
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka intensifikuar përpjekjet për të koordinuar një reagim ndërkombëtar ndaj asaj që e cilëson si rritje të aktivitetit të ekstremizmit të majtë me lidhje ndërkombëtare.
Në kuadër të kësaj nisme, Departamenti Amerikan i Shtetit ka dërguar në mesin e muajit qershor një kabllogram në më shumë se 20 ambasada amerikane në botë, përfshirë edhe Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, duke kërkuar informacion mbi grupet ekstremiste të krahut të majtë dhe aktivitetet e tyre.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka ftuar përfaqësues të lartë qeveritarë nga mbi 60 vende në një takim që pritet të zhvillohet javën e ardhshme në Uashington. Sipas raportimeve të gazetës “The Washington Post”, konferenca do të përqendrohet te ajo që administrata Trump e përshkruan si “ringjallja e terrorizmit transnacional të ekstremit të majtë”.
Megjithatë, kjo nismë ka shkaktuar debate si brenda administratës amerikane, ashtu edhe mes disa aleatëve evropianë, të cilët nuk e konsiderojnë ekstremizmin e majtë si një nga kërcënimet kryesore për sigurinë kombëtare.
Sipas raportit të “The Washington Post”, disa zyrtarë amerikanë kanë ngritur shqetësime se instrumentet e luftës kundër terrorizmit mund të përdoren për të goditur aktivistë amerikanë të lidhur me lëvizjen antifashiste, e njohur si Antifa.
Në këtë kuadër, koordinatori i administratës amerikane për luftën kundër terrorizmit, Sebastian Gorka, ka diskutuar mundësinë e klasifikimit të Antifës si organizatë terroriste e huaj. Një masë e tillë do t’u jepte autoriteteve amerikane kompetenca më të gjera hetimore, por ekspertët ligjorë vlerësojnë se zbatimi i saj do të ishte i vështirë.
Sipas juristëve dhe ish-zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, ligji amerikan kërkon që një organizatë të ketë bazë jashtë Shteteve të Bashkuara për t’u shpallur “organizatë terroriste e huaj”. Ndërkohë, Antifa konsiderohet një rrjet i decentralizuar, me aktivitet kryesisht brenda territorit amerikan.
Pavarësisht debateve, Departamenti Amerikan i Shtetit ka vijuar komunikimin me ambasadat e tij, nga Amerika Latine deri në Evropë, përfshirë Shqipërinë. Sipas burimeve të cituara nga gazeta amerikane, disa ambasada kanë kthyer përgjigje, por nuk kanë mbështetur domosdoshmërisht vlerësimin e administratës së Trump për nivelin e këtij kërcënimi.
Në takimin e planifikuar për 16 korrik janë ftuar shumica e vendeve evropiane, disa shtete të Amerikës Latine, si dhe vende aziatike si India, Indonezia dhe Singapori.
Disa diplomatë evropianë kanë shprehur habi për përfshirjen e kësaj teme në agjendën ndërkombëtare, duke theksuar se në vendet e tyre ekstremizmi i majtë nuk shihet si një prioritet kryesor i sigurisë kombëtare. Disa prej tyre kanë lënë të hapur mundësinë që ministrat përkatës të mos marrin pjesë në takim për shkak të angazhimeve diplomatike.
Takimi i 16 korrikut pritet të jetë një tjetër sinjal për ndryshimin e qasjes së administratës Trump ndaj çështjeve të sigurisë dhe terrorizmit, ndërsa debati mbi trajtimin e lëvizjeve politike radikale vijon të jetë i pranishëm si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe mes aleatëve të saj.






















