
Një përplasje e fortë institucionale ka shpërthyer mes Gjykatës Kushtetuese dhe Avokaturës së Shtetit, duke nxjerrë në pah krisje të thella sa i përket zbatimit të vendimeve të Strasburgut në Shqipëri. Përmes një reagimi zyrtar të pazakontë dhe me tone të ashpra, Kushtetuesja ka akuzuar hapur Avokaturën e Shtetit për përhapje të elementeve keqinformuese në raportin e saj të fundit të dërguar në Kuvend, duke tentovat të vërë në diskutim integritetin e trupës gjyqësore.
Molla e sherrit është bërë Raporti i Avokaturës së Shtetit i datës 23 qershor 2026, ku pretendohej se Gjykata Kushtetuese ka injoruar rekomandimet e saj, gjë që sipas Avokaturës ka çuar në vijimin e ndëshkimeve të Shqipërisë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) për sa i përket aksesit në gjykatë.
Reagimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë i prerë, duke goditur drejtpërdrejt vërtetësinë e këtij raporti dhe duke e cilësuar atë si një tentativë për dëmtimin e imazhit të saj publik.
"Fakti që reagimi i një institucioni publik përmban elemente keqinformuese dhe është përdorur publikisht për të vënë në diskutim integritetin dhe autoritetin e saj, e bën të nevojshëm këtë sqarim... Gjykata nënvizon domosdoshmërinë e një raportimi të plotë, objektiv dhe të saktë, si dhe shmangien e përfundimeve që krijojnë perceptime të pasakta," deklaron prerazi Gjykata në qëndrimin e saj.
Më tej, trupa kushtetuese i kujton Avokaturës kufijtë ligjorë dhe parimin e ndarjes së pushteteve, duke sqaruar se: "Në respekt të parimit të ndarjes së pushteteve, ndonëse mbetet e hapur për bashkëpunim institucional, Gjykata nuk vihet në lëvizje mbi bazën e rekomandimeve të ndonjë institucioni publik, përfshirë Avokaturën e Shtetit... detyrimi për zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së dhe të jurisprudencës së saj buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta."
Gjykata sqaron në detaje se raporti i Avokaturës bazohet në vendime të vjetra dhe se praktika e llogaritjes së afatit 4-mujor për ankimimet e individëve ka ndryshuar rrënjësisht që prej majit të vitit 2023, pas çështjes Supergrav. Sot, barra e provës për njoftimin e vendimeve nuk i lihet më qytetarit, duke shmangur çdo shkelje të të drejtave të tyre. Po ashtu, sa i përket kritikave për mungesë arsyetimi të vendimeve në të kaluarën, Gjykata kujton se bëhej fjalë për kohën kur ajo funksiononte pa trupë të plotë, ndërsa që nga viti 2021 çdo vendim shoqërohet me arsyetime të detajuara dhe me mendimet e ndara të gjyqtarëve.
Në mbyllje të qëndrimit të saj, Kushtetuesja lëshon një apel të drejtpërdrejtë për profesionalizëm ndaj institucionit që përfaqëson shtetin shqiptar në Strasburg, duke kërkuar më shumë "bashkëpunim luajal" dhe respekt të ndërsjellë për kompetencat.






















