Sociale 11 October 2026, 15:05 Nga VNA

Mendon se nuk jeton dot pa smartphone? Pse një telefon me kapak mund të jetë një përmirësim në jetën tënde

Ndaje në Whatsapp
Mendon se nuk jeton dot pa smartphone? Pse një telefon me kapak mund

Shumë prej nesh ëndërrojnë të mos jenë të lidhur pas telefonit gjatë gjithë ditës, të ndërprerë vazhdimisht nga njoftimet dhe mesazhet që na kujtojnë se kemi ende gjëra për të kontrolluar.

Por ndoshta mendon se nuk mund të jetosh pa një smartphone. Si do të gjeje rrugën gjatë udhëtimit me makinë, do të hapje biletat e koncertit apo do të përdorje menutë e restoranteve përmes kodeve QR?

Në fakt, ekziston një mënyrë tjetër jetese, madje shumë më e mirë, sipas August Lamm, një artiste vizuale dhe aktiviste nga pjesa veriore e shtetit të Nju-Jorkut, e cila promovon reduktimin e përdorimit të teknologjisë. 

 

Në librin e saj të ri, “You Don’t Need a Smartphone: A Practical Guide to Downgrading Your Phone and Upgrading Your Life” (“Nuk të duhet një smartphone: Një udhëzues praktik për të kaluar te një telefon më i thjeshtë dhe për të përmirësuar jetën”), Lamm argumenton se përfitimet e të mos pasurit një pajisje të tillë janë shumë më të mëdha se vështirësitë që mund të sjellë.

Lamm ndiente se ishte e varur nga telefoni dhe kuptoi se po kalonte më shumë kohë para ekranit sesa duke krijuar art. Për këtë arsye, në vitin 2022, pak pas ditëlindjes së saj të 27-të, vendosi të hiqte dorë nga smartphone-i.

Libri përmbledh përvojën e saj personale, argumentet se pse të tjerët duhet të bëjnë të njëjtën zgjedhje dhe këshillat se si mund ta realizojnë këtë ndryshim.

Edhe studime të shumta shkencore mbështesin shqetësimet e saj. Sipas Zyrës së Kirurgut të Përgjithshëm të SHBA-së, të rinjtë e moshës 13 deri në 18 vjeç kalojnë mesatarisht më shumë se tetë orë në ditë para ekraneve. Ndërkohë, njerëzit që kalojnë tepër kohë para tyre kanë nivele më të ulëta të shëndetit fizik dhe mendor, si dhe të mirëqenies.

CNN bisedoi me Lamm për mënyrën se si kalimi te një telefon me kapak, pa qasje në internet, ia ndryshoi jetën dhe për atë që ky ndryshim mund të sjellë edhe në jetën e të tjerëve.

Biseda është redaktuar lehtë dhe shkurtuar për qartësi.

CNN: Ju thoni se mungesa e një smartphone-i dhe e rrjeteve sociale ju ka ndihmuar të krijoni lidhje më të thella me njerëzit. Si ka ndodhur kjo?

August Lamm: Kur hoqa dorë nga smartphone-i, kisha frikë se do të humbisja kontaktet me njerëzit që tashmë bënin pjesë në rrethin tim shoqëror dhe se do ta kisha më të vështirë të njihja njerëz të rinj, sepse nuk do të mund të shihja njoftimet për aktivitetet në internet.

Por, pasi hoqa dorë nga telefoni, kuptova se në të vërtetë po bëja më shumë miq dhe se miqësitë që kisha tashmë u bënë më të forta.

Një nga arsyet është se përcjell më shumë energji të hapur shoqërore kur nuk e shpërqendron një pjesë të saj duke u marrë me një pajisje. Kur je me njerëz, je plotësisht e pranishme. Kur nuk je me të tjerë, ritmet e tua natyrore, nevoja për të kaluar kohë vetëm dhe nevoja për shoqëri, rikthehen në ekuilibër.

Kur ke një smartphone, këto gjëra ngatërrohen. Ti hyn në një gjendje izolimi edhe kur je mes njerëzve, duke parë telefonin, ndërsa në momentet kur je vetëm, hyn në një gjendje shoqërizimi përmes pajisjes. Vura re se energjia ime ishte më e përqendruar dhe më e ekuilibruar, dhe mendoj se njerëzit reaguan pozitivisht ndaj kësaj.

Një tjetër ndryshim ishte se fillova t'u kushtoja më shumë rëndësi miqësive të mia dhe kjo i detyroi edhe miqtë të ishin më të kujdesshëm në mënyrën se si mbanin kontakt me mua.

Ata nuk mund të publikonin thjesht një histori në rrjetet sociale për pushimet apo statusin e tyre të marrëdhënies dhe të prisnin që unë të merrja vesh gjithçka. Duhej të ma tregonin në telefon ose personalisht, jo përmes një grupi mesazhesh, sepse unë nuk mund të përdor as bisedat në grup.

Pasi njerëzit u mësuan me këtë, komunikimi u kthye në një mundësi për të ndarë dhe përjetuar së bashku një ngjarje të caktuar të jetës, në vend që ajo të publikohej në mënyrë të përgjithshme dhe jopersonale për të gjithë.

Gjithashtu, fillova të njihja shumë më tepër njerëz. Kur dilja dhe takoja dikë që më pëlqente, në vend që t'i thosha: “Le të ndjekim njëri-tjetrin në rrjetet sociale”, i propozoja aty për aty: “Le të planifikojmë diçka për javën e ardhshme” ose “Po organizoj një aktivitet”. Kështu, nuk na duhej të bënim përpjekje të tjera për ta konkretizuar takimin pasi të ishim ndarë.

CNN: Ju vini në dukje se njerëzit kontrollojnë telefonat për t'u larguar nga ndjenjat negative. Si është të mos e kesh më këtë mundësi?

Lamm: Në fillim, ndihesh sikur je e mbyllur në një kafaz, pa asnjë mënyrë të dobishme për të përballuar atë që ndien. Duhet të përballesh me emocione që ndoshta nuk i ke përjetuar drejtpërdrejt prej një ose dy dekadash.

Më pas, me kalimin e kohës, gjen mënyra të tjera, larg teknologjisë, për të përmbushur të njëjtën nevojë. Kur je e stresuar, telefonon një mik, lexon një libër, del për një shëtitje ose dëgjon muzikë. Gjen një mënyrë për të mbushur boshllëkun, por në një formë më të shëndetshme.

Një tjetër gjë që ndodh është se, kur shfaqen emocionet, ato nuk të duken më aq alarmuese. Ndihem aq rehat me veten, saqë them: “Në rregull, po ndihem kështu”. Jam mësuar me këtë gjendje.

CNN: Njerëzit mendojnë se smartphone-i na kursen kohë, por ju thoni se pa të keni më shumë kohë të lirë se kurrë. Si ka ndodhur kjo dhe si ndikon në jetën tuaj?

Lamm: Nëse kalojmë pesë orë në ditë duke lëvizur nëpër përmbajtjet e telefonit dhe më pas ndalojmë së bëri këtë, duke rifituar pesë orë në ditë, nuk ka asnjë mundësi që të na duhen pesë orë për të telefonuar kompaninë e shërbimeve utilitare, në vend që ta paguajmë faturën në internet, për të shkuar në zyrën postare apo në bibliotekë për të printuar një biletë autobusi.

Këto janë gjëra që njerëzit i konsiderojnë jashtëzakonisht të papërshtatshme. Në të vërtetë, ato kërkojnë vetëm pak më shumë kohë dhe kanë edhe përfitime të tjera: të japin mundësinë të shoqërohesh me njerëz, të dalësh jashtë dhe të bësh aktivitet fizik kur ecën deri në ato vende.

Nuk e përfundon ditën duke thënë: “E harxhova kot kohën në internet”, por gjithçka ndodh përmes këtyre kontrolleve të shkurtra e të përsëritura. Janë ato momente të vogla kur i përgjigjesh një mesazhi dhe më pas kontrollon shpejt titujt e lajmeve. Nëse e bën këtë 50 herë në ditë, koha e kaluar para ekranit arrin në disa orë. Nëse e heq këtë mundësi, e gjithë ajo kohë të rikthehet.

Kjo ma ka ndryshuar plotësisht jetën. Edhe në periudhat më të ngarkuara, kur kam shumë punë dhe jam nën presion të madh, përsëri kam disa orë kohë të lirë çdo ditë. Nuk e ndiej më atë nivel tmerri dhe paniku që përjetoja kur i kisha pajisjet me vete.

Të gjithë kemi krijuar idenë se jemi shumë të zënë dhe unë thjesht dua ta vë këtë bindje në pikëpyetje.

Video

Një sulm me raketa pranë një dyqani në periferi të Kharkivit, në Ukrainë, ka shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e nëntë të tjerëve. Mes të plagosurve raportohet se është edhe një fëmijë. Sulmi është kryer nga Rusia, ndërsa deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi rrethanat e goditjes dhe identitetin e viktimave.

Pra, në Ministrinë e Arsimit tashmë nuk mjafton të bësh mirë vetëm punën. Duhet të mendohesh dy herë edhe para garderobës dhe pasqyrës🤔

Nëna humb foshnjën në javën e 38-të të shtatzënisë, hetimi zbuloi si shkak mosfunksionimin e monitorit të matjes së rrahjeve të zemrës

Një fluturim i kompanisë ajrore indiane IndiGo u devijua drejt Hyderabadit pasi një pajisje elektronike personale, dyshohet një bateri portativ, filloi të nxirrte tym dhe mori flakë në bord. Fatmirësisht, të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit janë jashtë rrezikut. Ngjarja shkaktoi panik mes pasagjerëve, ndërsa pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë disa prej tyre duke u përpjekur të izolojnë baterinë me çanta për të frenuar përhapjen e zjarrit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme