Politika 1 Gusht 2025, 08:48 Nga VNA

Tre vjet burg nëse tallesh dhe përbuz “udhëheqësit”

Ndaje në Whatsapp
Tre vjet burg nëse tallesh dhe përbuz

Nëse tallesh me udhëheqësit politikë të vendit, apo nëse guxon t’i përçmosh apo t’i përbuzësh ata apo simbolet jofrymore të shtetit, nëse guxon të thuash një fjalë të keqe kundër personave  që kanë statusin ligjor “Dëshmor i atdheut”, rrezikon të dënohesh me deri katër vjet burg ndërsa nëse një sakrilegj i tillë kryhet nga “subjekti juridik”, mund të jepet në masë plotësuese, përveç gjobës, edhe “ndalimi për të kryer veprimtarinë” deri në pesë vjet, një nen ky që, me gjasa, mundet të përdoret për të goditur mediat dhe gazetarët për çdo gjë kritike që ato mund të thonë.

Neni 236 i dokumentit kontrovers të prezantuar nga qeveria shqiptare si një projetligj për ndryshimin tërësor të Kodit Penal të vendit, parashikon masat e dënimit për një vepër penale të titulluar “Përdhosja e Republikës dhe e simboleve të saj”. Por ndërsa neni përkatës në kodin aktual i referohet vetëm flamurit apo simboleve të vendosura në institucionet shtetërore, kodi i ri  penal konsideron në të njëjtin status me flamurin presidentin, kuvendin, këshillin e ministrave, gjykatën kushtetuese ose sistemin gjyqësor, forcat e armatosura apo dëshmorët e atdheut. Dhe për më tepër, projekti i ri duket se jep masë ndëshkimi më të lartë për institucione të tilla se sa për “përdhosjen” e vetë flamurit.

“Përdhosja e Republikës, Presidentit, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese ose sistemit gjyqësor, forcave të armatosura apo dëshmorëve të Atdheut, dënohet me burgim deri  në tre vjet”, shkruhet në projektin e publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.

“Për qëllim të këtij ligji me përdhosje do të kuptohet dhunimi i diçkaje të shenjtë, vetive të larta morale apo vlerave të nderuara botërisht, poshtërimi, bërja e padobishme, përçmimi, tallja, përlyerja, apo përbuzja e institucioneve të përmendura në këtë dispozitë,” shkruhet më tej në këtë nen.

Ndryshe nga propozimi i ri, kodi aktual penal në nenin 268 parashikon si “poshtërim” të republikës vetëm rastet e dëmtimit të flamurit ose të stemës kur këto janë të vendosura në institucionet shtetërore. Edhe në këtë rast, kodi aktual penal parashikon gjobë ose burgim deri në tre muaj, masa dënimi këto shumë më të ulëta se sa burgimi deri në tre vjet i parashikuar nga kodi i ri.

“Përdhosja” është një vepër penale e parashikuar në kapitullin e dytë të kodit të propozuar, i cili mban titullin “veprat penale kundër rendit kushtetues”. Ky kapitull dënon kryengritjet, atentatet ndaj udhëheqësve të shtetit, komplotet, partitë antikueshtetuese, tentativat për rrëzim me dhunë të rendit kushtetues, shkrimet, që gjykohen si “antikushtetuese” e të tjera. Mes këtyre krimeve serioze, duket se bën pjesë edhe “përçmimi”, “tallja” apo “përbuzja” e këtyre “institucioneve”.

Në kundërshtim me Kartën Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Dokumenti bazë që udhëheq hartimin e legjislacionit në kontinentin evropian tashmë prej shumë dekadash është Karta Evropiane e të Drejtave të Njeriut si dhe vendimet dhe arsyetimet që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i ka bërë kësaj karte.

Shqipëria, Kodi Penal i së cilës u miratua në vitin 1995, u detyrua, me hir apo me pahir, që të ndryshojë politikën e saj penale në përputhje me Kartën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kështu, përgjatë tre dekadave të fundit, nga Kodi Penal i vitit 1995, i cili u hartua në thelb nga të njëjtët juristë që ishin edukuar në sistemin e padrejtësisë së regjimit totalitar komunist, u  hoqën apo u ndryshuan shumë nene. Nenet e para që ikën ishin ato që parashikonin dënim me vdekje dhe që u shfuqizuan nga Gjykata Kushtetuese menjëherë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së vitit 1998. Pastaj, në vitin 2001, u shfuqizua si vepër penale homoseksualiteti ndërsa në vitin 2012, vepra penale “Shpifja ndaj presidentit të Republikës”, e vetmja mbrojtje ekstra për kreun e shtetit kundret qytetarëve të tjerë, u shfuqizua si pjesë e pajtimit të politikës penale të vendit me nenin 10 të Kartës, Liria e Shprehjes.

Aktualisht, Bashkimi Evropian, në një numër dokumentesh, kërkon mes të tjerash, shfuqizimin nga Shqipëria të neneve aktuale të kodit penal që parashikojnë si kundravajtje penale “shpifjen” dhe “fyerjen”.

Përkundrejt të gjitha këtyre ndryshimeve, hartuesit e projektit për kod të ri penal duket sikur kanë punuar të izoluar nga bota dhe kanë hartuar një dokument pa shumë lidhje me kontekstin global. Në shumë drejtime duket sikur kodi penal synon të drejtojë Shqipërinë për nga e shkuara totalitare komuniste dhe jo për nga Bashkimi Evropian.

Politika tmerrësisht e ashpër penale është ajo që i ka rënë në sy  disa prej kritikëve të projektit, si Prokurorit të Përgjithsëm Olsian Çela apo kryetari i Dhomës së Avokatëve Maksim Haxhia, i cili e konsideroi atë si “inkuizitor”. Por ashpërsimi i penaliteteve për shpifjen dhe fyerjen, për të cilat sakaq BE dhe OSBE kanë kërkuar shfuqizim, si dhe përshkallëzimi i dënimeve për këto kundravajtje penale kur personat e prekur janë zyrtarë të lartë është ana tjetër që sugjeron se sa jashtë realitetit kanë qenë hartuesit e këtij dokumenti të cilin qeveria e ka hedhur për konsultim publik.

Gjuha amorfe e përdorur në të gjithë dokumentin është një aspekt tjetër i vënë në dukje ndërsa klasifikimi i drejtuesve politikë të shtetit si më vete nga pjesa tjetër e shoqërisë dhe barazimi i institucionit me politikanin, parashikimi si rrethanë rënduese të  “shpifjes” apo “fyerjes” kur pala e prekur është politikan, janë disa çudira të cilat vështirë se do t’i mbijetojnë ballafaqimit të këtij kodi me kushtetutën dhe me kartën evropiane të  të drejtave të njeriut, në rast se ai miratohet. Por ajo që do të ndodhë është që vendi do të shkojë dekada pas, ndërsa gjykatat do të duhet të rikthehen te shqyrtimi i gjërave elementare, për shembull, parimit që udhëhqësit politikë duhet të kenë shkallë më të lartë tolerance ndaj kritikave, talljeve apo fyerjeve se sa qytetarët e zakonshëm.

Mbi të gjitha, klasifikimi i talljes së “institucioneve” si vepër penale kundër rendit kushtetues dhe parashikimi i dënimit me 1 deri në 4 vjet burg kur kjo bëhet përmes medias, kjo ngjan sikur ka dalë nga gjuha amorfe e regjimeve totalitare.

Neni aktual
Propozimi
Neni 268

Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj

(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012)

Dëmtimi i qëllimshëm i flamurit ose i stemës së Republikës, të ekspozuara në institucionet shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe

dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Poshtërimi botërisht i flamurit ose i himnit kombëtar, gjatë zhvillimit të një veprimtarie të organizuar nga autoritetet shtetërore, përbën

kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.
Neni 235   

Përdhosja e Republikës dhe simboleve të saj

 

1. Përdhosja e Himnit Kombëtar, flamurit apo stemës së Republikës të ekspozuara në institucionet shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj ose, jo më pak se sa dy dënime plotësuese kur çmohet se arrihet qëllimi i dënimit penal nëpërmjet tyre.

2. Përdhosja e Republikës, Presidentit, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese ose sistemit gjyqësor, forcave të armatosura apo dëshmorëve të Atdheut, dënohet me burgim deri  në tre vjet.

3. Përdhosja publikisht e Kombit Shqiptar, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.

4. Nëse përdhosja sipas paragrafëve më sipër, kryhet gjatë një feste publike ose ceremonie zyrtare, dënohet me burgim deri në katër vjet.

5. Për qëllim të këtij ligji me përdhosje do të kuptohet dhunimi i diçkaje të shenjtë, vetive të larta morale apo vlerave të nderuara botërisht, poshtërimi, bërja e padobishme, përçmimi, tallja, përlyerja, apo përbuzja e institucioneve të përmendura në këtë dispozitë.

Reporter.al

Video

E keni parasysh Autoritetin e Konkurrencës? Po, atë institucion që hesht kur një spital privat mban monopol në shëndetësi, apo kur dy kompanitë e vetme celulare formojnë duopol dhe luajnë me çmimet në kurriz të qytetarëve. Drejtuesi i tij, Denar Biba, dje në një komision parlamentar ka kërkuar që Autoriteti të ketë të drejtën të përgjojë telefonatat — si “mënyrën e vetme” për të zbardhur të vërtetat e monopoleve dhe bizneseve.

Një avion pasagjerësh i kompanisë Blue Islands u detyrua të bëjë një ulurje emergjente në aeroportin e Birminghamit pas një defekti teknik. Avioni ATR 72 (G-ISLO) u ul me sukses, pavarësisht erërave të forta deri në 30 mph. Ekipet e emergjencës u vunë në gatishmëri dhe shoqëruan avionin pasi ai devijoi pak nga qendra e pistës. Sipas kompanisë, piloti ndoqi procedurat standarde të sigurisë, ndërsa aeroplani po kontrollohet nga inxhinierët. Pamjet e uljes kanë marrë gati 30 mijë shikime në YouTube, me pilotët që u vlerësuan për profesionalizmin e tyre.

Mbreti Karl III u bë monarku i parë britanik që lutet me një papë në Vatikan pas 500 vitesh. Në një ceremoni solemne, mbreti iu bashkua Papa Leonit XIV, në lutjet që u lexuan në gjuhën angleze. Ai ishte shoqëruar nga Mbretëresha Kamila, e cila mbante një vello të zezë, në përputhje edhe me rregullat e kishës katolike. Momenti historik në Kapelën Sistine ishte hera e parë që një monark dhe Papa bashkohen në një ngjarje të tille që nga vitit 1534, kur Mbreti Henry VIII e shpalli veten kreun e Kishës së Anglisë dhe u shkëput nga autoriteti papnor i Kishës Katolike të Romës. Ky ishte takimi i parë i monarkut 76-vjeçar, kreu i kishës anglikane, me Papa Leonin, që kur ati i shenjtë mori detyrën në muajin maj pas vdekjes së Papa Françeskut. Mirëpo ngjarja historike, u zbeh disi nga skandalet që kanë prekur familjen mbretërore javët e fundit, që lidhen me vëllain e Karl, Princin Andrew.

Një aksident ajror ka ndodhur në aeroportin Paramillo në Táchira, Venezuelë. Një aeroplan me dy motorrë tip Piper Cheyenne, u rrëzua disa sekonda pas ngritjes, pranë Parkut Kombëtar San Cristóbal, dhe shpërtheu në flakë pas përplasjes. Në ngjarje humbën jetën dy persona, piloti me përvojë Toni Bortone dhe pasagjeri Juan Maldonado, ndërsa dy të tjerë u plagosën.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme