ri pritet të hyjnë 50 deputete gra ose më shumë se 1/3 e Kuvendit – një shifër e mirë statistikore për të cilën aktivistet e të drejtave të grave apelojnë që të mos mbetet në nivelin e përfaqësimit simbolik.

Në legjislaturën e re parlamentare që nis në shtator, pritet që të ulen 50 deputete gra që fituan mandatin në zgjedhjet e 11 majit, pas garës së realizuar prej tyre në listat e mbyllura dhe të hapura.

Numrin më të lartë të përfaqësimit e ka Partia Socialiste me 35 gra të zgjedhura nga 83 deputetë në total, e ndjekur nga Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” me 13 gra dhe Partia Socialdemokrate me 2 deputete gra nga 3 mandate gjithsej. Në listën e fituesve rezulton dhe një kandidate tjetër grua nga koalicionit “Nisma Shqipëria bëhet”, por sipas një premtimi parazgjedhor, ajo edhe mund të tërhiqet për t’ia lënë vendin Adriatik Lapajt nga lista e hapur. I pyetur nga BIRN nëse ai do të merrte mandatin, Lapaj nuk dha një përgjigje përfundimtare.

Nga pikëpamja numerike, gratë dhe vajzat do të përbëjnë 35 për qind të parlamentit të ri, ose 5 për qind më shumë se sa kuotat e diktuara nga Kodi Zgjedhor për të lehtësuar rrugën e përfaqësimit të grave në politikë. Por për aktivistet e të drejtave të njeriut, përfaqësimi statistikor nuk mjafton, nëse gratë dhe vajzat deputete nuk do të kenë edhe një përfaqësim thelbësor me zërin e tyre në parlament.

“Mbetet një rrezik real që ky të jetë një përfaqësim më shumë simbolik sesa thelbësor,” i tha BIRN Ines Leskaj, drejtuese e Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, AWEN, duke shtuar se “nëse gratë zgjidhen për të plotësuar kuota, por nuk u jepet fuqia reale për të ndikuar në agjendën politike, atëherë progresi mbetet sipërfaqësor”.

Sipas Leskajt, kjo rrezikon të krijojë një iluzion barazie, ndërsa strukturat reale të pushtetit “mbeten të pandryshuara”.

Edhe Irena Shtraza, drejtuese projektesh në UN Women Shqipëri, mendon se ndonëse rritja e përfaqësimit është domosdoshmëri, kjo nuk duhet parë kurrsesi si një përfaqësim simbolik dhe pa fuqi reale.  Shtraza apelon gjithashtu që mandatet e grave në Kuvend të mos shërbejnë vetëm për balancë gjinore.

“Shpresojmë”, thotë ajo, “që të mund të kenë sa më shumë zë e të sjellin një frymë të re në parlament, që shkon në linjë me interesat e qytetarëve e qytetareve dhe tejkalon interesat partiake”.

Përfaqësim real apo zgjatim i partisë?!

Shumica e grave që fituan mandatin e deputetes për katër vitet e ardhshme kanë dalë nga listat e sigurta të partive politike, të caktuara nga kryetarët e partive dhe të kushtëzuara nga dispozitat ligjore që detyrojnë që 1 në 3 kandidatë të jetë grua.

Nga 50 deputete në total, 11 u zgjodhën nga listat e hapura, mes të cilave vetëm Jorida Tabaku nga koalicioni opozitar dhe 10 deputete të tjera nga Partia Socialiste.

Zgjedhja e shumicës së grave nga kryetarët e partive kryesore konsiderohet një element shqetësues nga përfaqësueset e shoqërisë civile, të cilat e vënë theksin te mungesa e demokracisë së brendshme.

“Fakti që shumica e grave janë zgjedhur përmes listave të mbyllura partiake është medalje që ka dy anë,” tha Ines Leskaj, e cila vlerëson faktin që ky sistem ka ndihmuar në shtimin e përfaqësimit të grave.  Por nga ana tjetër, sipas saj, “ai mund të kufizojë pavarësinë e tyre politike, për shkak të varësisë nga lidershipi partiak që kontrollon renditjen në lista”.

“Në këto kushte, rreziku që ato të ndjehen më shumë si zgjatime të vullnetit të partisë sesa si përfaqësuese të interesave të komuniteteve është aty,” sugjeron Leskaj.

Irena Shtraza nga UN Women sugjeron se problemi i pavarësisë politike nuk njeh gjini, por lidhet me demokratizimin e vetë partive.

“Hapësira për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe për të përfaqësuar interesat e elektoratit, nuk njeh gjini,” tha Shtraza, duke shtuar se si gratë, ashtu edhe burrat duhet të punojnë së bashku për të krijuar një sistem politik të ndërtuar mbi bazën e mundësive të barabarta dhe demokracisë”.

“Pa reforma brenda partive dhe pa hapësirë për zgjedhje në mënyrë të pavarur nga elektorati e veprim të pavarur nga të zgjedhurit e zgjedhurat e tyre, përfaqësimi mund të mbetet simbolik, për gratë dhe për burrat njëkohësisht,” theksoi ajo.

Të njëjtin qëndrim ndan edhe Leskaj nga Rrjeti  “AWEN”, e cila nuk i sheh kuotat si mekanizmin fundor për të rritur barazinë reale gjinore në politikë.

“Nëse nuk shoqërohen me demokratizim të brendshëm të partive, transparencë dhe garë të barabartë,  ato (listat e mbyllura) mund të forcojnë kontrollin nga lart-poshtë,” tha Leskaj, ndërsa shtoi se barazia gjinore reale në politikë kërkon mbështetje konkrete për ndërtimin e lidershipit të grave dhe fuqizimit të tyre.

Ndërkohë, Shtraza ngre një tjetër shqetësim për zgjedhjet e 11 majit; mungesën e diversitetit dhe një përfaqësim gjithëpërfshirës edhe brenda grupit të grave të zgjedhura.

“Grupe të caktuara të grave mbeten sistematikisht të përjashtuara nga proceset politike, për shkak të mungesës së mundësive, sidomos gratë me aftësi të kufizuara, gratë rome dhe egjiptiane, gratë e reja dhe gratë në zonat rurale,” theksoi ajo duke iu referuar mosplotësimit të angazhimeve ndërkombëtare që ka ndërmarrë shteti shqiptar./BIRN/

 

Video

Këto janë pamjet e momentit kur Kristian Sterjo, i dyshuari për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë, shoqërohet nga policia drejt furgonit të uniformave blu. Pas disa orësh kërkime, policia ka bërë të mundur kapjen e tij në afërsi të banesës. Sterjo po shoqërohet në komisariat, ku pritet të vijojnë procedurat e mëtejshme hetimore dhe ligjore. Vrasja ndodhi pasditen e sotme në lagjen nr. 14 të Korçës, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.

Këto janë pamjet e arrestimit të Renardo Nallbanit, i shpallur në kërkim prej rreth dy vitesh në kuadër të hetimeve për dosjen e inceneratorit të Tiranës. Nallbani u lokalizua nga shërbimet e Policisë së Vlorës në vilën e tij në Palasë, ku edhe u bë arrestimi. Ai akuzohet për disa vepra penale në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës, ndërsa pas arrestimit pritet të transferohet në Tiranë për vijimin e procedurave ligjore.

Pamje nga vendi i ngjarjes në Korçë, aty ku u vra 20-vjeçari Johan Zuko Këto janë pamjet nga pallati në lagjen 14 të Korçës, ku ndodhi vrasja e 20-vjeçarit Johan Zuko. Sipas informacioneve paraprake, i riu dyshohet se ishte duke u ndjekur nga autori dhe tentoi të fshihej brenda pallatit, por u kap nga autori dhe u qëllua me armë zjarri.

Zjarri i fuqishëm në Krujë, ndërhyrje nga ajri për të ndalur flakët! Këto janë pamjet nga ndërhyrja e një helikopteri që po hedh ujë mbi vatrat e zjarrit në malin e Krujës, në përpjekje për të lokalizuar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre. Situata mbetet kritike në lagjen Abaze, ku rrezikohen rreth 30 banesa. Terreni i vështirë e ka bërë të pamundur ndërhyrjen me mjete në disa zona, ndaj operacioni po vijon nga ajri.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme