Politika 28 September 2026, 11:55 Nga VNA

Sikur integrimi në BE të bëhej me batuta kryeministrore

Ndaje në Whatsapp

fvdfvdvd.jpg

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sërish humorin për t’u folur europianëve për integrimin e Shqipërisë. Para përfaqësuesve të Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve të BE-së, ai foli për dashurinë e shqiptarëve ndaj Europës, kërkoi që Ballkani Perëndimor të mos “lihet në baltë” dhe gjeti hapësirë edhe për një batutë me shtatë fëmijët e Ursula von der Leyen dhe shtatë vendet kandidate.

“7 fëmijë ka Ursula dhe BE ka 7 kandidatë. Kështu që fëmijët e Uruslës nuk u rritën në lagje, por u rritën rreth tavolinës. Ajo nuk i tha vajzës shko dhe kalo ca kohë me atë gangsterin rus, sepse mami është e zënë. Ajo nuk i tha djalit shko e luaj me ca lodra kineze sepse tani tavolinën e përdorin të rriturit”, deklaroi kryeministri.

“Kemi kapacitetin për të gjetur arsye për të mos qenë dakord me njeri tjetrin. Ama për një gjë kemi rënë dakord, për faktin që duam të jemi pjesë e Evropës dhe që ne e dashurojmë Evropën. Prandaj ne shpresojmë të mos na lini në blatë”, tha Rama.

Por integrimi europian, për fat të keq nuk bëhet me humor.

Nëse për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian do të mjaftonin deklaratat e bukura, batutat në konferenca dhe sigurimi i europianëve se “ne e duam Europën”, rruga drejt Brukselit do të ishte shumë më e shkurtër për çdo shtet kandidat.

Por dera e BE-së hapet me kritere.

Kërkohet shtet ligjor, institucione funksionale, ekonomi tregu e aftë të përballojë konkurrencën dhe, mbi të gjitha, rezultate të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sundimi i ligjit është pjesë qendrore e procesit të anëtarësimit dhe kapitujt 23 dhe 24 përfshijnë pikërisht drejtësinë, të drejtat themelore, sigurinë dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Dhe pikërisht këtu humori mbaron.

SPAK po hap dosje që prekin nivele të larta të shtetit dhe njerëz të lidhur me kontrata e tendera publikë. Mjafton të shohësh se çfarë ka ndodhur në muajt e fundit.

Në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, institucionit që duhet të ruajë sekretet dhe sigurinë e vendit, ishte Vlora Hyseni. Sot ajo është nën hetim dhe në “arrest shtëpie”. Në qendër të çështjes janë komunikimet e saj me Ergys Agasin gjatë periudhës kur ky i fundit kërkohej nga drejtësia. Sipas materialeve të dosjes të raportuara në media, SPAK ka evidentuar qindra komunikime mes tyre, ndërsa materiale me të dhëna të SHISH-it janë raportuar se janë gjetur në makinën e Agasit.

Këtu çështja nuk është më thjesht historia e një zyrtareje të lartë nën hetim. Por sa i fortë është një shtet kur pikëpyetjet e drejtësisë arrijnë deri te institucioni që duhet të ruajë sekretet e tij?

Sepse në një vend që kërkon të bindë Europën për forcën e institucioneve, kreu i shërbimit sekret nën hetim për lidhje dhe komunikime me një person që kërkohej nga drejtësia nuk është një episod periferik. Është një kambanë alarmi për vetë mënyrën se si funksionon shteti.

Dhe nuk është i vetmi rast.

Belinda Balluku nuk është një funksionare periferike e administratës. Është një prej figurave më të fuqishme të qeverisjes së viteve të fundit. SPAK e ka marrë të pandehur për çështjen e tenderëve dhe hetimet janë shtrirë edhe te dyshimet për korrupsion pasiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Në qershor, me kërkesë të SPAK, u sekuestrua një vilë në Dhërmi që prokuroria thotë se është në pronësinë e saj indirekte. 

Pra hetimi prek mekanizmin kryesor që Europa kërkon të luftohet, pushtet publik, para publike, favorizim i dyshuar dhe më pas përpjekje e dyshuar për të fshehur gjurmën e pasurisë. Por lista nuk mbaron me Hysenin apo Ballukun. Përkundrazi, ato janë vetëm dy prej çështjeve që tregojnë përmasën e problemit.

Ish-zëvendëskryeministra, ish-ministra, kryebashkiakë, drejtues institucionesh dhe përfaqësues të administratës publike kanë përfunduar në dosjet e SPAK, nën hetim apo të dërguar për gjykim për akuza që lidhen me korrupsionin, abuzimin me detyrën, tenderët dhe pastrimin e parave.

Dhe ndërsa korrupsioni godet shtetin nga brenda, dosjet e krimit të organizuar kanë nxjerrë në sipërfaqe një tjetër plagë, paratë e narkotrafikut që kërkojnë rrugën drejt ekonomisë së ligjshme. Hetimet e SPAK, të zhvilluara edhe në bashkëpunim me autoritetet e huaja dhe të mbështetura në përgjime telefonike e ambientale, komunikime të koduara, vëzhgime dhe hetime financiare, kanë dokumentuar mekanizma të transferimit dhe pastrimit të parave të prodhuara nga trafiku ndërkombëtar i drogës. 

Pra, paratë e drogës nuk mbeten vetëm në valixhen e trafikantit. Sipas dosjeve të SPAK, ato transferohen, qarkullojnë, investohen dhe kërkojnë të marrin pamjen e parasë së ligjshme. Kur në hetime shfaqen kompani ndërtimi, biznese, restorante, pasuri të paluajtshme dhe miliona euro, problemi nuk është më vetëm ai i një grupi kriminal. 

Pikërisht ekzistenca e çështjeve të tilla e bën të pamjaftueshme paraqitjen e integrimit thjesht si një çështje vullneti politik të Brukselit. Vetë Bashkimi Europian e thotë qartë se procesi është i bazuar në meritë. Europa nuk kërkon vetëm hapjen dhe mbylljen teknike të kapitujve. Sundimi i ligjit, drejtësia e pavarur dhe lufta efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë në zemër të procesit.

Kështu që problemi nuk është nëse Shqipëria e “dashuron” Europën, apo nëse Europa do ta lërë apo jo Shqipërinë “në baltë”.

Pyetja është shumë e thjeshtë, çfarë shteti po çojmë drejt Europës? Prandaj, batutat mund ta bëjnë një sallë me eurodeputetë të qeshë për disa sekonda. Por për t’u ulur një ditë në tavolinën e Bashkimit Europian duhen institucione që funksionojnë dhe shtet serioz.

Dhe këtë provim Shqipëria nuk e kalon dot me humor kryeministror.

Video

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir ka bërë deklarata të rënda dhe kërcënuese gjatë një vizite në një burg izraelit, ku iu drejtua të burgosurit palestinez Hassan Salameh. I rrethuar nga roje të armatosura, Ben-Gvir i tha: “Dua të të vras. Dua të të ekzekutoj”, duke shtuar se dëshironte që ai të përjetonte “ferrin” në burg. Deklaratat vijnë në një klimë edhe më shqetësuese pas miratimit në mars të një ligji të mbështetur nga Ben-Gvir, i cili zgjeron përdorimin e dënimit me vdekje ndaj palestinezëve të dënuar për sulme vdekjeprurëse nga gjykatat ushtarake në Bregun Perëndimor të pushtuar. Kërcënimi i drejtpërdrejtë me vdekje nga një ministër ndaj një personi që ndodhet nën kontrollin e shtetit ka nxitur reagime dhe dënime nga pala palestineze.

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir ka bërë deklarata të rënda dhe kërcënuese gjatë një vizite në një burg izraelit, ku iu drejtua të burgosurit palestinez Hassan Salameh. I rrethuar nga roje të armatosura, Ben-Gvir i tha: “Dua të të vras. Dua të të ekzekutoj”, duke shtuar se dëshironte që ai të përjetonte “ferrin” në burg. Deklaratat vijnë në një klimë edhe më shqetësuese pas miratimit në mars të një ligji të mbështetur nga Ben-Gvir, i cili zgjeron përdorimin e dënimit me vdekje ndaj palestinezëve të dënuar për sulme vdekjeprurëse nga gjykatat ushtarake në Bregun Perëndimor të pushtuar. Kërcënimi i drejtpërdrejtë me vdekje nga një ministër ndaj një personi që ndodhet nën kontrollin e shtetit ka nxitur reagime dhe dënime nga pala palestineze.

Kjo është videoja e Donald Trump që ka shkaktuar debate në SHBA, pasi u transmetua gjatë një ndeshjeje të NFL-së me shënimin “Paguar nga Qeveria e SHBA-së”. Në spotin 30-sekondësh, Trump sulmon “lajmet e rreme”, “shtetin e thellë” dhe komunistët. Demokratët dhe grupet e etikës kërkojnë hetim, duke pretenduar se fondet publike janë përdorur për një mesazh politik. Shtëpia e Bardhë i mohon akuzat dhe e cilëson videon një mesazh “edukues dhe patriotik”.

Raketa Starship e SpaceX shpërtheu pasi u ul në ujërat e Oqeanit Paqësor, në përfundim të fluturimit të saj të 14-të testues. Pavarësisht shpërthimit, misioni shënoi një arritje të rëndësishme: Starship hyri për herë të parë në orbitë dhe lëshoi 26 satelitë të rinj Starlink. Fluturimi u shoqërua me probleme teknike, pasi një prej motorëve u fik më herët se ishte planifikuar. Misioni përfundoi pas rreth tre orësh, ndërsa SpaceX pritet të analizojë shkaqet e shpërthimit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme