Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka bërë “përparim të rëndësishëm” në kuadër të Kapitullit 5 të negociatave me Bashkimi Europian, që lidhet me prokurimet publike, duke krahasuar disa indikatorë të Shqipërisë me mesataret e vendeve të BE-së.
Sipas Ramës, Shqipëria paraqitet më mirë se mesatarja europiane në disa tregues që lidhen me numrin e ofertuesve në tendera dhe përqindjen e procedurave me një ofertues të vetëm. Kryeministri theksoi se në Shqipëri kontratat me një ofertues përbëjnë 23.5% të totalit, ndërsa mesatarja e BE-së është 32.3%.
Por problemi i madh i sistemit të prokurimeve publike në Shqipëri nuk ka qenë kurrë vetëm statistika formale e numrit të ofertuesve.
Për vite me radhë, pothuajse çdo aferë e madhe me fondet publike në Shqipëri ka pasur zanafillën pikërisht tek prokurimet: nga koncesionet dhe PPP-të, te tenderat për infrastrukturën, shëndetësinë, teknologjinë, inceneratorët apo shërbimet publike.
Në mënyrë të përsëritur, raportet e Komisioni Europian kanë ngritur shqetësime për përdorimin e procedurave jo konkurruese, mungesën e transparencës, përqendrimin e kontratave tek një numër i kufizuar operatorësh ekonomikë dhe dobësinë e kontrollit mbi fondet publike.
Edhe raportet e SIGMA kanë theksuar vazhdimisht problemet me cilësinë reale të konkurrencës në tendera, përdorimin e procedurave të negociuara dhe mungesën e kontrollit efektiv pas dhënies së kontratave.
Në praktikë, shumë prej tenderave në Shqipëri janë shoqëruar me akuza për gara fiktive, kritere të personalizuara dhe përqendrim fondesh tek kompani të lidhura me pushtetin. Vetë SPAK ka ngritur hetime të shumta pikërisht mbi procedura prokurimi, duke përfshirë dosje që lidhen me koncesionet, inceneratorët, rrugët, sistemet teknologjike dhe tendera të institucioneve qendrore e lokale.
Një nga kritikat më të forta ndaj modelit shqiptar të prokurimit publik ka qenë përdorimi masiv i partneriteteve publike-private dhe kontratave koncesionare, të cilat për vite janë konsideruar nga ekspertët dhe institucionet financiare ndërkombëtare si zona me risk të lartë për korrupsion dhe abuzim me fondet publike.
Në raportet e progresit për Shqipërinë, BE ka kërkuar vazhdimisht forcim të kontrollit, rritje të transparencës dhe ulje të përdorimit të procedurave që kufizojnë konkurrencën reale.
Pikërisht për këtë arsye, deklaratat triumfaliste të qeverisë mbi prokurimet publike duken në kontrast me perceptimin publik dhe me historinë e aferave më të mëdha korruptive të dekadës së fundit në Shqipëri, të cilat pothuajse pa përjashtim kanë lindur nga tenderat dhe menaxhimi i fondeve shtetërore.
Në fund, pyetja mbetet e njëjtë: nëse sistemi i prokurimeve shqiptare është kaq pranë standardeve europiane, pse pothuajse çdo skandal i madh financiar në vend nis pikërisht nga një tender publik?






















