Bota 16 Janar 2025, 10:04 Nga VNA

Presidenti Joe Biden i drejtohet vendit në fjalimin e lamtumirës

Ndaje në Whatsapp
Presidenti Joe Biden i drejtohet vendit në fjalimin e lamtumirës

Presidenti Joe Biden e shfrytëzoi fjalimin e tij të lamtumirës drejtuar amerikanëve të mërkurën për të paralajmëruar për një “oligarki” të ultra të pasurve që po hedh themelet në vend dhe për një “sektor të industrisë së teknologjisë” që po cenon të drejtat e amerikanëve dhe të ardhmen e demokracisë.

Duke folur nga Zyra Ovale teksa përgatitet t’i dorëzojë pushtetin Presidentit të zgjedhur Donald Trump të hënën, zoti Biden dha alarmin, për siç tha ai, akumulimin e pushtetit dhe pasurisë tek një grup i vogël individësh.

Sot, një oligarki me pasuri, fuqi dhe ndikim ekstrem po merr formë në Amerikë, çka përbën kërcënim për demokracinë tonë, të drejtat dhe liritë tona themelore dhe dëmton të drejtën që të gjithë të përparojnë”, tha zoti Biden.

Ai tërhoqi vëmendjen për “një përqendrim të rrezikshëm të pushtetit në duart e disa individëve ultra të pasur dhe pasojat e rrezikshme nëse shpërdorimi i tyre i pushtetit nuk vihet nën kontroll”.

Duke përsëritur paralajmërimet e Presidentit Dwight Eisenhower lidhur me sektorin ushtarako-industrial në fjalimin kur u largua nga detyra në vitin 1961, zoti Biden shtoi, “Jam po aq i shqetësuar për fuqizimin e sektorit teknologjiko-industrial që mund të paraqesë rreziqe të vërteta për vendin tonë”.

Alarmi i zotit Biden vjen pasi disa nga individët më të pasur në botë dhe titanët e industrisë teknologjike muajt e fundit janë rreshtuar përkrah zotit Trump, kryesisht pas fitores së zgjedhjeve të nëntorit.

Miliarderi Elon Musk shpenzoi më shumë se 100 milionë dollarë për të ndihmuar republikanin Trump që të fitojë zgjedhjet. Drejtues të tjerë të lartë, si Mark Zuckerbeg i kompanisë META dhe Jeff Bezos i firmës Amazon, kanë dhuruar para për komisionin e inaugurimit të presidentit të ri dhe janë takuar me zotin Trump në rezidencën e tij në Florida.

Më herët gjatë ditës së mërkurë, Presidenti Biden lajmëroi arritjen e një marrëveshjeje të shumëpritur armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, çka mund t’i japë fund gjakderdhjes në Lindjen e Mesme.

Por Presidenti Biden nuk po largohet nga Shtëpia e Bardhë në mënyrën që ai shpresonte. Ai kandidoi për një mandat të dytë, duke lënë mënjanë shqetësimet e votuesve për moshën e tij. Pas një paraqitjeje të dobët në debatin me kundërshtarin e tij republikan Donald Trump, nën trysninë e Partisë Demokrate Presidenti Biden hoqi dorë nga gara për një mandat të dytë. Ai mbështeti Nënpresidenten Kamala Harris, e cila humbi përballë zotit Trump në zgjedhjet e nëntorit.

Ndërkohë, Presidenti Biden po përgatitet t’i dorëzojë Shtëpinë e Bardhë një individi të cilin e cilësoi si kërcënim ekzistencial për institucionet demokratike në vend.

Në një letër të hapur të publikuar të mërkurën, Presidenti Biden e pranoi nuk i kishte realizuar premtimet e tij.

“Kandidova për president sepse besoja se shpirti i Amerikës ishte në rrezik. Vetë natyra se kush jemi ishte në rrezik dhe kjo ende vazhdon të jetë”, thuhet në letrën e zotit Biden.

Më tej në letër, Presidenti Biden theksonte arritjet e tij, duke përfshirë drejtimin e vendit dhe luftën kundër pandemisë së koronavirusit, mbështetjen e prodhimit brenda vendit dhe uljen e kostos së barnave me recetë.

Fjalimi prej 15 minutash i zotit Biden mbrëmjen e së mërkurës jo vetëm që shënon fundin e presidencës së tij, por edhe pesë dekadat e tij në politikë. Pas zgjedhjes në moshën 30-vjeçare për të përfaqësuar shtetin e tij të lindjes Delauer në vitin 1972, zoti Biden ishte senatori më ri.

Zoti Biden kandidoi për postin e presidentit në vitet 1988 dhe 2008 përpara se të bëhej nënpresident pas fitores së demokratit Barack Obama. Pasi shërbeu 8 vjet në postin e nënpresidentit, zoti Biden u konsiderua se i kishte dhënë fund politikës. Por ai u kthye në skenën politike në vitin 2020, duke larguar me sukses Presidentin Trump nga Shtëpia e Bardhë.

Video

Në 2030 do ikni se keni qejf, jo se po ju përzë unë.

Një moment i veçantë humori shënoi takimin e djeshëm mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit hungarez Viktor Orban në Shtëpinë e Bardhë. I irrituar nga pyetjet, Trump reagoi duke theksuar se “asnjëherë nuk ka refuzuar të flasë për inflacionin”, dhe se “situata tani është shumë më e mirë se në kohën e Bidenit”. Në atë moment, në sallë hyri zëdhënësja e tij, Karolyn Leavitt. Trump i tregoi për debatet me gazetarët, dhe ajo reagoi menjëherë me tone të ashpra: “Është për të ardhur keq që gazetarët këtu harrojnë të përmendin faktin se ju trashëguat krizën më të rëndë të inflacionit në historinë moderne amerikane dhe po e korrigjoni atë për më pak se dhjetë muaj,” deklaroi Leavitt. Ajo shtoi se lufta kundër rritjes së çmimeve është prioriteti i përditshëm i presidentit Trump, edhe pse “mediat heshtin për këtë”. Deklaratat e saj duket se impresionuan kryeministrin hungarez, i cili me humor i tha Trumpit: “A mund ta marr për vete?” Trump qeshi dhe iu përgjigj: “Karolyn, kryeministri do të të ketë në Hungari.” Më pas, duke vazhduar në të njëjtin ton miqësor, Trump e përgëzoi Orbanin për “shijen e mirë” dhe i kërkoi me shaka zëdhënëses së tij të mos largohej prej tyre.

Protestuesit ndërprenë një shfaqje nga një orkestër izraelite në Paris, duke denoncuar gjenocidin e Tel Avivit në Gaza dhe duke akuzuar institucionet kulturore izraelite për larjen e krimeve të luftës. Aktivistët pro-palestinezë demonstruan gjithashtu jashtë performancës së të enjtes mbrëma në sallën e koncerteve të Filharmonisë së Parisit. Tensionet për luftën gjenocidale të Izraelit në Gaza janë derdhur shpesh në protesta në Francë.

Kur jeta të gjunjëzon dhe duket sikur ke humbur gjithçka e vetmja rrugë është të mos dorëzohesh por të ecësh përpara 26-vjeçari Mauro Glorioso, i cili mbeti i plagosur rëndë pas aksidentit të janarit 2023 te Murazzi në Torino, sot është diplomuar në Mjekësi dhe Kirurgji në spitalin “Le Molinette”. Ngjarja ndodhi mbrëmjen midis 20 dhe 21 janarit 2023, kur Mauro ndodhej me disa miq buzë lumit Po, në pritje për të hyrë në një lokal. Ai u godit nga një biçikletë elektrike që ishte hedhur nga lartësia e argjinaturës së Murazzit dhe mbeti i plagosur shumë rëndë. Për këtë aksident, një vajzë 20-vjeçare u dënua në shkallën e parë të gjyqit. “Është një emocion i madh, një rrugëtim i gjatë — është e bukur ndjesia kur arrin objektivin tënd, pavarësisht gjithçkaje,” tha Mauro. “Kam mësuar të përballem me një problem në një kohë: i pari ishte të diplomohem, tani mund të mendoj për të ardhmen dhe projektet e mia.”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme