
Socialistët dhe demokratët ranë dakord që të shtynin votimin në parim për propozimet e depozituara nga grupi parlamentar socialist dhe amendamenteve të tjera shtesë të dorëzuara nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi dhe të nisnin diskutimet mes tyre për të shkuar në propozime konsensuale.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u mblodh i detyruar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, e cila e rrëzoi procedurën parlamentare me të cilën ishin miratuar ndryshimet në Rregullore në nisje të sesionit të ri parlamentar në Shtator dhe e detyroi Kuvendin që të ndjekë një procedurë të rregullt parlamentare për miratimin e ndryshimeve të reja.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi u sugjeroi palëve të hënën që të ulen së bashku për të bërë ndryshimet e reja.
“Duhet të synojmë ndryshime konsensuale të rregullores, të jenë të pranuara dhe të kenë mbështetjen nëse është e mundur të të gjithë deputetëve, në mënyrë që të kenë jetëgjatësi,” tha ai në mbledhje.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi po ashtu kërkoi që çdo ndryshim i ri në këtë dokument të bëhet me miratimin e opozitës, bazuar dhe në parimet e shprehura në vendimin e Kushtetueses.
“Rregullorja është akti që garanton bashkëjetesën demokratike mes palëve në Kuvendin e Shqipërisë,” tha Bardhi, duke shtuar kjo kërkonte që ndryshimet të bëheshin me vullnet të përbashkët”.
Në shkurt, Gjykata Kushtetuese pranoi ankimimin e PD-së për procedurën e njëanshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën që mazhoranca ndoqi për ndryshimet ligjore dhe vendosi shfuqizimin e tyre, “për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve”.
Gjykata e arsyetoi vendimin me shkeljen e rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit si dhe të procedurës së ndjekur për miratimin e aktit objekt shqyrtimi.
Socialistët në mënyrë të njëanshme dhe në afat rekord miratuan dispozitat e reja që preknin arkitekturën parlamentare, duke shtuar numrin e komisioneve parlamentare dhe emërtimin e tyre, sanksionimin e kalimit me procedurë të përshpejtuar të projektligjeve që lidhen me përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Europian, zvogëlimin e kohës së diskutimeve për deputetët, etj..
Por, Gjykata vlerësoi se mënyra sesi mazhoranca ka vepruar me miratimin e ndryshimeve “ka vënë në pamundësi deputetët, në mënyrë të veçantë ata të pakicës parlamentare, për të ushtruar lirisht të drejtat që u burojnë atyre nga statusi i deputetit”.
Po ashtu Gjykata vlerëson që opozita të ketë akses në ndryshimet e Rregullores, si një dokument që rregullon marrëdhëniet parlamentare dhe konsideron se mazhoranca parlamentare të ketë synim që “ndryshimet mundësisht të bëhen me vullnet të përbashkët dhe konsensual”./BIRN.






















