
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, doli të enjten në një deklaratë për mediat nga ambientet e Kuvendit, pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.
Në fokus të deklaratës së tij ishin edhe qëndrimet e një dite më parë të Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, lidhur me funksionimin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Von der Leyen kishte deklaruar se hetimet ndaj zyrtarëve për korrupsion tregojnë se sistemi i drejtësisë po funksionon.
Bardhi kundërshtoi këtë vlerësim, duke argumentuar se funksionimi i drejtësisë nuk mjafton për të arritur në përfundimin se të gjitha institucionet shtetërore po funksionojnë siç duhet. Sipas tij, përgjegjësia për luftën kundër korrupsionit nuk i takon vetëm prokurorisë, por edhe Kryeministrit, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera.
“Nuk është e çuditshme që ka partnerë ndërkombëtarë që, ndryshe nga realiteti që shohin dhe prekin shqiptarët, na servirin një konkluzion jo objektiv. Shpesh vlerësimet që bëhen nuk janë objektive”, deklaroi Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar demokrat u ndal edhe te çështja e ish-drejtores së SHISH, Vlora Hyseni, duke rikujtuar akuzat që ai kishte ngritur më herët për lidhjet e saj të pretenduara me Ergys Agasin. Bardhi tha se zhvillimet e fundit, sipas tij, tregojnë se shqetësimet e ngritura nga opozita duhej të ishin marrë në konsideratë.
“Shteti shqiptar nuk funksionon. Nëse do të funksiononte, një kryeministër i përgjegjshëm, kur del një deputet dhe thotë që Vlora Hyseni po i shërben Ergys Agasit, ngre shtetin në këmbë për të thënë nëse kjo akuzë qëndron apo jo”, u shpreh ai.
Bardhi kritikoi gjithashtu deklaratën e Ramës se qeveria nuk e ka penguar drejtësinë, duke iu referuar rastit të Belinda Ballukut dhe duke pretenduar se Kryeministri kishte ndërhyrë për të penguar arrestimin e saj.
“A nuk ishte Rama që pengoi arrestimin e Ballukut? Nuk është kjo pengesë ndaj drejtësisë? Si mund të pranosh të të thotë një gënjeshtër në sy dhe ti të ulësh kokën?”, deklaroi Bardhi, duke iu drejtuar kritikisht edhe qëndrimit të Von der Leyen.
Në përfundim, kreu i grupit parlamentar të PD-së tha se opozita do të vijojë të ngrejë publikisht shqetësimet e saj, pavarësisht nëse ato mbështeten apo jo nga partnerët ndërkombëtarë.
“Ne do të themi gjithmonë të vërtetën. Dëgjohemi nga partnerët apo jo, kjo ka zero rëndësi për mua. Për mua ka rëndësi të mbrojmë interesin e qytetarëve shqiptarë”, përfundoi Bardhi.






















