Politika 3 July 2026, 11:23 Nga VNA

Rama: Zemërimi i qytetarëve është i drejtë, por protesta ka rënë në duart e “dështakëve”

Ndaje në Whatsapp
Rama: Zemërimi i qytetarëve është i drejtë, por

Kryeministri Edi Rama komentoi për herë të parë në mënyrë të zgjeruar protestat që prej më shumë se një muaji zhvillohen në bulevard, duke bërë dallimin mes, sipas tij, shqetësimeve reale të qytetarëve dhe asaj që e cilësoi si “pjesa e zhurmshme” e tubimeve.

Gjatë fjalës së mbajtur në Edicionin e Tretë të Javës së Administratës Publike, me fokus “Shërbimin Publik për një Shqipëri Europiane”, Rama tha se qeveria është e interesuar të dëgjojë atë që ai e quajti “uji i pastër” i protestës, pra problemet reale të qytetarëve.

“Ne po lexojmë protestën e bulevardit në atë pjesë që ka rëndësinë themelore për ne, që është zëri dhe shqetësimet reale, ajo që unë e quaj uji i pastër i protestës. Nën atë koren e zezë, që është pjesa e dukshme dhe e zhurmshme, janë mbledhur të gjithë dështakët dhe zemërakët e Shqipërisë”, deklaroi Rama.

Për të ilustruar këtë qëndrim, kryeministri rrëfeu historinë e një gruaje të moshuar, e cila kishte marrë pjesë në protestë pasi ishte ndjerë e poshtëruar nga mënyra se si ishte trajtuar në një poliklinikë. Sipas tij, rasti tregon se zemërimi i qytetarëve shpesh lidhet me mungesën e shërbimit dhe të njerëzillëkut në administratën publike.

Rama kritikoi sjelljen e disa punonjësve të sistemit shëndetësor, duke thënë se qytetarët nuk revoltohen vetëm kur nuk u zgjidhet problemi, por kur ndihen të shpërfillur dhe të poshtëruar nga shteti.

“Ndjenja e poshtërimit nga shteti yt, nga njerëzit që paguhen për të të shërbyer ty, është kulmi. Mungesa e njerëzillëkut është një mungesë që njerëzit nuk janë të gatshëm ta tolerojnë”, u shpreh kryeministri.

Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te transformimi i administratës publike, duke theksuar se procesi kërkon kohë dhe se, sipas tij, shërbimi civil ka pësuar një përmirësim të ndjeshëm, megjithëse mbeten ende sfida në mënyrën se si qytetarët trajtohen nga institucionet publike.

Video

Vila e fshehur e Belinda Ballukut në Palasë/ SPAK: Arbër Abazi financoi punimet, bashkëjetuesja e tij i mbikëqyrte.

SPAK zbardh emailet për vilën e fshehur të Ballukut/ Punonjësit e Samir Manes ngritën alarmin: Pse prona e Igli Tares po i dorëzohej Lorela Reçit?

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme