Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka zbarkuar në të gjitha shkollat ku janë instaluar kamerat dhe po implementohet projekti i shumëdebatuar Smart City.
Komisioneri ka shpërndarë një pyetësor për drejtuesit e shkollave, për të marrë informacion mbi projektin, pasi rezulton se nuk kanë asnjë informacion apo shkresë zyrtare mbi instalimin dhe funksionimin e kamerave.
Projekti Smart City po implementohet në 20 shkolla të mesme të Tiranës, ku kamerat inteligjente janë instaluar në ambientet e brendshme dhe të jashtme. Projekti është shoqëruar me kritika të forta, për shkak se nuk ka transparencë sa i përket mënyrës sesi do të ruhen pamjet e kamerave të sigurisë.
Projekti po implementohet nga kompania “Presight AI”, pjesë e grupit G42 nga Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila, sipas raportimeve mediatike, ka ngritur shqetësime në Kongresin e SHBA-ve për lidhjet e saj me kompani kineze.
Referuar të dhënave, projekti ishte parashikuar të kushtonte 60 milionë dollarë, por kostoja u dyfishua pa asnjë shpjegim.






















