Bota 2 October 2026, 08:31 Nga VNA

Nuk e vrau dot, por a e la me dëmtim të përhershëm në tru? Rasti Christa Pike dhe sekreti i errët i injeksionit vdekjeprurës në SHBA

Ndaje në Whatsapp
Nuk e vrau dot, por a e la me dëmtim të përhershëm në

Ekzekutimi i Christa Pike në Tennessee nuk dështoi thjesht si procedurë. Ai hapi një nga pyetjet më të rënda të dënimit me vdekje në Amerikë: çfarë ndodh kur shteti nuk arrin ta vrasë të dënuarin, por mund ta lërë atë me dëmtime të përhershme?

Pike, 50 vjeçe, e dënuar me vdekje për vrasjen brutale të Colleen Slemmer në vitin 1995, i mbijetoi të mërkurën dy dozave të pentobarbitalit, ilaçit që Tennessee përdor për injeksionin vdekjeprurës. Ajo u dërgua në spital dhe, sipas avokatëve, ndodhet në gjendje kritike, duke marrë kujdes mjekësor për shpëtimin e jetës. Guvernatori Bill Lee pezulloi ekzekutimet e tjera për këtë vit dhe urdhëroi hetim të pavarur, duke e cilësuar ngjarjen “thellësisht shqetësuese”.

Sipas avokatëve të saj, ekipi i ekzekutimit përdori të paktën shtatë gjilpëra për të gjetur venë. Pike mbeti me djegie dhe flluska në zonat ku u vendosën intravenat. Ekspertët mjekësorë dyshojnë se ilaçi nuk ka hyrë siç duhet në qarkullimin e gjakut, por ka rrjedhur në indet përreth. Ky fenomen njihet si “infiltrim intravenoz” dhe mund të shkaktojë djegie kimike.

Pikërisht këtu qëndron tmerri i rastit: pentobarbitali mund të mos ketë arritur ta ndalojë frymëmarrjen, por mund të ketë ulur oksigjenimin ose qarkullimin në atë masë sa të shkaktojë dëmtim të trurit. Avokatët thanë se ende nuk dihet prognoza e saj, ndërsa një ekspert mjekësor paralajmëroi se ajo mund të përballet me komplikacione shumë të rënda.

Në Amerikë, dënimi me vdekje zbatohet kryesisht nga shtetet, jo nga qeveria federale, dhe procedurat ndryshojnë nga një shtet në tjetrin. Metoda më e zakonshme është injeksioni vdekjeprurës, i prezantuar si një formë më “humane” se karrigia elektrike, varja apo skuadra e pushkatimit. Por për dekada, ky pretendim është vënë në dyshim.

Në teori, injeksioni vdekjeprurës duhet ta çojë të dënuarin në humbje ndjenje, ndalim frymëmarrjeje dhe më pas arrest kardiak. Tennessee përdor pentobarbitalin si ilaç të vetëm. Ky është një barbiturat që ul aktivitetin e sistemit nervor, përdoret në mjekësi për sedacion dhe në doza të larta mund të shkaktojë koma, ndalim frymëmarrjeje dhe vdekje⁠.

Problemi është se procedura nuk kryhet në kushte normale mjekësore. Shumica e mjekëve dhe anesteziologëve nuk marrin pjesë në ekzekutime për arsye etike. Kjo do të thotë se shpesh janë punonjës të sistemit korrektues ata që kryejnë një procedurë me pasoja absolute: jetë ose vdekje.

Rasti Pike e bën edhe më të rëndë këtë debat. Avokatët kishin paralajmëruar më parë se ajo kishte vena të vogla dhe probleme mjekësore që mund ta bënin procedurën agonizuese. Gjatë ekzekutimit të dështuar, sipas dëshmitarëve, ajo u ankua për djegie në krah dhe ndjesinë sikur krahu do t’i shpërthente. Për ekspertët, kjo duhej të kishte qenë sinjal alarmi se intravenozja nuk po funksiononte siç duhej.

Donald Trump reagoi pasi u pyet nga gazetarët se si mund të dështonte një ekzekutim i tillë. Ai tha se për përgjigje duhej pyetur shteti i Tennessee, ndërsa më pas shtoi se “nuk duhet të jetë shumë e vështirë” ⁠. Por ky është pikërisht thelbi i debatit: shteti amerikan e paraqet injeksionin vdekjeprurës si procedurë të kontrolluar, ndërsa raste si ky tregojnë se pas dyerve të mbyllura mund të ketë dhimbje, kaos dhe mungesë përgjegjësie.

Tennessee thotë se ka ndjekur protokollin. Por protokolli vetë duket se ka një boshllëk fatal: parashikon dozë të dytë nëse i dënuari nuk vdes pas së parës, por nuk sqaron çfarë ndodh nëse njeriu mbetet gjallë edhe pas dozës së dytë.

Kështu, Christa Pike nuk është më vetëm emri i një të dënuare me vdekje. Ajo është bërë rasti ku shteti nuk arriti të kryejë ekzekutimin, por mund të ketë prodhuar diçka edhe më të errët: një njeri të mbijetuar nga vdekja e urdhëruar, me rrezikun e një truri të dëmtuar përgjithmonë.

Video

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë zhvilloi mbrëmjen e së premtes pritjen zyrtare të mirëseardhjes për ambasadorin e ri amerikan, Eric Wendt

Misioni Crew-13 i SpaceX ka mbërritur në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) vetëm tetë orë pas nisjes, duke vendosur një rekord të ri amerikan. Në bord ndodheshin katër persona: dy astronautë amerikanë, një kanadez dhe një kozmonaut rus. Koha rekord e udhëtimit dëshmon për përparimin e procedurave të fluturimit dhe ankorimit në stacionin orbital.

Dhuna dhe përplasjet me policinë po shoqërojnë protestat e nxënësve në Francë, ndërsa janë ngritur akuza për përdorim të tepruar të forcës ndaj të miturve. Në disa qytete është përdorur gaz lotsjellës dhe janë raportuar zjarre e incidente mes protestuesve dhe forcave të rendit. Protestat lidhen me mungesën e mësuesve, klasat e mbipopulluara dhe financimin e pamjaftueshëm të arsimit. Autoritetet kanë mobilizuar forca speciale, ndërsa sindikatat paralajmërojnë vazhdimin e protestave.

Ftojmë të gjithë që të vijnë e të na shërbejnë

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme