Në sezonin 2026–2027, televizionet shqiptare po mbështeten tek ajo që platformat globale e kanë më të vështirë ta zëvendësojnë: transmetimi live, sporti, aktualiteti dhe përmbajtja lokale. Në të njëjtën kohë, programet po konceptohen që të vazhdojnë jetën e tyre edhe në YouTube, TikTok, Instagram dhe platformat digjitale të vetë televizioneve. Krahas programeve të konsoliduara dhe formateve të reja, sfida mbetet të ruhet publiku tradicional pa humbur brezat e rinj, që kërkojnë ritëm më të shpejtë dhe përmbajtje që kalon natyrshëm nga një ekran te tjetri. Kjo po nxjerr në pah edhe mungesën e burimeve njerëzore të kualifikuara, ndërsa televizionet përpiqen të kombinojnë emrat e konsoliduar me breza të rinj profesionistësh. Ndërkohë, teksa një pjesë e reklamës zhvendoset drejt rrjeteve sociale dhe influencerëve, televizioni po mbështetet tek audienca masive, eventet live dhe besueshmëria e markës të krijuara ndër vite.
Nertila Maho
Në një kohë kur publiku ka më shumë ekrane se kurrë, televizionet shqiptare po përpiqen të ruajnë një avantazh që Netflix, YouTube apo TikTok nuk e kanë në të njëjtën mënyrë: aftësinë për të mbledhur shumë njerëz rreth të njëjtit moment. Programacioni i sezonit 2026–2027 e reflekton qartë këtë përpjekje, me më shumë transmetime të drejtpërdrejta, evente të mëdha dhe përmbajtje lokale.
Prej vitesh, gara për audiencën ka dalë përtej kufijve të televizionit. Streaming-u, YouTube, TikTok-u dhe Instagram-i kanë ndryshuar jo vetëm atë që shikohet, por edhe kur, ku dhe për sa kohë konsumohet një përmbajtje.
Kjo është veçanërisht e dukshme te brezat më të rinj, Gen Z, për të cilët ekrani i televizorit është vetëm një ndër shumë mundësi.
Por, përgjigjja e televizioneve nuk është të heqin dorë nga modeli tradicional, por të mbështeten më fort tek ajo që i dallon prej platformave: transmetimi live, sporti, aktualiteti, spektaklet dhe përmbajtja lokale.
Ndërkohë, edhe vetë programi televiziv po ndryshon. Ai nuk konceptohet më vetëm për orarin kur transmetohet, por edhe për jetën që mund të ketë më pas në rrjete sociale apo platformat e vetë televizioneve. Në njëfarë mënyre, programi nuk mbaron më kur fiket ekrani.
“Live”, territori ku televizioni ende ka avantazh
Transmetimi i drejtpërdrejtë mbetet një nga pikat më të forta të programacionit televiziv në vend.
Në një treg ku streaming-u dhe platformat digjitale ofrojnë përmbajtje të pafundme sipas kërkesës, televizionet po investojnë më shumë tek ato formate që lidhen me momentin: aktualiteti, debatet, programet e mëngjesit, sporti dhe spektaklet që ndiqen në kohë reale.
Secili televizion e ndërton këtë avantazh në mënyrën e vet, duke vënë theksin te pjesë të ndryshme të programacionit.
Albert Dumani, Drejtori i Programacionit dhe Blerjeve në TV KLAN, për të theksuar këtë aspekt sjell në vëmendje Botërorin 2026 që sipas tij konfirmoi se ngjarjet e mëdha sportive vazhdojnë të kenë aftësinë të bashkojnë publikun para ekranit në të njëjtën kohë.
Klan transmetoi të gjitha ndeshjet e Botërorit pa pagesë për publikun shqiptar dhe ka blerë të drejtat ekskluzive të EURO 2028, duke e mbajtur sportin live si pjesë të rëndësishme të strategjisë së tij për vitet e ardhshme.
Por sporti është vetëm një pjesë e kësaj logjike. Z. Dumani veçon gjithashtu aktualitetin, debatet politike dhe programet që lidhen drejtpërdrejt me realitetin shqiptar. Platformat globale mund të kenë “gamë” shumë më të madhe përmbajtjeje, por, sipas tij, nuk mund të zëvendësojnë një debat politik në kohë reale, një ndeshje të Kombëtares apo një histori lokale që krijon diskutim publik.
Edhe Fatos Risto¸ Drejtor i Programacionit në Vizion Plus, i qëndron kësaj ideje. Sipas tij “Live” është vendosur drejtpërdrejt në qendër të strategjisë së sezonit të ri.
Programacioni shtrihet nga e hëna në të shtunë në disa prej fashave kryesore të ditës, ndërsa transmetimi i drejtpërdrejtë renditet si e para ndër pesë shtyllat e ofertës së re, krahas formateve premium në prime time, aktualitetit, zgjerimit të fashave ditore dhe serialeve ekskluzive.
Z. Risto e lidh këtë zgjedhje me ndryshimin e mënyrës se si shihet televizioni. Sipas tij, edhe programet e mëngjesit dhe paradites janë transformuar duke pasur më shumë raportime live, më shumë lidhje me jashtë, më shumë rotacion të temave dhe të ftuarve dhe përmbajtje që lidhet me nevojat e momentit.
Programet, thotë ai, po kthehen në një lloj “shërbimi të drejtpërdrejtë”, ku përfshihen që nga trafiku e moti, deri tek informacionet nga interneti dhe raportimet në terren.
Ky orientim bëhet më i kuptueshëm përballë streaming-ut. “Platformat e mëdha të streaming-ut mund të të japin mijëra tituj, por nuk të japin dot përjetimin e çastit”, thotë z. Risto. Pikërisht kjo ndjesi se diçka po ndodh tani, para syve të publikut, mbetet një nga avantazhet që televizionet po përpiqen ta shfrytëzojnë më fort.

Një program dhe shumë ekrane
Konkurrenca me platformat digjitale nuk po e shtyn televizionin vetëm drejt transmetimeve live. Ajo po ndryshon edhe vetë mënyrën se si ndërtohet, shpërndahet dhe konsumohet një program. Përmbajtja nuk mendohet më vetëm për orën kur del në ekran, por edhe për atë që ndodh me të më pas.
Z. Dumani vlerëson se kjo strategji mbështetet edhe tek infrastruktura digjitale e televizionit. Sipas tij, aplikacioni “Klani Im” transmeton live programet dhe ofron një platformë OTT me më shumë se 26 kanale televizive shqiptare dhe pesë radio. Përmes funksionit “catch up”, programet mbeten të disponueshme për shtatë ditë pas transmetimit.
Por ideja shkon përtej mundësisë për të parë më vonë atë që është transmetuar në televizor. Sipas tij, përmbajtja duhet të vazhdojë jetën e saj në YouTube, web dhe rrjetet sociale, përmes klipeve, intervistave dhe materialeve të tjera.
“Synimi është që çdo përmbajtje televizive të ketë një ‘jetë’ të dytë digjitale”, thotë ai.
Për z. Risto, kjo logjikë hyn edhe më herët në proces që në momentin kur programi konceptohet. Sipas Fatos Ristos, produksioni sot mendon “multi-platform” që në fazën e zhvillimit. Një format si “Ferma VIP” nuk ndërtohet vetëm për episodin televiziv. Ekipet mendojnë njëkohësisht për videon e shkurtër, momentin që mund të bëhet viral dhe personazhet që mund të funksionojnë edhe në rrjetet sociale.
“Episodi nuk mbaron me shfaqjen televizive, e vazhdon rrugëtimin e tij online”, thotë z. Risto.
Kështu ndryshon edhe marrëdhënia mes televizionit dhe platformave që deri pak vite më parë shiheshin kryesisht si konkurrente për kohën e publikut. Një moment prej pak minutash në ekran mund të vazhdojë të qarkullojë për orë apo ditë në Instagram, TikTok, Facebook ose YouTube.
Në finale televizioni dhe rrjetet sociale tashmë “ushqejnë” njëri-tjetrin ku njëri krijon momentin, tjetri ia zgjat jetën.
Kufiri mes televizionit dhe internetit, për rrjedhojë, po bëhet gjithnjë e më pak i dukshëm. Programi mund të lindë për ekranin tradicional, por jeta e tij nuk përcaktohet më vetëm nga ora e transmetimit. Ai mund të nisë në televizor dhe të vazhdojë, në forma të tjera, në shumë ekrane të tjera.
Mes programeve të konsoliduara dhe atyre të reja
Përballë këtij ndryshimi teknologjik, televizionet kombinojnë strategji për ndërtimin e programacionit.
Së pari mbështesin fort markat e konsoliduara. Z. Dumani nënvizon se janë disa emisione bazë që qëndrojnë në themel të programacionit si “Opinion”, që mbush këtë sezon 30 vjet në ekran, “E Diela Shqiptare” dhe “Aldo Morning Show” kanë rreth 18 vjet, “Stop” që hyn në vitin e 12-të, dhe “Histori Shqiptare” në sezonin e dhjetë. Në programacion mbeten gjithashtu “Rudina”, “Pro Business”, “Kënga Magjike”, ndërsa nga nëntori rikthehet “X Factor Albania”.
Për z. Dumani, jetëgjatësia e një programi nuk është argument për ta zëvendësuar. Sipas tij, publiku nuk kërkon domosdoshmërisht ndryshimin e emrit apo formatit, por cilësi, besueshmëri dhe një përmbajtje që vazhdon të lidhet me realitetin. “Sfida nuk është t’i zëvendësosh programet që funksionojnë, por t’i mbash të gjalla dhe pranë realitetit dhe shijeve të kohës”, thotë ai.
Edhe raporti mes prodhimit vendas dhe përmbajtjes së importuar mbetet i pandryshuar në Klan: rreth 75% përmbajtje lokale dhe 25% e blerë.
Ndërkohë qasja tjetër është që të shtosh numrin e pikave të kontaktit me audiencën ku përveç bazës të kesh edhe prurje të reja. Sipas z. Risto, përveç programeve ditore si “7 pa 5”, “Mes’Dritë”, “Takohemi n’Vizion”, “E-Zone” apo “Të Paekspozuarit”, programacioni mbështetet edhe te formatet e licencuara “Ferma VIP” dhe “Albania’s Got Talent”, ndërsa dramat turke vazhdojnë të mbulojnë një pjesë të rëndësishme të pasdites dhe mbrëmjes.
Z. Risto i përshkruan formatet e mëdha si “pikat e gravitetit të audiencës”. Programet që klasifikohen tek reality nuk krijojnë vetëm shikueshmëri televizive, por prodhojnë edhe volum për rrjetet sociale dhe angazhim që vazhdon përtej transmetimit.
Ai nënvizon se reality show-t, vazhdojnë të tërheqin vëmendje për shkak të historive, reagimeve dhe situatave të paparashikueshme, ndërsa talent show-t ruajnë profilin e tyre familjar. Programet live sjellin konsum të përsëritur gjatë ditës, ndërsa serialet, veçanërisht dramat turke – vazhdojnë të kenë shikueshmëri të qëndrueshme.
Serialet turke mbeten gjithashtu pjesë e rëndësishme e ofertës së Klan. Z. Dumani i sheh ato tashmë jo si fenomen rajonal, por si një produkt të globalizuar, i mbështetur te historitë universale, investimi në produksion dhe aftësia për të krijuar lidhje emocionale me publikun. Ai vëren se këto prodhime janë shtrirë edhe në tregje të Europës Perëndimore, përfshirë Italinë dhe Spanjën.

Gara për të rinjtë, pa humbur publikun “e vjetër”
Fragmentimi i audiencës është ndoshta më i dukshëm te diferenca mes brezave. Sipas z. Risto, publiku i ri kërkon “shpejtësi, video të shkurtra, personazhe të fortë, social-first”, ndërsa publiku tradicional kërkon stabilitet, besueshmëri dhe programacion të parashikueshëm në kohë. Për televizionin, sfida është të balancojë të dyja.
Edhe z. Dumani e sheh publikun tradicional si bazën mbi të cilën mbështetet televizioni, por pranon se audiencat më të reja kërkojnë forma të tjera konsumimi dhe ndërveprimi. Sipas tij, zgjidhja është ruajtja e programeve që kanë krijuar marrëdhënie afatgjata me publikun, ndërkohë që shpërndarja e tyre përshtatet me mënyrat e reja të konsumit.
Ndryshimi po kërkon edhe më shumë njerëz për të prodhuar këtë përmbajtje. Z. Risto pranon se mungesa e kapitalit njerëzor të kualifikuar po ndihet nga ekipet teknike deri te figurat e ekranit.
Sipas tij, kërkesa është më e madhe se oferta dhe rritja e volumit të prodhimit po e bën të nevojshme zgjerimin e bazës së talenteve, duke kombinuar figura të reja me emra të konsoliduar.
Z. Dumani e vë theksin te krijimi i profesionistëve brenda vetë strukturës së televizionit dhe te ruajtja e stafit me eksperiencë, duke e përshkruar kapitalin njerëzor si një nga asetet kryesore të kompanisë.
Serialet turke mbeten bast i sigurt
Serialet turke vazhdojnë të jenë një nga bastet më të sigurta të televizioneve shqiptare. Albert Dumani, Drejtor i Programacionit dhe Blerjeve në TV Klan, thotë se ato nuk duhen parë më si një fenomen rajonal, por si një produkt global, që ka hyrë edhe në tregje si Italia dhe Spanja.
Sipas tij, forca e tyre qëndron te historitë universale, lidhja emocionale me personazhet dhe standardi i lartë i produksionit.
Edhe Fatos Risto, Drejtor i Programacionit në Vizion Plus, i rendit dramat turke mes përmbajtjeve me konsum të lartë, veçanërisht në fashat e pasdites dhe mbrëmjes.
Ai vëren se ritmi i përditshëm i transmetimit dhe vazhdimësia e historive i mbajnë shikuesit të lidhur me ekranin. Në një treg ku audienca po shpërndahet mes gjithnjë e më shumë platformash, serialet turke mbeten një nga ato pak formate që ruajnë ende zakone të qëndrueshme shikimi. Për televizionet, kjo i bën ato jo vetëm përmbajtje të njohur, por edhe një pikë të fortë të programacionit ditor.
Reklama po shkon te rrjetet sociale
Ndryshimi i audiencës po reflektohet edhe te paratë. Z. Risto pranon se reklama po zhvendoset drejt rrjeteve sociale, videove të shkurtra dhe influencerëve. Bizneset kërkojnë më shumë matshmëri dhe mundësi targetimi, dy avantazhe që platformat digjitale i ofrojnë më lehtë.
Për televizionin, sipas tij, vlera mbetet tek aftësia për të krijuar një event që mbledh një audiencë të madhe në të njëjtën kohë dhe te mundësia për t’u ofruar reklamuesve një mjedis më të kontrolluar për markën. Për këtë arsye, formatet premium dhe programet live janë edhe hapësirat ku reklama televizive vazhdon të ruajë peshën e saj.
Edhe z. Dumani pranon gjithashtu se platformat digjitale dhe influencerët po marrin një pjesë të buxheteve të marketingut, por e lidh avantazhin e televizionit me besueshmërinë që programet e konsoliduara kanë krijuar ndër vite. “Kur një program ndiqet prej 10, 20 apo 30 vjetësh, ai nuk ofron vetëm audiencë; ai ofron besim”, thotë ai.
Pikërisht për këtë arsye, programacioni i sezonit të ri po ndërtohet në dy drejtime njëkohësisht: për të krijuar momente që vlejnë ende të ndiqen në kohë reale dhe për t’i bërë këto momente të vazhdojnë të qarkullojnë shumë kohë pasi transmetimi televiziv ka përfunduar.
Gara e ekranit në 2025-n, tregu arrin 70 milionë euro
Të ardhurat e 10 televizioneve kryesore në vend arritën në rreth 6.8 miliardë lekë në vitin 2025, apo në rreth 70 milionë euro.
Në krahasim me një vit më parë, të ardhurat shënuan rritje të lehtë me 3%, pas rënies me 0.5% në 2024-n, por larg ritmeve dyshifrore të zgjerimit prej 14% në vitin 2023.
Të dhënat u përpunuan nga “Monitor”, bazuar në bilancet e kompanive, të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Të ardhurat e operatorëve vijnë në pjesën më të madhe nga reklamat, apo dhe nga sinjalet e transmetimit.
Dy televizionet më të mëdha TV Klan dhe Top Channel vijojnë të dominojnë dukshëm skenën e ekranit, duke marrë të dyja së bashku 63% të tregut në vitin 2025.
Nga 9 televizionet që i kanë raportuar bilancet e 2025-s, vetëm dy prej tyre kanë shënuar rënie të të ardhurave, ndërsa të tjerat kanë arritur të rriten lehtë me ritme një shifrore.
Ndonëse mund të kenë ndikim përmes audiencës, televizionet, sidomos ato të lajmeve, nuk rezultojnë një biznes fitimprurës, me përjashtim të dy të mëdhenjve. Në vitin 2025, rezultati financiar i 9 televizioneve ishte vetëm 550 milionë lekë (më pak se 6 milionë euro), teksa katër prej tyre ishin me humbje.
Duke hequr televizionet me humbje, fitimet ishin 836 milionë lekë, me 87% të të cilave i përkasin Klan dhe Top Channel. Në krahasim me 2024-n, shumica e televizioneve i përmirësuan fitimet, që gjithsesi mbeten shumë të ulëta në raport me kapitalin që vihet në punë dhe të ardhurat.
Prej vitesh tregu ka hyrë në ngërç, pasi kriza ekonomike dhe moshyrja e kompanive të reja në vend po ndikon buxhetet e reklamave dhe rrjedhimisht dhe të ardhurat e televizioneve.
Një tjetër ndikim ka ardhur nga zhvillimi i platformave digjitale, ku reklamuesit po kalojnë më shumë buxhet për të arritur audienca më të targetuara. Biznesi i televizioneve duket se po konkurrohet ndjeshëm nga zhvendosja e reklamave në rrjetet sociale dhe në marketingun direkt që bëhet përmes influencuesve.
Më herët, Tatimet njoftuan se nisën hetimin ndaj 100 individëve/subjekteve për të ardhurat e përfituara nga platformat sociale. Bëhet fjalë për platformat Facebook; TikTok; YouTube; Instagram; Google; PayPal. Tatimet bënë të ditur se nga verifikimet paraprake dyshohet se janë rreth 33 milionë euro të padeklaruara.
Kjo shumë është 47% e të ardhurave që 10 televizionet gjeneruan në 2024-n, me burimin kryesor që janë reklamat e bizneseve.
Problem është dhe mungesa e matjes së audiencës. “Megjithëse aktualisht mungojnë të dhënat zyrtare të publikuara mbi investimin total të publicitetit në mediat e ndryshme, përsëri është lehtësisht e dallueshme se tregu i mediave televizive përthith pjesën më të madhe të këtij investimi.
Ky fakt, e bën tregun e mediave televizive tërheqës nga pikëpamja e investitorëve, por në të njëjtën kohë ekzistojnë barriera si të karakterit rregullator ashtu edhe të karakterit financiar”, thuhet në raportin vjetor të Top Channel.
“Mungesa e një tregu të formuar nxit parashikime teorike, ndërsa mungesa e matësve të audiencës rrit koston e segmentimit”, theksohet në raportin vjetor të Vizion Plus.
Tregu i televizioneve kërkon dhe investime të vazhdueshme, që nuk mundësohen nga të ardhurat dhe rentabiliteti i tij.
“Teknologjia e transmetimeve televizive përjeton një zhvillim shumë të shpejtë, i cili kërkon në mënyrë të vazhdueshme investime teknologjike, jo gjithmonë të përballueshme duke pasur parasysh karakteristikat e tregut shqiptar (popullsi e vogël, dhe të ardhura për frymë të ulëta në krahasim me vendet e Komunitetit Europian”, thuhet në raportin vjetor të “Top Channel”. Monitor.al






















