Gjykata Kushtetuese i është përgjigjur akuzave të PD-së për “shtrembërim të fakteve dhe provave” në njoftimin për vendimmarrjen lidhur me zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Në reagimin e saj, Gjykata sqaron se njoftimet për shtyp shërbejnë për transparencën dhe informimin e publikut deri në shpalljen e vendimit përfundimtar të arsyetuar. Ato hartohen në gjuhë të thjeshtë, pa paraqitur hollësisht faktet, dhe përgatiten nga strukturat ndihmëse, siç veprohet edhe në gjykata të tjera simotra dhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Për formulimin e kundërshtuar, Kushtetuesja sqaron se togfjalëshi “momentin e verifikimit nga Komisioni i Ligjeve të kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare” i referohet afatit fundor pararendës që vetë komisioni kishte përcaktuar për paraqitjen e mbështetjes së kandidatëve nga 28 deputetë.
Gjykata thekson se palët duhet të presin vendimin përfundimtar të arsyetuar. Nëse kanë pretendime për saktësinë e fakteve të paraqitura në të, mund të përdorin mjetet ligjore në dispozicion.






















