
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka lënë jashtë disa prej aleatëve kryesorë të NATO-s nga një takim i planifikuar të zhvillohet në Poloni, ku pritet të diskutohet e ardhmja e Aleancës.
Sipas raportimeve, Britania e Madhe, Franca dhe vendet baltike nuk kanë marrë ftesë për takimin, pavarësisht rolit të tyre të rëndësishëm në NATO dhe shpenzimeve të konsiderueshme për mbrojtjen. Takimi po organizohet me nismën e zyrtarit të lartë të Pentagonit, Elbridge Colby.
Formati parashikohet si një grup pune i kufizuar për diskutimin e së ardhmes së NATO-s. Në takime të mëparshme të këtij formati kanë marrë pjesë Norvegjia, Suedia, Finlanda, Polonia, Gjermania dhe Holanda. Diplomatët e vendeve të lëna jashtë kanë kërkuar sqarime mbi kriteret e përzgjedhjes.
Vendimi ka ngritur shqetësime mes disa diplomatëve se Uashingtoni mund të jetë duke favorizuar një grup të caktuar aleatësh, duke shtuar tensionet brenda NATO-s në një periudhë kur Aleanca përballet me sfida të rëndësishme të sigurisë.
Sipas raportimeve, Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar mbi çështjen, ndërsa Pentagoni ka refuzuar të japë sqarime për arsyet e përjashtimit të disa prej aleatëve nga takimi.






















