Presidenti amerikan Donald Trump ka shmangur dhënien e një mbështetjeje të drejtpërdrejtë për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për një mandat tjetër, në prag të zgjedhjeve të 27 tetorit në Izrael.
Në një intervistë për revistën “TIME”, të zhvilluar të hënën dhe të publikuar të enjten, Trump u pyet nëse izraelitët duhet t’i japin Netanyahut një tjetër mandat. Presidenti amerikan fillimisht tha se nuk ishte më i përfshirë në politikë, ndërsa kur u pyet sërish, e zhvendosi përgjigjen te mbështetja e tij për sigurinë e Izraelit.
“Gjëja ime kryesore është se dua t’i ndihmoj ata të mbrojnë Izraelin”, tha Trump, duke mos dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë në favor të Netanyahut.
Në vend të njw qwndrimi të qartë, Trump foli për popullaritetin e tij në Izrael, duke pretenduar se mbështetja ndaj tij atje arrin në rreth 99 për qind, ndërsa përmendi edhe politikat që administrata e tij ka ndjekur në raport me Izraelin.
I pyetur për mundësinë që Uashingtoni të bashkëpunonte me kandidatin opozitar Gadi Eisenkot, ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Trump tha se nuk kishte dëgjuar gjëra të këqija për të. Megjithatë, ai paralajmëroi se Netanyahu nuk duhet nënvlerësuar.
“Njerëzit e kanë konsideruar Bibin të mbaruar shumë e shumë herë, ashtu siç më kanë konsideruar edhe mua të mbaruar shumë e shumë herë. Unë nuk do ta nënvlerësoja Bibin”, tha Trump.
Trump u pyet gjithashtu për raportimet se Netanyahu kishte marrë paralajmërime nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe përpara sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023. Presidenti amerikan shprehu mosbesim ndaj këtij versioni.
“Nuk mendoj kështu. Mendoj se po ta kishte ditur, do të kishte bërë diçka për këtë. Sigurisht, do t’i kishte vënë njerëzit të paktën në gatishmëri”, tha ai.
Në pjesën tjetër të intervistës, Trump foli gjerësisht edhe për luftën me Iranin dhe tha se kishte zgjedhur të zgjeronte operacionet ushtarake, pavarësisht se vlerësimet fillestare parashikonin një konflikt më të shkurtër.
Ai deklaroi se kishte pasur mundësinë ta ndalte operacionin më herët, por vendosi të vazhdonte, duke argumentuar se synimi ishte dëmtimi i infrastrukturës ushtarake dhe bërthamore të Iranit.
Trump foli edhe për Ngushticën e Hormuzit dhe pretendoi se Irani kishte arritur ta mbyllte për një periudhë, por më pas SHBA-ja mori kontrollin e kalimit strategjik. Ai konfirmoi gjithashtu se kishte refuzuar një propozim iranian për armëpushim, duke argumentuar se kushtet nuk ishin të mjaftueshme.
I pyetur nëse SHBA-ja mund të intensifikojë përsëri sulmet ndaj Iranit pas zgjedhjeve të ndërmjetme të nëntorit, Trump fillimisht tha se një skenar i tillë ishte “i mundur”, por më pas refuzoi të jepte detaje.
“Nuk mund t’jua them këtë”, u përgjigj presidenti amerikan.
Ndërkohë, zgjedhjet izraelite të 27 tetorit po afrohen, me Netanyahun që kërkon një tjetër mandat dhe Gadi Eisenkot që shfaqet si një prej rivalëve kryesorë të tij.






















