Foto-Lajm 24 Qershor 2025, 16:04 Nga VNA

Sazani, ishulli i shitur familjes Trump, 1 mld dollarë për t'a kthyer në resort luksoz

Ndaje në Whatsapp

  • Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner kanë shpenzuar mbi 1 miliard dollarë për një ishull shqiptar që do të kthehet në një resort luksoz – sapo të pastrohet nga municionet e pashpërthyera.

Në Sazan, një ishull i vogël pranë brigjeve të Shqipërisë, peizazhi është si nga koha e dinozaurëve. Bimë si fier, livandë gjigande, rozmarinë, shkozë dhe dafinë mbulojnë malin në qendër të ishullit. Pamja nga maja është marramendëse, veçanërisht gjatë perëndimit të diellit.

Shqiptarët e quajnë Sazanin “Ishulli i Trampëve". Deri më tani ka mbetur pothuajse i paprekur nga zhvillimi, por është gati të kthehet në një epiqendër të turizmit ultra-luksoz – një shtesë tjetër në portofolin e pronave të Ivanka Trump dhe Jared Kushner.

Në një intervistë në podcast-in e Lex Fridman në korrik 2024, Ivanka mezi e fshihte entuziazmin: “Po punoj me burrin tim, kemi këtë ishull 1,400 hektarësh në Mesdhe dhe po sjellim arkitektët dhe markat më të mira,” tha ajo. “Do të jetë diçka jashtëzakonisht e veçantë.”

Kur fola me Kushner në të njëjtin muaj, e ndjeja qartë entuziazmin për Sazanin, të cilin ai e konsideronte si një thesar. “Dua të krijoj resortin ideal ku do të doja të isha me familjen dhe miqtë e mi,” tha ai.

Para se t'a vizitoja, më magjepste ideja e të përshkuarit të rrugëve malore të ishullit, eksplorimit të shpellave dhe plazheve me emra si Gjiri i Parajsës, Gryka e Ferrit, Gjiri i Djallit dhe Plazhi i Admiralit. Doja t'a shihja para se fraza “Po shkoj në Sazan” të bëhej privilegj i të pasurve.

Kur shkova atje, në një ditë të kthjellët në korrik 2024, kuptova që ishulli nuk të lejon të humbësh – është i mbuluar me tabela që paralajmërojnë për mina tokësore. Udhërrëfyesi im, Arbër Celaj, komandant në marinën shqiptare, më ndaloi të shkoja shumë larg. Nuk donte të merrte ndonjë qortim nga eprorët e tij.

Sazani ndodhet mes Detit Adriatik dhe Detit Jon, në hyrje të Gjirit të Vlorës, përballë Italisë. Por, siç shpjegon Celaj, “Klima këtu nuk është mesdhetare – është subtropikale. Shih vegjetacionin. Biodiversiteti është i çmendur.” Ishulli ngjan si i krijuar në kompjuterët e Spielberg – një xhungël me lisa gjigantë, dushqe, pisha bregdetare dhe bredha të zi.

Meqë nuk mund të dilja nga rruga e caktuar, u kënaqa me pamje të fragmentuara të fushave me fierë të rrallë dhe luginave me bar të lartë që zbresin drejt ujërave të kaltërta. Ishte si të shihje tokën në lindje të kohës. Edhe Kushner kishte mbetur pa fjalë kur e pa për herë të parë në 2021: “U habita që një vend i tillë ekzistonte në zemër të Mesdheut dhe nuk ishte zhvilluar.” Miratimi paraprak për projektin u dha nga qeveria shqiptare më 30 dhjetor 2024.

Bisedova për herë të fundit me Kushner dhe bashkëpunëtorin e tij Asher Abehsera, CEO i Affinity Global Development, në korrik 2024. Zëdhënësi i firmës Affinity Partners, me qendër në Miami, nuk iu përgjigj pyetjeve për përditësime mbi projektin.

Ironikisht, natyra e Sazanit është ruajtur falë komunizmit. Nga 1946 deri në 1991, Shqipëria ishte si “Koreja e Veriut e Europës”, dhe Sazani u kthye në një fortesë ushtarake të izoluara. Ishte i paprekshëm – një bazë me strehimore, shkollë, spital, teatër dhe shtëpi për rreth 150 familje ushtarake.

Duke ecur nëpër ishull, pamë strehimore dhe tunele për furnizime dhe municione – 10 milje në total, sot të banuara nga lakuriq nate, nepërka dhe lepuj të egër. Ka rreth 3,600 bunkerë, që disa prej tyre do të ruhen dhe përfshihen në projektin e ri, sipas Kushner.

Për shenjat e minave, Celaj shpjegon: “Nuk janë mina në kuptimin klasik – janë municione të pashpërthyera nga vitet ’90, kur grabitës armatosur sulmuan ishullin dhe plaçkitën depot.” Ajo ishte “lufta” që priste regjimi – por armiqtë erdhën me varka të vogla, flisnin shqip dhe nuk ishin nga NATO apo Traktati i Varshavës.

Sot ishulli kontrollohet nga ushtria shqiptare dhe patrullohet nga tre marinarë. Porti ku Affinity planifikon ndërtimin e marinës për jahtet është Gjiri i Shën Ndreut.

Shqipëria është shndërruar në një destinacion turistik në rritje falë kryeministrit Edi Rama, i cili i tha gazetarit: “Shqipëria nuk mund të mos e shfrytëzojë një dhuratë si Sazani… kemi nevojë për turizëm luksoz siç ka nevojë shkretëtira për ujë.”

Sipas Kushnerit, Rama është “partner i shkëlqyer” dhe shumë vizionar. “Po ndërtojnë edhe një aeroport aty pranë,” tha ai, duke iu referuar zonës së Vlorës.

Por Shqipëria nuk është synimi i vetëm. Kushner është i interesuar edhe për Serbinë, ku Affinity planifikon të kthejë ish-Ministrinë e Mbrojtjes në Beograd në një hotel luksoz. Ndërmjetësi është ish-ambasadori amerikan Richard Grenell, që shërbeu si i dërguari special për paqen Kosovë-Serbi. Ai tani është partner në Affinity.

Presidenti serb Aleksandar Vučić, që ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe ka mirëpritur presidentin kinez Xi Jinping në 2024, përpiqet të manovrojë midis Perëndimit dhe Lindjes. Rama, ndërkohë, i tha gazetarit se investimet amerikane mund të ndihmojnë në tërheqjen e Serbisë drejt Perëndimit dhe larg ndikimit rus.

Kushner mohoi se kishte ndikuar për zhvillimin e Sazanit gjatë kohës që ishte në qeveri. “As nuk e kam takuar Ramën atëherë,” tha ai. “Por edhe po ta kisha takuar, s’është konflikt interesi.”

Marrëveshja për shitjen e Sazanit u mbajt sekret deri në publikimin në media. As qytetarët, as deputetët nuk ishin informuar për vlerën prej 1.4 miliardë dollarësh.

Ministrja shqiptare e Turizmit, Mirela Kumbaro, mbrojti marrëveshjen: “Nuk mund të konkurrojmë me Italinë, Kroacinë dhe Greqinë për turizëm masiv. Duhet të fokusohemi te cilësia – më shumë fitim, më pak telashe.”

Pothuajse 12 milionë turistë vizituan Shqipërinë në 2024 – një rritje prej 15%. “Është shumë për ne, dhe shumë ndotje,” tha Kumbaro. “Sazani është rruga e duhur: natyrë dhe turizëm luksoz.”

Por ambientalistët si Olsi Nika, biolog detar dhe drejtor i EcoAlbania, janë të shqetësuar: “Kjo zonë është pjesë e parkut kombëtar detar Karaburun-Sazan. Çfarë ndikimi do të kenë ndërtimet, jahtet dhe ujërat e zeza në këtë habitat?”

Abehsera tha që Affinity ka angazhuar firmën globale Arup si konsulente për zhvillimin e qëndrueshëm.

Kushner shtoi: “Kur shpallet një zhvillim, të gjithë frikësohen. Por kur të shohin planet tona, do të jenë të kënaqur. Edhe pse, me projekte të tilla, nuk i kënaq dot të gjithë.”

Në një drekë në Vlorë, Abehsera përshkroi hotelin si “një xhevahir në Mesdhe”, një vend për ata që pyesin: “Çfarë nuk kam parë ende?” Ai premtoi një dizajn që do të integrohet me natyrën, ndërtesa të cilat “ndihen si të fshehura në pemë”.

Kur e pyeta nëse ishulli do të mbetet i hapur për publikun dhe vendasit, ai tha: “Mendoj se të gjithë duhet të kenë mundësi ta vizitojnë.”

Kurse Kushner ishte më skeptik: “Po krijojmë një produkt shumë luksoz… por ka zona që mund të zhvillojmë për t’i dhënë mundësi publikut të vizitojë, të shijojë ushqimin dhe natyrën.”

Në fund, më kujtohet ajo që më tha Celaj: Dikur ushtarët raportonin se shihnin një gomar gri të vogël mes fikëve të egër në një luginë. Pastaj zhdukej. Nuk dihet nëse ishte legjendë apo realitet – por ndoshta, siç zhdukej gomari, kështu po zhduket edhe misteri i fundit i egër i Mesdheut. Nuk u qëllua asnjë plumb. Mjaftoi që Ivanka Trump dhe Jared Kushner të zbrisnin nga helikopteri dhe të thoshin: “Uau!”

Nga Marzio Mian (Ky artikull u publikua fillimisht në “Reportagen” dhe “The Dial". Marrë nga "The Guardian" )

Video

Përplasje shpërthyese dhe akuza të forta brenda Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Audioja më poshtë, e siguruar nga mbledhja e zhvilluar më 30 prill, zbulon tensione të pazakonta mes anëtarëve të KLP-së, ku debatet degraduan në tone të ashpra dhe përplasje të drejtpërdrejta. Në qendër të konfliktit ishte kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, dhe anëtari Sokol Stojani, të cilët u përplasën fort për vendimin e marrë më 2 prill lidhur me hapjen e vendeve vakante në institucion. Bogdani kërkoi rikthimin e çështjes për rishqyrtim, ndërsa Stojani e kundërshtoi ashpër këtë lëvizje, duke ndezur një debat që përfshiu më pas edhe anëtarë të tjerë të Këshillit.

Panik dhe alarm në aeroportin “Eleftherios Venizelos” në Athinë, pasi një avion Airbus A321 i kompanisë Lufthansa me 177 pasagjerë dhe 7 persona të ekuipazhit u detyrua të kryente ulje emergjente për shkak të një problemi teknik. Sipas mediave greke, problemi teknik u konstatua gjatë fluturimit, ndërsa rreth orës 18:35 piloti kërkoi kthim emergjent në aeroportin “Eleftherios Venizelos”. Ulja u realizua pa probleme, megjithatë menjëherë pas ndalimit të avionit u aktivizuan procedurat e evakuimit emergjent. Stjuardesat hapën dyert e avionit, aktivizuan rrëshqitëset fryrëse të emergjencës dhe u kërkuan pasagjerëve të largoheshin sa më shpejt nga kabina siç pasqyrohet edhe në një video që po bën xhirron e mediave greke. Sipas autoriteteve greke, si ekuipazhi ashtu edhe të gjithë pasagjerët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Gjatë evakuimit pati dy lëndime të lehta.

Një video e jashtëzakonshme e publikuar nga NASA tregon momentet kur astronautët e misionit Artemis II eksperimentojnë me një pikë uji brenda kapsulës Orion, duke shfrytëzuar kushtet e mikrogravitetit gjatë udhëtimit historik rreth Hënës. Në videon e publikuar, një pikë uji shihet duke formuar një sferë pothuajse perfekte që noton lirshëm në kabinë. Astronauti Jeremy Hansen, për herë të parë në hapësirë, shihet duke vëzhguar sferën transparente, ku reflektimi i tij shfaqet i përmbysur për shkak të thyerjes së dritës. Më pas ai e manipulon me kujdes sferën e ujit përmes një kashte, duke e lënë sërish të notojë në mikrogravitet. NASA shpjegon se ky fenomen ndodh për shkak të mungesës së gravitetit, ku forcat e tensionit sipërfaqësor bëjnë që uji të marrë formën më të qëndrueshme, atë të një sfere.

Një ngjarje e rëndë ndodhi në Gaziantep, ku një 31-vjeçar dhe një grua morën peng një shofer taksie nën kërcënimin e armës dhe tentuan të arratiseshin nga policia. Gjatë ndjekjes, autori hapi zjarr ndaj policisë nga brenda taksisë, ndërsa shoferi 58-vjeçar shfrytëzoi momentin për t’i marrë armën dhe për ta çarmatosur. Menjëherë më pas, policia ndërhyri dhe arrestoi dy autorët. Shoferi mbeti i plagosur lehtë në gisht, ndërsa hetimet për ngjarjen vazhdojnë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme