Ervin Salianji ka zhvilluar një takim me mbështetësit e tij në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm qytetarësh, përfshirë edhe disa kandidatë fitues të primareve të Partisë Demokratike që nuk janë përfshirë në listat për deputetë.
Gjatë fjalës së tij, Salianji ka artikuluar kritika të forta ndaj drejtimit aktual të PD-së, duke vënë në shënjestër mënyrën e organizimit dhe vendimmarrjes brenda partisë. Ai theksoi se Partia Demokratike nuk mund të vijë në pushtet pa një mbështetje të gjerë qytetare dhe pa, siç u shpreh, “një epërsi morale”, ndërsa kritikoi ashpër edhe mungesën e garës së brendshme.
Në mënyrë të tërthortë, Salianji ka kërkuar që ish-kryeministri Sali Berisha të përballet me votën dhe garën e brendshme, duke theksuar se PD nuk duhet të mbetet e mbyllur apo e reduktuar në një rreth të ngushtë vendimmarrjeje. Sipas tij, partia duhet të hapet dhe të shmangë përjashtimet politike.
“Sali Berisha duhet të përballet me garën, me votën dhe me përgjegjësitë e veta. PD nuk mund të reduktohet. Zgjedhja është ose të vazhdojë rrugën e tkurrjes, ose të hapë një kapitull të ri”, u shpreh ai, duke shtuar se vetëm përmes hapjes PD mund të rikthehet si forcë qeverisëse.
Salianji kritikoi gjithashtu atë që e cilësoi si mungesë meritokracie brenda partisë, duke deklaruar se “më të dështuarit promovohen dhe më të suksesshmit ndëshkohen”. Ai kërkoi fundin e emërimeve klienteliste dhe kthimin e PD-së në një forcë të hapur ndaj të gjithë faktorëve opozitarë.
Sipas tij, Partia Demokratike duhet të shkëputet nga “berishizmi” dhe të ndërtojë një model të ri politik, modern dhe gjithëpërfshirës. Ai theksoi se opozita duhet të bashkohet dhe të ofrojë një alternativë të fortë ndaj qeverisë aktuale.
“Kjo është një betejë për të ardhmen. PD dhe opozita duhet të bashkohen për të fituar Shqipërinë”, deklaroi Salianji në përmbyllje të takimit.






















