Politika 1 August 2025, 16:34 Nga VNA

Gazetarët ngrejnë alarmin: Draft-Kodi Penal cënon fjalën e lirë dhe pavarësinë e medias

Ndaje në Whatsapp
Gazetarët ngrejnë alarmin: Draft-Kodi Penal cënon fjalën e

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (SafeJournalists), partnerët e Nismës për Reagim të Shpejtë për Lirinë e Medias (Media Freedom Rapid Response – MFRR), si dhe një grup i gjerë organizatash të shoqërisë civile në Shqipëri, kanë publikuar një deklaratë të përbashkët, në të cilën shprehin shqetësimin e thellë në lidhje me ndryshimet e propozuara për Draft-Kodin Penal, të publikuar nga Ministria e Drejtësisë.

Deklarata nënvizon se disa nga dispozitat e draftit, konkretisht neni 865 (Shpifja), neni 863 (Fyerja) dhe neni 536 (Ndikimi në pavarësinë e gjykatës), paraqesin kërcënime serioze për lirinë e medias, sigurinë e gazetarëve dhe të drejtën themelore të lirisë së shprehjes në vend.

Pikat kryesore të shqetësimeve të ngritura:

Neni 865 – Shpifja: Parashikon dënime të rënda në rastet kur informacioni publikohet në media ose rrjete sociale, duke hequr elementin e dijenisë për pavërtetësinë e informacionit. Kjo sjell rrezik për gazetarët dhe sinjalizuesit, duke krijuar pasiguri dhe efekt frenues për raportimin investigativ.

Neni 863 – Fyerja: Përdor formulime të paqarta si “shqetësimi i opinionit publik” dhe “zakonet e mira”, duke lënë hapësirë për interpretim subjektiv dhe zbatim selektiv. Sanksionet e parashikuara, përfshirë burgimin, bien ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
Neni 536 – Ndikimi në pavarësinë e gjykatës: Ndalon publikimin e komenteve mbi procedurat gjyqësore, duke minuar transparencën dhe rolin mbikëqyrës të medias. Dispozita bie ndesh me Nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), që garanton lirinë e informacionit.
Neni 852 – Shkelja e Lirisë së Mendimit dhe Shprehjes: Edhe pse njeh të drejtën e lirisë së shprehjes, i mungojnë përkufizime të qarta që do të mundësonin një mbrojtje reale të gazetarëve dhe profesionistëve të medias.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se mosnjohja e gazetarëve si një kategori e mbrojtur posaçërisht përbën një tjetër rrezik serioz për punën e tyre dhe rrit mundësinë për ndjekje penale.

Organizatat kërkojnë që:

Të rishikohen në themel nenet 865, 863 dhe 536, në përputhje me standardet evropiane për të drejtat e njeriut.
Të sigurohet qartësi ligjore dhe formulime të sakta që shmangin interpretimet subjektive dhe zbatimin selektiv.
Të dekriminalizohet shpifja dhe fyerja, duke i trajtuar përmes mekanizmave civilë proporcionalë.
Të ofrohet mbrojtje e qartë për gazetarët, sinjalizuesit dhe punonjësit e medias ndaj dënimeve të pajustifikuara.
Të zhvillohen konsultime gjithëpërfshirëse me shoqërinë civile, gazetarët dhe ekspertët përpara miratimit të çdo ndryshimi në Kodin Penal.

Në deklaratë, gjithashtu theksohet se drafti ende nuk është publikuar në Platformën Elektronike për Konsultim Publik, duke shtuar pasigurinë rreth afateve dhe mënyrës së miratimit të draft Kodit.

Organizatat ritheksojnë se liria e medias dhe e shprehjes janë shtylla thelbësore të demokracisë dhe zhvillimit të shoqërisë shqiptare, si dhe kushte thelbësore për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Ato shprehin gatishmërinë për të mbështetur institucionet shqiptare në përmirësimin e legjislacionit në përputhje me standardet evropiane.

 

Video

Një këngëtare u fishkëllye nga tifozët pasi harroi fjalët e himnit kanadez përpara ndeshjes miqësore Kanada–Peru, të zhvilluar të shtunën, më 3 tetor, në Montreal. Ajo hezitoi që në nisje të interpretimit, duke shkaktuar konfuzion edhe mes futbollistëve vendas. Teksa përpiqej të vazhdonte, këngëtarja harroi sërish tekstin dhe nisi të qeshte në mënyrë nervoze. Nga tribunat u dëgjuan fishkëllima, ndërsa më pas u luajt versioni instrumental i himnit, të cilin e kënduan lojtarët dhe tifozët.

Një shembje masive shkëmbinjsh ndodhi në faqen veriore të majës Tofana di Dentro, pranë Cortina d’Ampezzo në Itali. Në momentin e shembjes, një helikopter i urgjencës po përfundonte shpëtimin e një turisteje 52-vjeçare, e cila kishte dëmtuar gjurin gjatë një ecjeje në Tofana di Rozes. Gruaja u transportua në spitalin Codivilla për të marrë ndihmë mjekësore. Më pas, helikopteri mori në bord dy pjesëtarë të Guardia di Finanza për të kontrolluar nga ajri zonën e prekur. Reja e dendur e pluhurit, e ngritur nga shembja, pengoi për një kohë të gjatë pamjen dhe vështirësoi verifikimet.

Një ushtarak rus ka rrëzuar një dron ukrainas në rajonin e Moskës, duke përdorur sistemin portativ kundërajror 9K38 Igla. Sipas raportimeve, droni dyshohet se ishte gati për sulm dhe po fluturonte drejt një objekti të industrisë së naftës, por u godit përpara se të arrinte objektivin. 9K38 Igla është një sistem raketor portativ rus, i projektuar për goditjen e objektivave ajrore në lartësi të ulëta.

Tensione para Kuvendit të Kosovës, policia përdor gaz lotsjellës Përshkallëzohet situata para Kuvendit të Kosovës. Protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike, ndërsa Policia e Kosovës është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ka shtuar praninë rreth ndërtesës. Tensionet u rritën pasi protestuesit tentuan të pengonin largimin e deputetëve, duke kërkuar miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve ligjore që lidhen me Specialen në Hagë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme