Politika 1 October 2026, 18:19 Nga VNA

Denoncimet me kalendar: Pse PD i hap dosjet me zhurmë dhe i lë në mes?

Ndaje në Whatsapp
Denoncimet me kalendar: Pse PD i hap dosjet me zhurmë dhe i lë në

Partia Demokratike duket se ka ndërtuar një agjendë të sajën denoncimesh, të shpërndarë në disa fusha ku ndërthuren pushteti, paraja dhe lejet shtetërore: ndërtimet, lejet e ndërtimit, bankat, kazinotë, koncesionet, bizneset që rriten nën hijen e qeverisë dhe personazhet që shfaqen gjithmonë aty ku shteti firmos shpejt, hesht gjatë dhe shpjegon pak.

Në këtë hartë denoncimesh, një pjesë të rëndësishme e ka marrë përsipër deputeti i PD-së, Belind Këlliçi. Brenda pak muajsh, ai ka dalë publikisht me dy çështje të forta: licencimin e “Jet Bank” dhe aferën e pretenduar të kazinosë te “Air Albania”, ku përmendi lidhje me rrethin e Olsi Ramës. Të dyja u paraqitën si skandale të mëdha. Të dyja u shoqëruan me dokumente, pyetje publike, akuza politike dhe thirrje për hetim. Por të dyja, në një moment, u lanë pezull.

Rasti më flagrant është ai i kazinosë. Denoncimi shpërtheu më 28 korrik, kur Këlliçi dhe Berisha dolën publikisht me pretendimin se pas licencës së kazinosë te “Air Albania” fshihej një skemë me kompani, rivlerësim prone dhe lidhje me Olsi Ramën. Sipas denoncimit, një tokë e blerë për rreth 320 mijë euro ishte rivlerësuar në 26 milionë euro dhe më pas ishte përdorur në një skemë që çonte te kontrolli i kazinosë. Të nesërmen, më 29 korrik, Këlliçi e lidhi këtë çështje edhe me ditën e 60-të të protestës së opozitës, duke akuzuar Ramën se kërkonte “besë” nga qytetarët ndërkohë që, sipas tij, familja e kryeministrit përfitonte nga afera të reja. Më 3 gusht, çështja u rikthye me video dhe pyetje të tjera për SPAK.

Pastaj heshtje.

Një denoncim që u paraqit si aferë e rëndë kombëtare zgjati vetëm pak ditë në agjendën politike. U ndez fort, u përdor në podium, u shpërnda në media, prodhoi tituj, dhe më pas u zhduk nga qarkullimi publik si shumë dosje të tjera që opozita i hap me solemnitet dhe i harron me lehtësi. Nëse çështja ishte kaq e rëndë, pse nuk u ndoq deri në fund? Nëse dokumentet ishin kaq komprometuese, pse nuk pati një kalendar të qartë politik, institucional dhe ligjor? Pse nuk u bë presion i vazhdueshëm publik mbi SPAK, mbi institucionet licencuese, mbi kompanitë e përmendura dhe mbi vetë qeverinë?

E njëjta pyetje vlen edhe për “Jet Bank”. Këlliçi e nisi këtë histori që në janar me shkresa zyrtare ndaj Bankës së Shqipërisë. Në prill e bëri denoncim publik, duke ngritur dyshime për strukturën aksionare, për Jet Holdings B.V., për Idan Avishai, Oliver Hemmer dhe lidhje të pretenduara me skema të dyshimta ndërkombëtare. Në maj kërkoi pezullimin e licencës dhe hetim parlamentar. Në qershor e ngriti çështjen sërish në Komisionin e Ekonomisë, përballë Guvernatorit Gent Sejko. Pastaj edhe kjo çështje u zbeh. Nuk pati një finale politike, nuk pati një betejë të qëndrueshme institucionale, nuk pati një ndjekje publike të përditshme deri në sqarimin e plotë të saj.

Kjo është pika ku denoncimi opozitar kthehet në problem më vete. Sepse kur një deputet ngre akuza për banka, kazino, leje, pastrim parash, lidhje me qeverinë apo interesa të familjes së kryeministrit, nuk mund të sillet sikur po lexon një status dite. Ose çështja është reale dhe ndiqet deri në fund, ose bëhet pjesë e atij teatri të njohur ku disa biznese goditen, disa të tjera kursehen, disa emra futen në deklaratë dhe disa të tjerë ruhen me kujdes jashtë saj.

Pyetja është e thjeshtë dhe politike: pse nuk vazhdojnë denoncimet? Pse deputetët e PD-së, kur dalin me dosje të rënda, nuk e çojnë betejën deri në fund? Pse podiumi i Parlamentit përdoret për të sulmuar disa biznese, ndërsa për të tjerë vendoset heshtje elegante? Pse denoncimi ka ritëm fushate, por jo këmbëngulje institucionale?

Kjo nuk është mbrojtje për askënd nga ata që denoncohen. Përkundrazi, nëse pas “Jet Bank”, pas kazinosë te “Air Albania”, pas lejeve të ndërtimit apo pas çdo licence tjetër qëndrojnë interesa të qeverisë, klientelë politike apo para të dyshimta, ato duhen hetuar deri në fund. Por pikërisht për këtë arsye denoncimi nuk mund të përdoret si fishekzjarr politik. Nuk mund të hapësh një çështje si “skandal kombëtar” dhe pas katër ditësh ta lësh në harresë.

Sepse aty lind dyshimi tjetër: a janë këto denoncime për interes publik, apo pjesë e një loje presioni? A janë beteja kundër korrupsionit, apo sinjale të koduara për grupe të caktuara biznesi? A është opozita duke denoncuar sistemin, apo thjesht duke zgjedhur se cilën derë do të trokasë më fort dhe cilën do ta lërë të qetë?

Belind Këlliçi dhe PD kanë të drejtë të ngrenë çdo dyshim mbi mënyrën si qeveria jep licenca, leje, koncesione apo privilegje. Madje kjo është detyrë e opozitës. Por kur denoncimet nisin me bujë dhe mbyllen pa shpjegim, ato nuk prodhojnë më transparencë. Prodhojnë mjegull. Dhe në mjegull, siç dihet, nuk fshihet vetëm pushteti. Fshihet edhe opozita kur nuk do të japë përgjigje për pyetjen më të thjeshtë: pse e latë në mes?

Video

Një vizitor i pazakontë ka tërhequr vëmendjen në një treg fermerësh në Aspen, SHBA. Një ari i uritur është futur mes tezgave dhe, pa u trembur nga njerëzit, është ndalur te produktet e furrës. Ariu ka marrë bukë direkt nga tavolina e një tregtari dhe ka nisur ta hajë.

Belinda Balluku me vilë dhe në Itali?

Një aksident i pazakontë ka ndodhur në Bangkok të Tajlandës, ku një makinë elektrike ka hyrë me shpejtësi brenda Tempullit Guanyin, në zonën Chinatown. Sipas raportimeve, drejtuesi i moshuar humbi ndjenjat ndërsa ishte në timon, duke humbur kontrollin e automjetit. Makina përshpejtoi papritur dhe u përplas brenda tempullit. Si pasojë, tre persona mbetën të plagosur, dy prej tyre rëndë. Ndërtesa pësoi dëmtime, ndërsa statuja kryesore e tempullit nuk u prek.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme