
Mjekë dhe studentë janë mbledhur sot përpara Kryeministrisë, ku po vijojnë protestën e tyre, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike.
Protestës së studentëve u janë bashkuar edhe përfaqësues të personelit shëndetësor, të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre për të rinjtë dhe kanë dënuar dhunën ndaj protestuesve.
Pas marshimit në rrugët e Tiranës, studentët e Mjekësisë dhe Infermierisë, së bashku me mjekët dhe pedagogët, kanë mbërritur përpara godinës së qeverisë, ku po vijojnë tubimin me thirrje për dorëheqjen e Ramës.
Mjeku dhe pedagogu Ermal Pashaj, në një deklaratë për mediat, kërkoi marrjen e përgjegjësisë politike për situatën e krijuar, ndërsa u bëri thirrje protestuesve të shmangin veprimet e rrezikshme dhe të ruajnë karakterin paqësor të tubimit.
Protesta zhvillohet në ditën e 11-të të bojkotit universitar, ndërsa studentët vijojnë të kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale në vend.






















