Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Tiranë, komentoi indirekt edhe çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, e vendosur nën masë arresti dhe nën hetim.
Edhe pse nuk e përmendi me emër Hysenin, Rama tha se zhvillimet e fundit, të cilat kanë shkaktuar debat të gjerë publik në vend, nuk kanë cenuar vlerësimin e partnerëve ndërkombëtarë ndaj Shqipërisë. Sipas tij, çështje të tilla nuk duhen përdorur për të prodhuar alarm politik, por duhet t’u lihen institucioneve të drejtësisë.
“Dua t’ju bëni pyetje vetes pse BE-ja dhe KE-ja ngjarje që këtu trajtohen si arsye për të goditur dhe përhapur valë dëshpërimi, i shikojnë si arsye për ta konsideruar Shqipërinë një partner shumë serioz”, deklaroi Rama.
Kryeministri u shpreh se shqetësimet për sigurinë kombëtare apo për raportet me partnerët ndërkombëtarë nuk kanë ardhur nga vetë partnerët, por nga ajo që ai e quajti “shpërndarje materialesh hetimore”.
“Kjo është një çështje që unë mendoj se i duhet lënë gjykatës, jo leximit sporadik të materialeve hetimore që nxirren për të bërë çorap opinionin publik. Procesi do të tregojë nëse ka apo jo gjëra që kanë cenuar çfarëdoqoftë në lidhje me sigurinë kombëtare apo në lidhje me partnerët tanë”, tha Rama.
Ai shtoi se pret që prokuroria dhe gjykata të bëjnë punën e tyre deri në fund, ndërsa nënvizoi se nga asnjë partner ndërkombëtar nuk ka ardhur ndonjë shqetësim për këtë çështje.
“Një shqetësim i tillë, që na vjen nga shpërndarësit e materialeve të nxjerra rrugëve, nuk na ka ardhur nga asnjë partner ndërkombëtar. Pres që prokuroria dhe gjykata të bëjnë punën e vet dhe, në fund, të dalë edhe rezultati”, u shpreh kryeministri.






















