“Kam parë protestat në Shqipëri. Çfarë po ndodh?” Me këtë pyetje Dua Lipa hapi bisedën me Lea Ypin në podcastin e saj, duke e kthyer vëmendjen te protestat kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura. Lea Ypi foli për një model zhvillimi që, sipas saj, lidh mbrojtjen e natyrës me demokracinë dhe llogaridhënien, duke argumentuar se Shqipëria nuk duhet të shesë pasuritë e saj natyrore për interesa afatshkurtra. (Instagram)
Edhe zgjedhja e bashkëbisedueses kishte simbolikën e vet. Lea Ypi është autorja, libri i parë i së cilës u promovua publikisht nga Edi Rama në një aktivitet që u përdor gjerësisht si sukses kulturor i qeverisë. Sot ajo është një nga zërat më kritikë ndaj modelit të zhvillimit që ndjek qeveria. Kjo është e drejta e saj dhe askush nuk i kërkon një intelektualeje t’i qëndrojë besnike një pushteti. Por po aq legjitime është pyetja nëse parimet kanë të njëjtën peshë kur je në qendër të vëmendjes së pushtetit dhe kur nuk je më.
Megjithatë, paradoksi më i madh nuk është as podcasti dhe as Lea Ypi.
Paradoksi quhet Kep Merli.
Prej vitesh, Dua Lipa ka blerë një vilë në këtë kompleks ekskluziv. Vila në fakt është ngritur në një zonë të mbrojtur dhe ka kaq pak transparencë sa mund të thuash se është pa leje. Madje ka patur kritika se Edi Rama ja bëri dhuratë lejen pikërisht për ta përdorur famën e saj për të ftuar sa më shumë turistë në Shqipëri. Jo në Kep Merli, sepse atje nuk hyn dot nëse do të bësh plazh si qytetar i thjeshtë. Trau në hyrje është pengesë për ata që s’kanë vila aty apo që nuk njohin ndërtuesin. Madje shume nga frymëzuesit e protestës kalojnë pushimet në këtë vend të privilegjuar duke “plotësuar” këto kushte.
Është një zonë që prej vitesh ka qenë në qendër të debateve për mënyrën si është zhvilluar dhe për kufizimin e aksesit të publikut. Pikërisht për këtë model zhvillimi protestohet sot në Shqipëri.
Askush nuk i mohon Dua Lipës suksesin apo pasurinë e saj. Çështja nuk është nëse ajo mund ta përballojë një vilë. Çështja është nëse mund të flasësh për mbrojtjen e zonave të mbrojtura, ndërsa simboli i pushimeve të tua është një kompleks që për shumë shqiptarë mishëron pikërisht debatin për mënyrën si janë trajtuar ato zona.
Herën tjetër nuk ka pse të lodhen të shpjegojnë protestën. Mjafton ta regjistrojnë podcastin nga Kep Merli. Kamera le të mos fokusohet te të ftuarat, por te panorama. Ajo do ta tregojë shumë më mirë se çdo argument se sa e hollë mund të bëhet vija mes aktivizmit dhe privilegjit.






















