Pas përplasjeve të brendshme me kryeministrin Rama dhe përpjekjeve për t'u distancuar nga Belinda Balluku, ish-ministrja dhe ish-kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, është lënë prej kohësh në hije dhe pa asnjë rol publik. Në kushtet kur përpjekjet e saj për të mbetur në vëmendje nuk po japin rezultat, Spiropalit i ka mbetur të kapet pas postimeve me nota patriotike apo shkrepsave nëpër ambientet e lokaleve të kryeqytetit.
Së fundmi, ajo ka publikuar një status në rrjetet sociale ku njofton një takimi me Reporterin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, shoqëruar me fjalë të mëdha për "standardet evropiane" dhe falënderime për miqësinë e tij.
Në foton e bashkëangjitur postimit, Spiropali shihet e ulur përballë zyrtarit evropian në ambientet e jashtme të një lokali apo restoranti në Tiranë, rrethuar nga bimësi. Të dy pozojnë të buzëqeshur rreth një tryeze të rrumbullakët ku ndodhen pije refreskuese një pamje që ngjan më shumë me një kafe private sesa me një takim zyrtar, por që shërben si një tentativë për t'i dëshmuar Ramës se "faktorët ndërkombëtarë" nuk e kanë harruar plotësisht.






















