Politika 1 October 2026, 13:07 Nga VNA

Rama prezanton kullën te “Tajvani” dhe gjen fajtorin: qyteti nuk mbytet nga betoni, por nga zilia

Ndaje në Whatsapp

Rama prezanton kullën te “Tajvani” dhe gjen fajtorin: qyteti

Kryeministri Edi Rama e shoqëroi sot prezantimin e konkursit për kullën e re që pritet të ngrihet në vendin ku ndodhet “Tajvani” me një diagnozë të gatshme për të gjithë kritikët e transformimit urban të Tiranës: sipas tij, problemi nuk është te kullat, as te pronat, as te mënyra si po ndryshon qyteti, por te zilia.

Në aktivitetin e organizuar për projektin e radhës në zemër të kryeqytetit, Rama hodhi poshtë akuzat se zhvillimet e mëdha urbane imponohen duke nxjerrë njerëz me forcë nga shtëpitë apo duke shkelur të drejtat e pronarëve. Sipas tij, qeveria nuk ka penguar asnjë pronar legjitim dhe nuk ka mbajtur anë mes pronarëve e zhvilluesve, përveç rasteve kur është kërkuar që personave të prekur t’u garantohet qira për disa vite nga ndërtuesi.

Por pjesa më politike e fjalës së tij erdhi kur kryeministri foli për arkitektët e huaj dhe për kritikat ndaj projekteve të mëdha në Tiranë. Rama tha se është absurde të mendohet se arkitektë ndërkombëtarë vijnë në Shqipëri për të bërë ndërtime jashtë standardeve, gjëra që nuk do t’i bënin dot në vendet e tyre. Sipas tij, qasja agresive kundër këtyre projekteve shpjegohet me “xhelozinë” e njerëzve mediokër që kapen pas nacionalizmit dhe jo pas argumentit profesional.

Pra, nëse pyet çfarë ndodh me qytetin, nuk je qytetar i shqetësuar, por njeri i prapambetur. Nëse kërkon të dish kush fiton nga këto projekte, nuk kërkon transparencë, por vuan nga kompleksi. Nëse shqetësohesh për betonin, dendësinë, trafikun apo zhdukjen e hapësirave të njohura publike, problemi nuk është urbanistika. Problemi je ti, që nuk di të admirosh.

Rama e paraqiti Tiranën si “universitetin më të madh të hapur në natyrë”, ku arkitektët vendas rriten profesionalisht përmes bashkëpunimit me emra të mëdhenj ndërkombëtarë. Ndërtimi i kullave, tha ai, është kaq kompleks sa Shqipëria nuk ka ende kapacitetin dhe dijen për ta bërë vetë.

Kështu, aktiviteti për kullën te “Tajvani” nuk mbeti prezantim projekti, por u kthye në një leksion pushteti mbi qytetin: kullat janë dije, arkitektët e huaj janë shkollë, zhvilluesit janë komunitet profesional, ndërsa qytetarët që pyesin se çfarë po ndodh me Tiranën janë thjesht ziliqarë.

Në versionin zyrtar, nuk ka betonizim, ka modernizim. Nuk ka dendësim, ka transformim. Nuk ka pyetje të ligjshme për interesin publik, ka mediokritet lokal. Dhe sa herë ngrihet një kullë e re, qytetarëve u kërkohet jo vetëm ta pranojnë, por edhe ta admirojnë.

Në fund, Rama e vendosi debatin aty ku i pëlqen më shumë pushtetit: jo te vendimmarrja, jo te pronat, jo te qyteti, por te karakteri i atyre që kritikojnë. Kulla mund të ngrihet në mes të Tiranës, por faji është i atij që e sheh. Sepse në këtë histori, betoni është art, klientët janë vizionarë, arkitektët janë profesorë dhe publiku është thjesht audienca që nuk ka mësuar ende të duartrokasë.

Video

Një vizitor i pazakontë ka tërhequr vëmendjen në një treg fermerësh në Aspen, SHBA. Një ari i uritur është futur mes tezgave dhe, pa u trembur nga njerëzit, është ndalur te produktet e furrës. Ariu ka marrë bukë direkt nga tavolina e një tregtari dhe ka nisur ta hajë.

Belinda Balluku me vilë dhe në Itali?

Një aksident i pazakontë ka ndodhur në Bangkok të Tajlandës, ku një makinë elektrike ka hyrë me shpejtësi brenda Tempullit Guanyin, në zonën Chinatown. Sipas raportimeve, drejtuesi i moshuar humbi ndjenjat ndërsa ishte në timon, duke humbur kontrollin e automjetit. Makina përshpejtoi papritur dhe u përplas brenda tempullit. Si pasojë, tre persona mbetën të plagosur, dy prej tyre rëndë. Ndërtesa pësoi dëmtime, ndërsa statuja kryesore e tempullit nuk u prek.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme