Nga Sarah Hucal – DW
Nga kalimi i Giorgia Melonit prej kostumeve të errëta te ngjyrat pastel, deri te xhaketat karakteristike të Angela Merkelit, politikanët kanë përdorur prej kohësh veshjen për të ndikuar në mënyrën se si perceptohen nga votuesit. Sot, ajo që njihet si power dressing ka marrë forma të reja.
E veshur shpesh me ngjyra pastel dhe pantallona të gjera që mbulojnë takat e saj të larta, kryeministrja e parë grua e Italisë nuk mund t’i shpëtojë vëmendjes së botës së modës. Dhe kjo jo vetëm sepse Giorgia Meloni drejton një vend që konsiderohet një prej kryeqendrave botërore të modës.
“Moda është një gjuhë: ajo na tregon se çfarë dëshiron të thotë personi që e vesh, pa pasur nevojë për fjalë”, shpjegon për DW Michela Bonafoni, pedagoge e modës në Unicollege në Firence.
Sipas saj, veshja mund të jetë shumë pranë personalitetit të njeriut, por mund të përdoret gjithashtu për të krijuar një përshtypje tjetër. Dhe pikërisht këtë, sipas Bonafonit, Meloni e bën vazhdimisht.
Stili i saj mund të lexohet si pjesë e një transformimi politik shumë më të gjerë: kalimi nga një figurë jashtë establishmentit në një prej protagonisteve të politikës europiane.
Kur mori drejtimin e qeverisë italiane në vitin 2022, imazhi i Melonit ishte ende i lidhur fort me identitetin politik që kishte ndërtuar si drejtuese e partisë së djathtë Fratelli d’Italia. Në daljet e para zyrtare si kryeministre, ajo zgjidhte kryesisht kostume të errëta, të lidhura tradicionalisht me imazhin klasik të pushtetit.
Sipas Bonafonit, mesazhi vizual ishte i qartë: Meloni donte të tregonte se kishte mbërritur në qeveri dhe se pozicioni i saj nuk ishte më ai i një politikaneje periferike.
Nga kostumet e errëta te ngjyrat pastel
Me kalimin e kohës, pamja e Melonit është zbutur dukshëm.
Ajo shfaqet gjithnjë e më shpesh me pantallona të gjera dhe kostume në ngjyrë krem, bezhë, rozë, blu të çelët dhe tonalitete të tjera pastel. Ndryshimi i stilit ka përkuar edhe me konsolidimin e saj si figurë e politikës europiane, afrimin me institucionet e Bashkimit Europian dhe pozicionimin e saj të fortë në mbështetje të Ukrainës.
Në politikën e brendshme, megjithatë, Meloni ka ruajtur linjën e saj konservatore, e cila ka shkaktuar kundërshti edhe brenda një pjese të industrisë italiane të modës. Asnjë prej shtëpive të mëdha të luksit nuk ka dalë publikisht për ta marrë përsipër stilimin e saj.
Kjo nuk e ka penguar Melonin ta përdorë modën si një instrument për t’iu afruar një publiku më të gjerë.
Bonafoni e interpreton kalimin drejt pastelëve si një mënyrë për të zbutur mesazhin politik: ngjyrat e buta krijojnë perceptimin e afërsisë, mirëkuptimit dhe një figure më pak konfrontuese.
Në të njëjtën kohë, Meloni zgjedh shpesh stilistë dhe marka “Made in Italy”, duke e lidhur imazhin e saj personal me një prej elementeve më të fuqishme të identitetit dhe ekonomisë italiane.
Në Salone del Mobile në Milano, në prill, kryeministrja zgjodhi një pamje dukshëm më të çlirët: xhinse dhe një xhaketë bezhë.
Sipas Bonafonit, edhe ky ishte një mesazh politik pa fjalë: një mënyrë për të komunikuar afërsi me njerëzit e zakonshëm, por njëkohësisht siguri në pozicionin e saj si drejtuese e qeverisë.
Ky stil, sipas ekspertes, e afron Melonin edhe me mënyrën më informale të veshjes që përdorin disa politikane amerikane.
Angela Merkel dhe “uniforma” politike
Por pushteti nuk kërkon domosdoshmërisht ndryshimin e vazhdueshëm të garderobës. Për disa gra në politikë, pikërisht vazhdimësia e stilit është shndërruar në instrument komunikimi.
Angela Merkel krijoi një prej garderobave më të dallueshme të politikës moderne.
Formula ishte pothuajse gjithmonë e njëjtë: pantallona dhe një xhaketë me tre kopsa. Ndryshonin kryesisht ngjyrat, të cilat gjatë viteve përfshinë pothuajse të gjithë spektrin.
Thjeshtësia u kthye në një lloj uniforme. Vëmendja mbetej te Merkel si politikane dhe jo te moda që ajo kishte zgjedhur.
Edhe kjo është një formë e power dressing: përsëritja krijon një identitet vizual aq të fortë, sa veshja pushon së qeni lajm.
Nga Margaret Thatcher te Hillary Clinton
Përdorimi politik i veshjes nuk është fenomen i ri.
Gratë që kanë hyrë në hapësira pushteti tradicionalisht të dominuara nga burrat janë përballur prej dekadash me një dilemë: si të projektojnë autoritet pa humbur identitetin e tyre dhe pa lejuar që veshja të mbulojë mesazhin politik.
Margaret Thatcher ndërtoi një imazh të kontrolluar deri në detaje, duke kombinuar kostumet klasike me elemente të dallueshme femërore.
Hillary Clinton e shndërroi kostumin me pantallona në një prej elementeve më të njohura të identitetit të saj publik.
Angela Merkel zgjodhi uniformitetin.
Giorgia Meloni, në vend të kësaj, duket se po përdor transformimin.
Kur moda bëhet politikë
Veshja e politikanëve nuk është thjesht çështje estetike. Ajo mund të komunikojë autoritet, afërsi, stabilitet, rebelim apo ndryshim shumë përpara se politikani të fillojë të flasë.
Në rastin e Melonit, kalimi nga kostumet e errëta drejt ngjyrave pastel përkon me transformimin e saj nga një politikane e perceptuar si e ardhur nga skajet e së djathtës italiane në një kryeministre të konsoliduar në skenën europiane.
Ngjyrat janë bërë më të buta, siluetat më të lirshme dhe pamja më pak konfrontuese.
Politika e saj nuk është domosdoshmërisht zbutur në të njëjtën masë.
Por imazhi po.
Dhe pikërisht këtu qëndron fuqia e veshjes politike: përpara se një udhëheqës të thotë se kush është, garderoba mund ta ketë dhënë tashmë përgjigjen.






















