Politika 2 Gusht 2025, 11:40 Nga X.S

Dokumenti zyrtar rrëzon versionin e Ramës: Ja emrat që hartuan Kodin e ri Penal

Ndaje në Whatsapp

Dokumenti zyrtar rrëzon versionin e Ramës: Ja emrat që hartuan

Mes polemikave të ashpra që kanë shpërthyer pas publikimit të draftit të Kodit të ri Penal, kryeministri Edi Rama është përpjekur të shmangë përgjegjësinë e qeverisë për përmbajtjen e këtij dokumenti, që ka ngjallur reagime të forta nga përfaqësues të sistemit të drejtësisë, avokatë, juristë dhe organizata të shoqërisë civile.

Në një reagim publik në rrjetin social “X”, Rama deklaroi se qeveria nuk ka qenë e përfshirë në hartimin e draftit, duke thënë se procesi i është besuar një grupi të pavarur ekspertësh, të udhëhequr nga Arben Rakipi, drejtues i Shkollës së Magjistraturës. Ai theksoi se aktualisht Këshilli i Ministrave është “vetëm një nga palët në proces” dhe se është ende duke analizuar draftin për të formuluar qëndrimin e vet.

Por në kundërshtim me këtë version zyrtar të kryeministrit, dokumente të brendshme të Ministrisë së Drejtësisë, të siguruara tashmë nga VNA, tregojnë qartë se ky institucion ka qenë jo vetëm pjesë aktive, por edhe drejtues i procesit të hartimit të Kodit të ri Penal. Përfaqësues të vetë ministrisë kanë qenë pjesë e drejtpërdrejtë e grupit të punës që ka hartuar draftin aktual.

Dokumenti i firmosur nga ministri Ulsi Manja më 6 shkurt 2023, me nr. urdhri 150, konfirmon ngritjen zyrtare të grupit të punës për hartimin e Kodit të ri Penal. Urdhri përcakton emrat konkretë të ekspertëve dhe detyrat që ata kanë kryer në kuadër të këtij procesi.

Në krye të grupit qëndronte drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, ndërsa në përbërje të tij ishin:

Bledar Mustafaraj, përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë dhe përgjegjës i sektorit të së Drejtës Penale në këtë institucion;

Sokol Binaj, gjyqtar në Gjykatën e Lartë;

Gentian Jahjolli, gjyqtar në Shkodër;

Dorina Hoxha, dekane e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës;

Skënder Kaçupi, pedagog pranë të njëjtit fakultet.

Dokumenti zyrtar rrëzon versionin e Ramës: Ja emrat që hartuan

Në ndihmë të tyre është ngritur edhe një grup oponence, i përbërë nga gjyqtarë dhe prokurorë të niveleve të larta, për të siguruar analizën kritike dhe objektive të draftit të përgatitur. Ky grup përfshin gjyqtaren Tereza Merkaj (Gjykata e Apelit për Krimin e Organizuar), Nurieta Tafën (Gjykata e Durrësit), Erjon Banin (Gjykata e Apelit për Krimin e Organizuar), si dhe prokurorët Vili Pjetërmikaj dhe Kujtim Luli.

Dokumenti zyrtar rrëzon versionin e Ramës: Ja emrat që hartuan

Për të mbështetur teknikisht punën e këtyre grupeve, është ngritur edhe një sekretariat teknik, i përbërë nga zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë dhe dy kandidate për magjistrate, Klobeta Zylyfi dhe Ketjona Kaçupi. Ky sekretariat kishte për detyrë përgatitjen e materialeve, mbajtjen e procesverbaleve dhe kryerjen e të gjitha detyrave administrative që lidhen me organizimin e punës.

Dokumenti zyrtar rrëzon versionin e Ramës: Ja emrat që hartuan

Në kundërshtim me idenë e një procesi “të pavarur” nga ekzekutivi, dokumenti provon se Ministria e Drejtësisë ka qenë jo vetëm nismëtare, por edhe aktive në çdo hallkë të përgatitjes së draftit. Në fakt, procesi për nisjen e rishikimit të Kodit Penal daton që nga viti 2019, në kohën kur ministrinë e drejtësisë e drejtonte Etilda Gjonaj, ndërsa grupi i punës filloi aktivitetin teknik gjashtë vite më parë, për të marrë miratimin zyrtar në vitin 2023.

Përtej deklaratave politike, dokumentet e firmosura nga vetë ministri i drejtësisë dëshmojnë se ky proces nuk ka qenë një iniciativë “e pavarur nga qeveria”, por një reformë e miratuar, mbikëqyrur dhe organizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga organet ekzekutive.

Drafti përfundimtar i Kodit të ri Penal iu dorëzua zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë që në korrik të vitit 2023, por ai qëndroi për gati dy vite në sirtar, derisa u bë publik më 25 korrik 2025 në një aktivitet të organizuar me bujë, ku për herë të parë u shfaq edhe përmbajtja e ndryshimeve të propozuara.

Video

Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri të Republikës. Seancat e njëpasnjëshme kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita nuk ka marrë pjesë në votim. Në sallë kanë qenë vetëm deputetët e shumicës parlamentare, ndërsa LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe kanë bojkotuar procesin.

Një breshkë e llojit Caretta caretta është gjetur e ngordhur në bregdet, me dëmtime të rënda në pjesën e kokës. Dyshohet se ajo është goditur nga helikat e një anijeje, duke pësuar plagë serioze që i kanë shkaktuar ngordhjen. Breshka është konstatuar nga qytetarë që ndodheshin pranë bregut të detit.

Në Libanin jugor, dronët-bombë të Hezbollah po krijojnë probleme serioze për ushtrinë izraelite. Pamjet tregojnë një sulm ndaj një helikopteri Blackhawk që kishte shkuar për të marrë të plagosurit nga një pritë me dronë, ku një ushtar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Teksa helikopteri po ulej, dy dronë u afruan dhe shpërthyen pranë tij, ndërsa ushtarët izraelitë hapën zjarr për t’i rrëzuar. Hezbollah thuhet se po shton përdorimin e këtyre dronëve, ndaj të cilëve Izraeli ende nuk ka kundërmasa efektive.

Një problem i vogël për Laura Pausini gjatë koncertit live në Quito, në Ecuador. Popstarja ndërpreu koncertin dhe kërkoi t’i sillnin oksigjen. Një pengesë e vogël, me shumë gjasa e lidhur me lartësinë e qytetit (rreth 2800 metra mbi nivelin e detit), e cila mund të shkaktojë probleme të tilla, sidomos kur je i ekspozuar ndaj një stresi fizik si ai i një koncerti live. Këngëtarja e mori situatën me humor dhe, me maskën e oksigjenit në gojë, iu drejtua publikut duke pyetur: “A mund të flitet kur e mban këtë, apo është më mirë jo?”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme