Politika 2 October 2026, 11:01 Nga VNA

Rama “justifikon” në median gjermane arrestimin e Vlora Hysenit me luftën ndaj korrupsionit, pak ditë pasi shpalli ndryshimet në Kodin Penal

Ndaje në Whatsapp

Rama “justifikon” në median gjermane arrestimin e Vlora Hysenit

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur median gjermane WELT për të përcjellë jashtë Shqipërisë versionin e tij për luftën kundër korrupsionit, pikërisht në një moment kur një tjetër zyrtare e lartë e emëruar gjatë qeverisjes së tij, ish-drejtoresha e SHISH-it Vlora Hyseni, është vendosur nën masën e arrestit në shtëpi dhe po hetohet nga SPAK.

Përballë pyetjes së medias gjermane për korrupsionin dhe rastet e zyrtarëve të lartë të përfshirë në çështje penale, Rama deklaroi se Shqipëria ka kaluar nga një vend ku “korrupsioni ishte sistemi” në një vend ku “sistemi lufton korrupsionin”, duke shtuar se vendi ndodhet në “fazën përfundimtare të pastrimit”.

“Shqipëria ishte një vend ku korrupsioni ishte sistemi. Sot Shqipëria është një vend ku sistemi lufton kundër korrupsionit. Jemi në fazën përfundimtare të pastrimit të vendit”, tha Rama.

Një deklaratë që tingëllon optimiste në Berlin, por që përplaset me një realitet shumë më të ndërlikuar në Tiranë.

Vetëm rasti i Hysenit e vendos kryeministrin përballë një kontrasti të fortë politik. Ajo u propozua nga Rama për drejtimin e SHISH-it në vitin 2023, ndërsa vetë kryeministri ka deklaruar se më parë kishte punuar si këshilltare e tij për sigurinë dhe se kishte pasur referenca të shkëlqyera nga partnerët ndërkombëtarë. Sot Hyseni është nën hetim dhe ndaj saj është caktuar masa “arrest në shtëpi” dhe pezullimi nga detyra.

Pra, nëse ky është “pastrimi përfundimtar”, mbetet pyetja se si ka mundësi që pas 13 vitesh qeverisjeje, fshesa vazhdon të gjejë punë kaq pranë zyrës së kryeministrit.

Rama e paraqet hetimin e zyrtarëve të lartë si provë se sistemi funksionon dhe madje deklaroi për WELT se është krenar që Shqipëria është në gjendje t'i mbajë njerëzit përgjegjës. Por këtu lind edhe kontradikta politike, funksionimi i SPAK-ut nuk e zhduk automatikisht përgjegjësinë politike për njerëzit e përzgjedhur dhe të promovuar nga qeveria.

Rasti i ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku e bën këtë kontrast edhe më të dukshëm. Mazhoranca socialiste doli kundër kërkesës së SPAK-ut për autorizimin e një mase arresti ndaj saj, duke argumentuar se nuk ekzistonte domosdoshmëria ligjore për një masë të tillë. Kështu, ndërsa jashtë vendit Rama prezanton një sistem që nuk kursen askënd, brenda vendit shumica që ai drejton ka përdorur votën parlamentare për të mos autorizuar masën e kërkuar nga Prokuroria e Posaçme.

Edhe iniciativa më e fundit e qeverisë për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale e komplikon narrativën e “luftës pa kompromis”. Shoqata e Prokurorëve ka paralajmëruar se një pjesë e ndryshimeve mund të fragmentojë kompetencat hetimore, të ngadalësojë zbulimin e veprave penale dhe të dobësojë ndjekjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Pra, fotografia që del është pak më e zbehtë sesa ajo e paraqitur në intervistën për median gjermane.

Video

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë zhvilloi mbrëmjen e së premtes pritjen zyrtare të mirëseardhjes për ambasadorin e ri amerikan, Eric Wendt

Misioni Crew-13 i SpaceX ka mbërritur në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) vetëm tetë orë pas nisjes, duke vendosur një rekord të ri amerikan. Në bord ndodheshin katër persona: dy astronautë amerikanë, një kanadez dhe një kozmonaut rus. Koha rekord e udhëtimit dëshmon për përparimin e procedurave të fluturimit dhe ankorimit në stacionin orbital.

Dhuna dhe përplasjet me policinë po shoqërojnë protestat e nxënësve në Francë, ndërsa janë ngritur akuza për përdorim të tepruar të forcës ndaj të miturve. Në disa qytete është përdorur gaz lotsjellës dhe janë raportuar zjarre e incidente mes protestuesve dhe forcave të rendit. Protestat lidhen me mungesën e mësuesve, klasat e mbipopulluara dhe financimin e pamjaftueshëm të arsimit. Autoritetet kanë mobilizuar forca speciale, ndërsa sindikatat paralajmërojnë vazhdimin e protestave.

Ftojmë të gjithë që të vijnë e të na shërbejnë

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme