Senati i Shteteve të Bashkuara ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt miratimit të një pakete të re sanksionesh ndaj Rusisë dhe Iranit, në përpjekje për të rritur presionin ekonomik mbi Moskën.
Sipas Bloomberg, senatorët kanë arritur një marrëveshje për një projektligj që i jep presidentit Donald Trump kompetenca të gjera për vendosjen e tarifave të larta ndaj mallrave ruse. Propozimi parashikon tarifa deri në 500 për qind për importet nga Rusia, ndërsa vendet që vazhdojnë të blejnë naftë, gaz ose burime të tjera energjetike ruse mund të përballen me tarifa shtesë deri në 100 për qind.
Burimet e cituara nga Bloomberg bëjnë të ditur se Senati mund ta miratojë projektligjin brenda kësaj jave. Megjithatë, hyrja në fuqi e tij pritet të shtyhet, pasi Dhoma e Përfaqësuesve ndodhet në pushim dhe shqyrtimi i mëtejshëm nuk pritet të nisë para muajit shtator.
Paketa e re synon të godasë të ardhurat që Rusia përfiton nga eksportet e energjisë, si edhe të ushtrojë presion mbi vendet që vazhdojnë marrëdhëniet tregtare me Moskën, pavarësisht sanksioneve të vendosura nga Perëndimi.
Nisma vjen në një moment kur administrata amerikane po kërkon mekanizma të rinj për të rritur presionin ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë dhe aktiviteteve të saj në arenën ndërkombëtare.






















