Politika 22 January 2025, 23:11 Nga VNA

Partitë duhet të hedhin në garë 186 kandidatë për 140 karrige

Ndaje në Whatsapp

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi të mërkurën vendimin për caktimin e numrit të kandidatëve në listat e hapura dhe ato të mbyllura në zgjedhjet e 11 majit, në zbatim të marrëveshjes PD-PS, e cila kërkon që partitë pjesëmarrëse të kandidojnë detyrimisht 186 kandidatë në të gjithë vendin, pavarësisht se në zgjedhje do të zgjidhen vetëm 140 deputetë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi të mërkurën se në zbatim të ndryshimeve në kodin zgjedhor të dakordësuara mes opozitës kryesore dhe shumicës socialiste, partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të duhet të paraqesin lista të mbyllura me 46 kandidatë dhe lista të hapura me 146 kandidatë, për një totale prej 186 kandidatësh secila për 140 mandatet parlamentare.

Shqiptarët do të votojnë këto zgjedhje për partinë që preferojnë në njërën anë dhe për kandidatin që preferojnë nga të kandiduarit e kësaj partie në anën tjetër. Vota e tyre do të zgjedhë fillimisht kandidatët fitues të përcaktuar nga partia dhe më pas, nëse partia do të marrë më shumë kandidatë fitues nga sa ka në listat e mbyllura, kandidati me më shumë vota nga listat e hapura do të hyjë në parlament. Formula garanton që kryetarët e partive të mëdha apo të vogla do të jenë përcaktues në shanset për të hyrë në parlament ndërsa në situata të caktuara, suksesi elektoral i një prej kandidatëve në listat e hapura nuk përkthehet automatikisht në fitimin e një ndenjëseje.

Qarku i Tiranës do të ketë këtë herë 37 mandate, ku secila nga partitë do të duhet të garojë në listën e mbyllur 12 kandidatë dhe në listën e hapur, 37 kandidatë. Nëse një parti fiton 12 mandate, të gjithë kandidatët e listës së saj të mbyllur hyjnë në parlament. Nëse një prej kandidatëve të listave të hapura fiton, fjala vjen, 20 mijë vota, ose dyfishi i numrit të zakonshëm të votave që zgjedhin një deputet në Shqipëri, ai nuk hyn në parlament.

Po kështu në Qarkun e Fierit, i cili është i dyti më i madhi, partitë do të garojnë 5 kandidatë në listat e mbyllura dhe 16 në listat e hapura për 16 mandatet e deputetëve që zgjidhen nga ky qark. Në zgjedhjet e vitit 2021, në Fier Partia Socialiste fitoi 9 mandate, Partia Demokratike 6 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, 1 mandat. Në rast se zgjedhjet e vitit 2021 do të ishin zhvilluar me këtë formulën e sotme, nga lista e hapur do të dilnin katër mandate të Partisë Socialiste, një i Partisë Demokratike dhe zero nga LSI.

Në Qarqet Durrës dhe Elbasan, ku zgjidhen 14 deputetë, rezultati në vitin 2021 u nda në 8 mandate për PS dhe 6 për PD-në. Në këtë rast, tre nga mandatet e PS dhe 1 nga PD do të dilnin nga listat e hapura.

Sistemi në përgjithësi duket se forcon dorën e kryetarit të partisë humbëse në zgjedhje ndërsa partia fituese do të ketë më shumë kandidatë nga ata të cilët, ndonëse gjithashtu janë emëruar nga kryetari, kanë konkurruar për vota reale dhe mbështetje reale.

Si edhe në zgjedhjet e shkuara, sistemi është veçanërisht sikletosës për partitë e vogla apo ato të reja që duan të garojnë jashtë tutelës së partive të mëdha. Këto parti do të duhet të gjejnë një numër të lartë kandidatësh figurantë, probabiliteti i të cilëve për t’u zgjedhur është thjeshtë hipotetik. Nëse një parti e vogël synon të fitojë, fjala vjen, një, dy apo tre mandate në qarqet e mëdha dhe nga një mandat për qarqet e vogla, të gjithë kandidatët e saj fitues do të jenë përcaktuar nga listat e mbyllura.

Sistemi elektoral aktual u dakordësua fillimisht nga Sali Berisha dhe Edi Rama në vitin 2008, me një formulë që, në vendet demokratike, me kulturë demokracie të brendshme brenda partive politike, nuk është shumë problem ndërsa në vende me trashëgimi historike si e jona, ka krijuar shqetësime serioze për kontrollin e tejskajshëm të kryetarëve mbi grupet parlamentare dhe krijimin e një parlamenti të paaftë për të kontrolluar ekzekutivin./BIRN/

 

Video

Momente paniku janë regjistruar gjatë një fluturimi të Turkish Airlines, pasi avioni është përballur me turbulenca të forta. Lëkundjet e njëpasnjëshme dhe të dhunshme kanë shkaktuar frikë mes pasagjerëve, ndërsa disa prej tyre nuk kanë mundur ta fshehin panikun gjatë momenteve të tensionit. Pamjet nga brenda kabinës tregojnë situatën e krijuar teksa avioni kalonte në zonën e turbulencave. Turbulencat janë një fenomen i zakonshëm gjatë fluturimeve, por kur janë të forta mund të shkaktojnë lëkundje të menjëhershme dhe situata frike mes udhëtarëve.

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

Check-up nën presion, ndërsa Operatori i Sterilizimit nxiton me tenderin 17,7 milionë euro për kitet dhe reagentët. Për katër nga pesë lotet janë shkurtuar afatet e ofertimit, duke ngritur pikëpyetje për konkurrencën dhe kohën që u lihet kompanive për t’u përgatitur. A do të garantojë nxitimi një garë reale dhe të barabartë?

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme